Rrëfimi i Era Istrefit: U përlota kur FIFA më tha se duhet të fshi shqiponjën

Era Istrefi, këngëtarja tashmë me famë botërore, postoi në rrjetet sociale një foto të hershme duke bërë shqiponjën, foto të cilën iu desh ta fshinte, por veprimi i saj solli tepër reagime dhe bëri bujë.

Era tregoi në emisionin “Më lër të flas” në “Top Channel” se ia kërkuan organizatorët e FIFA-s që ta fshinte foton, pasi ishte cilësuar si lëvizje politike.

“Njerëzit nuk duan ta dini se si ka qenë. 2 miliardë njerëz e kishim audiencën. Puna ime është të dal në skenë për të kënduar, çka m’i ka ndez ndjenjat shumë ka qenë suporti i shqiptarëve dhe kjo është përcjellë tek unë shumë.

Në një moment e bëra edhe shqiponjën sepse e ndjeva dhe ishte moment i bukur shumë, por më thanë që duhet ta fshihja se është lëvizje politike. M’i lëndoj pak ndjenjat, me të thënë të drejtën unë u lëndova pa fund, u ndjeva e diskriminuar, qava, thashë pse s’mund të jem krenare.

Çfarë kishte gabim? U mundoja t’i kuptoja dhe e hoqa. Por më e rëndësishme ishte ndjenja dhe fotoja nuk kishte aq rëndësi. Por pas një viti e kam nxjerrë prapë”, – tha Era.