Shoqëria civile dhe të afërmit e vajzës së vrarë me skaf nga komisari i policisë, Arjan Tase, i kanë kërkuan shqiptarëve që të marrin pjesë në peticionin që të bëhet për shkarkimin e dy ministrave: Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro. Protestuesit u mblodhën dje para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë ku hodhën parulla kundër qeverisë, por nuk u shënua asnjë incident, pavarësisht “skadimit” të ultimatumit 72 orësh që i ishte lënë Ramës për të reaguar.
“Zoti Kryeministër kë do të përqafojnë prindërit e Jonadës?”. Kjo ishte pyetja në pankartën që mbante në dorë një prej qytetarëve që doli në protestë për të mbeshtetur kërkesën për largimin e dy ministrave. Protestat mbeten të hapura në vijim, por ajo që organizatorët i kërkuan qytetarëve në të gjithë vendin që të marrin pjesë në peticionin që do të mbajnë për shkarkimin nga kryeministri Rama të dy ministrave të tij Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro. Po ashtu kushurira e Jonadës ka telefonuar kryeministrinë Live nga protesta, i cili nuk ju përgjigj thirrjes së saj. Protestuesit në shenjë revolte për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia teksa ndodhej në plazh me prindërit e saj lyen me bojë të kuqe ambientet e Ministrisë së Brendshme ku në mënyrë demostrative thanë: “Është gjaku i Jonadës”.
Protesta
Me thirrjet “Drejtësi për Jonadën”, “Poshtë kriminelët”, qytetarët të pranishëm në protestë kërkojnë shkarkimin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të cilët sipas tyre janë përgjegjësit kryesorë për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia në plazhin e Potamit në Himarë. Dje ka mbaruar koha që i dha shoqëria civili kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar dy ministrat Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro. Ultimatumi prej 72 orësh ka skaduar, dhe protestuesit kanë dalë sërish para ministrisë së Brendshme tashmë duke kaluar në një tjetër fazë atë të peticionit. Në pedonale janë parë deputetë dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike dhe ish-LSI-së, por Berisha dhe Meta nuk ishin të pranishëm. Qytetarët që morën mikrofonin nuk e kursyen as familjen e kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Familjari i Jonadës
Një i afërm i vogëlushes Jonada Avdia ka bërë thirrje për shtrirje të protestave. Kjo protestë, sipas tij duhet të rritet për Jonadën dhe tërë fëmijët që rriten të pasigurt, e për ata që i hipin gomoneve për tu vrarë deteve të botës. Ai ka shtuar se Jonada tashmë është amaneti i tërë shqiptarëve. “Jam kushëri i 2 i Jonadës, dhe i pari i mamit të Jonadës. Pas kamerave keni edhe dajën e Jonadës që nuk po flet se atë që i mban shpirti atij është e vështirë ta mbani ju. Asnjë nga ne, familjarë e qytetarë nuk ka asgjë as me policinë e gazetarët, falenderojmë mediat që bëjnë punën e tyre. Dikush i quan vampirë e dikush kërkon të bëjë punën e patronazhistëve, Jonada ka 2 prindër por sot ka të gjithë shqiptarët prindër. Jonada është amaneti juaj i të gjitha shqiptarëve, mbajeni ose jo, mos prisni sa t’ju vdesë një i afërm… . Kjo protestë duhet të rritet për Jonadën dhe tërë fëmijët që rriten të pasigurt, e për ata që i hipin gomoneve për tu vrarë deteve të botës. I ftoj të gjithë mediave që ti mendojnë të gjitha a do ta shtrojmë shembullin e mirë apo jo? Ju e keni në dorë. Të gjithë mediat që kanë bërë punën e vet i falenderojmë. Shqiptarët kush të dojë le të marshojë drejtë Kryeministrisë e të tregojmë që do të vijmë prap”, u shpreh ai. Ndërsa një prej pjesëmarresve në protestë, akuzoi presidentin Bajram Begajn, se sapo hyri në presidencë, mori pushimet. Ajo i kërkoi Mirela Kumbaros që të japë dorëheqje. “Keni dështuar me turizmin, por dështuar sepse u vra një vajzë 7 vjeçe, e vrau vartësia juaj. Ju që nuk kontrolloni dot vartësit tuaj, si mund të kontrolloni njerëzit. Ju zoti kryeministër, ende pa u mbyllur plagët e familjes dhe shqiptarëve, dolët e thatë se ky ishte sezoni më i mirë. Ju kryeministër, duhet ti shkarkoni dy ministrat tuaj. Për të mos folur për Presidentin e Republikës. Ai sapo hyri në presidencë, mori pushimet. Heshti, për humbjen e jetës nga një vajzë shqiptare. Kësaj në Shkodër i thonë ‘me të vra e mos me të lënë me kja’-tha ajo.
Avokati Lapaj
Avokati Adriatik Lapaj i është bashkuar protestës së qytetarëve para ministrisë së Brendshme, ku kërkohet drejtësi për vrasjen e vogëlushes Jonada Avdia nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase. Lapaj tha se proteston për jetën, duke theksuar se nuk duhet neglizhuar asgjë e keqe, qoftë kjo kur i ndodh dikujt tjetër. Sipas tij, në rastin konkret kryeministri duhet të ishte shprehur me vendime për shkarkime të ministrave përgjegjës. “Unë babai i një vajze, fatkeqësisht mund të ndodhej ime bie. Ne duhet të reagojmë edhe kur dëmi ndodh tek te tjerët. Ajo që ka ndodhur aty është dështimi i sistemit, dështimi i strukturave për të zbatuar menaxhimin e plazheve. Kjo bën që humbet një jetë. Jeta e asaj vajze është potencialisht jeta e cdo fëmije. Duke neglizhuar, duke e trajtuar hallin si të tjetrit ne qëndrojmë një shoqëri e përçarë dhe cdo i fortë me 5 lekë në këtë vend na i shëmton jetën dhe cdo ministër na shpërfill. Qeveritë zgjidhen për të marrë masa që mos shkohet tek ngushëllimet. Kryeministri shprehet me vendime. Vendimet që duhet të marrë në këtë rast duhet të jenë shkarkime të personave përgjegjës, për të dhënë mesazhin që ne nuk i marrin në mbrojtje ata që shkelin ligjin. Kjo është një protestë shumë qytetare që ka në qendër jetën”, tha Lapaj.