Të shtëna me armë zjarri raportohen në këto momente në afërsi të Vlorës, në autostradën që të çon për në qytetin bregdetar. Paraprakisht bëhet me dije se është qëlluar me breshëri plumbash drejt një mjeti në lëvizje.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të vendit të njohur si mbikalimi i Panajasë dhe raportohet se ka dy viktima. Burimet bëjnë me dije se në mjetin që është qëlluar me breshëri plumbash udhëtonin të paktën dy persona.
Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, mjeti ka dalë nga rruga si pasojë e plumbave, teksa lëvizte me drejtim daljen për nga qyteti bregdetar, dhe ka përfunduar në një kanal pranë saj.
Sakaq është gjetur dhe një mjet i djegur në afërsi të Levanit, që dyshohet se u përket autorëve. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të saj.