VIDEO/ Atalanta gjunjëzon Roma-n në Olimpico, polemika dhe karton i kuq për Mourinho-n

Atalanta

Vazhdon sezoni befasues i Atalanta-s në Serinë A. Skuadra e Berat Gjimshitit, i cili nuk është rikuperuar akoma nga dëmtimi, ka marrë një fitore të madhe në Olimpico kundër Roma-s.

Zikaltrit kanë mundur 1-0 verdhekuqtë dhe kryesojnë renditjen e kampionatit italian me 17 pikë në pritje të super ndeshjes mes Milan-it dhe Napoli-t, që do të luhet pas pak në San Siro.

Sfida është vendosur nga një gol shumë i bukur i 18-vjeçarit Scalvini në minutën e 35-të. Dy nga tre lojtarët e lindur nga viti 2003 dhe këtej që kanë shënuar në këtë Serie A luajnë tek Atalanta (Giorgio Scalvini dhe Rasmus Højlund).

Verdhekuqve nuk u kanë munguar rastet për të barazuar, por Tammy Abraham në fillim dhe Ibanez më pas kanë shpërdoruar dy raste të pastra në fundin e pjesës së dytë.

Gjakrat janë nxehur në pjesën e dytë kur Zaniolo ka pretenduar për një penallti, por pamjet kanë treguar se faulli ishte shkaktuar nga ai. Një moment që ka acaruar Mourinho-n, që është futur në fushë dhe ka fyer arbitrin.