“Vakte ushqimore për fëmijët në nevojë”, Ministria e Arsimit zbulon strategjinë e re!

Mijëra nxënës braktisin arsimin e detyrueshëm çdo vit për shkak të varfërisë, emigrimit, martesave të vajzave në moshë të vogël dhe mentalitetit patriarkal.

Ndaj, Ministria e Arsimit ka planifikuar një strategji të re për parandalimin e braktisjes së shkollave për arsimin parauniversitar.

Në udhëzimin e ri për këtë vit shkollor institucionet arsimore ngarkohen të paraqesin dy here në vit në drejtorinë rajonale të arsimit, një raport për punën e bërë për parandalimin e braktisjes së shkollave për grupet e riskut.

Zv.presidenti i sindikatës së pavarur të arsimit parauniversitar Isa Halilaj thotë se ky fenomen vijon të mbetet një brengë e realitetit shqiptar, që ndodh jo larg kryeqytetit.

Fëmijët romë e egjiptianë si dhe ata në vështirësi ekonomike janë më të rriskuarit për ndërprerjen e arsimit. Për këtë target-grup thotë Halilaj duhet me doemos dhe mbështetja e pushtetit vendor, duke nisur me ofrimin e një vakti ushqimor.

“Ndoshta për këtë kategori nxënësish duhet të kthehet ushqimi në shkolla. Ndoshta do të ketë një ndikim të kënaqshëm për uljen e numrit të nxënësve braktisës.”- u shpreh Halilaj.