Nga Elton Qyno
Gjyqtaria e Elbasanit, Zamira Vyshka, e arrestuar mëngjesin e djeshëm nga prokuroria e Posaçme SPAK, për shkak të një vendimarje të dhënë ndaj shtetasit Xhulio Musaj, rezulton ta ketë dënuar këtë të fundit me 5 vite e 3 muaj.
Ky vendim është dhënë në muajin Tetor 2021 nga gjyqtarja Vyshka dhe tashmë është lënë në fuqi edhe nga gjykata e Apelit në Durrës.
Por 10 muaj nga dhënia e këtij vendimi, SPAK urdhëroi arrestimin e gjyqtares Zamira Vyshka për akuzën e korrupsionit, ish-kolegun e saj Ilir Pashaj, familjarin e Xhulio Musaj, Taulant Ramollarin dhe vetë të dënuarin Xhulio Musaj.
I riu Xhulio Musaj, akuzohej nga prokuroria e Elbasanit, se në vitin 2021 kishte plagosur rëndë me thikë, një të njohurin e tij, ngjarje e cila është rregjistruar në fshatin “Katund i Ri”.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, gjyqtarja Vyshka ka ulur 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Xhulio Musaj, me 3 vite e 4 muaj burgim.
Kjo masë dënimi korrespondon edhe me kërkesën e përfaqësuesit të akuzës së Elbasanit, i cili gjatë dhënies së pretencës, kërkoi dënimin e Musaj me 5 vite e 3 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” në dëm të bashkëfshatarit të tij.
Sipas dosjes hetimore vetëm në dy seanca, Xhulio Musaj, është përfaqësuar me avokatin Ilir Pashaj. Ndërsa në seancat e tjera çështja kundër tij është zhvilluar pa avokat.
Por me sa duket para se të jepej vendimi, familjarë të Xhulio Musaj, përmes avokatit Ilir Pashaj, kanë kërkuar që të ulin masën e dënimit me një periudhë 6 mujore.
Për këtë shkak ata kanë ofruar 2 milion lekë, por nga ana tjetër Ilir Pashaj, i ka transmetuar familjarëve të Xhulio Musaj, se gjyqtarja nuk mund ta plotësonte kërkesën e tyre me ulje dënimi 6 muaj, pasi kërkonte 4 milion lekë të vjetra.
Në pamundësi për të paguar, familjarët nuk kanë dhënë shumën e parave, ndërsa gjyqtarja Zamira Vyshka, ka vendosur të pranojë të plotë kërkesën e prokurorisë, duke dënuar me 5 vjet e 3 muaj burgim Xhulio Musaj.
Vendimi është dhënë në muajin Tetor 2021, ku me zbritjen e masës së dënimit të përfituar për shkak të gjykimit të shkurtuar, Musaj është dënuar përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim.
Çështja është apeluar, por edhe Gjykata e Aplelit në Durrës ka vendosur të lerë në fuqi këtë masë dënimi.