Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur pas takimit me presidentin Ilir Begaj në Presidencë. Meta tha se nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve, por ajo i takon presidentit. Sipas tij, e rëndësishme është që të partitë politike të jenë gati për zgjedhje dhe përmes këtyre zgjedhjeve të rikthehet demokracia në vend.
“Rikthimi i opozitës në këshillat bashkiakë do japë kontribut për forcimin e llogaridhënies në kuvend. Data konkret i takon presidentit dhe nuk besoj se një javë më parë apo më shumë është e rëndësishme, është ai që duhet të gjykojë pasi ka dëgjuar të gjithë aktorët. E rëndësishme është që data të dihet sa më parë, partitë të marrin masa për tu përgatitur për zgjedhje dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë për kandidatët të dinë datën e kësaj feste të demokracisë”, tha Meta.
I pyetur nga gazetarët për takimin që pati më herët gjatë së martës me kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, Meta tha se folën për fuqizimin e demokracisë, zgjedhjet vendore por edhe për protestat.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, Begaj u takua me nënkryetarin e Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi dhe ditën e nesërme pritet të takohet me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj. Në fokus të bisedave në takime kanë qenë zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.