Shtohen tensionet Turqi-Greqi/ Ministrat e Jashtëm “përplasen” në… Twitter

Ndonëse shpesh duket si një lojë “tërhiq e mos e këput”, Greqia dhe Turqia vazhdojnë të kenë përplasje.

Tensionet janë shtuar së fundmi, pasi ka pretendime nga shteti helen se një sërë avionësh spiunë kanë shkelur hapësirën ajrore greke.

Protothema raporton se sot ka pasur 26 shkelje të FIR të Athinës dhe katër shkelje nga dy avionë spiun CN-235, një UAV dhe dy F-16. Dy F-16 fluturuan në një formacion dhe shkelën një herë hapësirën ajrore greke, ndërsa avioni zbulues CN-235 shkeli FIR-in grek 25 herë.

Sakaq, Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias dhe ai turk janë “përplasur” në tëitter në lidhje me çështjen e pushtimit të Qipros.

Dendias thotë se çështja e pushtimit të Qipros mbetet e pazgjidhur dhe e paligjshme.

“Zgjidhja është një Federatë Bizonale Bi-Komuniteti, në një kuadër që përcakton lidhjen dhe vendimmarrjen e Këshillit të Sigurisë.Greqia do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Republikës së Qipros si gjithmonë. Nikosia nuk mund të mbetet i vetmi kryeqytet i ndarë i Evropës”, ka shkruar ai.

Pas kësaj deklarate ka ardhur dhe reagimi i ministrisë së Jashtme turke, e cila thotë se pushtimi i Qipros nga Turqia ishte i ligjshëm.

“I dashur Dendias, Turqia është në Qipro si vend garantues. Ju e dini shumë mirë pse ushtarët turq zbarkuan në ishull”, shkruan ministria e jashtme turke në Twitter.

Konflikti është i kahershëm në histori, por herë pas here, tensionet ndizen për shkak të çështjeve ende të pazgjidhura mes shteteve.