Shqiptarët në epokën e matrapikut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Simboli i Shqipërisë sot duhet të jetë një matrapik gjigant. Po aq sa drapër çekani kur na gënjeu mendja se punonim e derdhnim djersën për të mirën e proletariatit.
Por drapër e çekani është modë e kaluar. Punë me krahë. Sot matrapiku është me korent dhe me bateri. Por edhe me naftë nëse ka mundësi. Të lehtëson punë sa më s’ka. Hap vrima sa të duash, vuxhut të kesh. Veç atë zhurmën… e ka të tmerrshme. Sidomos kur je duke dremitur mbi minder dhe ia jep: gëëërrrrrrrr.
-Plasi lufta!
Haluçinacione…? Se njeriu kur është përgjumësh çfarë nuk thotë.
-Mos u tremb a derzi. Lufta bëhet në Ukrainë, s’ka punë këtej nga nahija jonë. Ne na mbron NATO-ja.
Mirë që e ditkemi.
Ka 30 vjet që po e përdorim rëndshëm matrapikun. Kot themi që nuk bëjmë zbor. E bëjmë që çke me të. Kemi hequr kallashnikovin nga supi, kemi ngritur matrapikun.
“Hajde të punojmë, djersën ta kullojmë, se do ndërtojmë Shqipërinë e re”. Himn që nuk i ikën vafti asnjëherë.
Matrapiku sot është mjeti i parë i jetesës. Ca e kanë blerë, ta kenë nëse u hapet punë përditë dhe e duan ta kenë gati për çdo rast. Ca të tjerë e marrin hua sa të mbarojnë belanë që i ka zënë. Ca të tjerë thërrasin punëtorë me mëditje që të përdorin këtë mjet shpresëdhënës, se dhe ai ka yçklat e veta. Por nuk ka familje në Shqipëri që të mos e përdorë matrapikun. O për rregullim o për prishje.
Ndodh rëndom të iki nga shtëpia në pikë të vrapit dhe me një gëzim të papërshkruar, sepse që në mëngjes, një prej 45 komshinjtë të cilët më kanë rënë për pjesë në pallat, ia ka marrë me matrapik, e si luan qerpiku fare. Po ndërron pllakat e banjës, se kohët e fundit ka vënë re që nuk i shkojnë me nuancën e porcelanit të VC-së dhe të bidesë.
Vuuuu… matrapiku.
Hidhem përpjetë nga krevati dhe pa larë sytë mbath këpucët vesh zhaqetën që t’ia mbath nga sytë këmbët. Të hipin nervat sa të vjen t’i fusësh thonjtë në fyt tjetrit… por ç’të bësh. Dhe që të qetësohesh duhet të pish një kafe.
Opo kjo kafeja është zakoni më i bukur që kemi. Nuk bën vaki të niset dita pa marrë ca kafeinë. Rehatohesh në lokal. Kafeja vjen me një gotë ujë Boville e akull brenda. Ja kësaj i them jetë unë. Të hapen sytë sa e sheh, jo më ta pish. Vë filxhanin në buzë kur…: Brrrrrrrr
Dridhet toka. Kafeja më derdhet mbi këmishë.
-Tërmet.
-E jo a derbardhë, sa dhjaks që je. Tërmeti ra një herë, nuk do bjerë përditë. Po punon ky i lokalit ngjitur. Rikonstruksion. Ka ca punë me matrapik, por mos u mërzit. Mbarojnë shpejt.
Kafja të mbetet në fyt. Nuk të bën puna as ujët e Bovillës ta kapërdish.
Jo vëlla, ikën nga matrapiku e bie në matrapik. Nuk ka qetësi në këtë dynja. Po kjo është e barasvlefshme, se të dy janë matrapikë privatësh. Por kur ikën nga shiu e bie në breshër: kur ndesh në rrugë punëtorë që çajnë asfaltin dhe betonin me matrapik. Hajde matrapik hajde… domethënë matrapik shtetëror. Nga ata që po u fute ca më thellë nxjerr dhe naftë.
Jo, jo, do bëhemi ne, se ja, po rregullohet Shqipëria. Njëri ndreq tjetri prish. Gjithë kohën në alarm.
Shkoj në zyrë. Zyrat i kemi në një pallat. Ja ashtu… me qira. Ndez kompjuterin. Ndizet dhe matrapiku.
-Edhe këtu o byrazer, tani e gjete.
-Unë s’po të bëj gjë. Ti në punën tënde unë timen. 8 me 4 duhet me e bo normën. S’ta jep njeri kollaj lekun.
Mirë e ke, jepi sa të mban takati. Shyqyr që e paske mirë me shëndet edhe mjetin e punës. Matrapikun.
Shkoj të pi një kafe të dytë. Nuk rrihet në zyrë. Në lokal nis matrapiku sërish. Këtë herë zhurma gërricëse vjen nga televizori. Ka zbritur IKMT-ja në terren. Punë me zarar. Këtu matrapiku do firmë e vulë të punojë. Do prishen ca shtëpi se do ngrihet një pallat. Domethënë prish tenxhere e bëj kanoçe.
O e bëjmë Shqipërinë lule o… pëllcasim. Fiks si ajo batuta e filmit “Në fillim të verës”:
-Duçja e ka bërë Italinë, xhenet mor xhenet.
Ne po e ngrejmë Shqipërinë… apo po e shembim me matrapik?
Ama pyetje.
Jetojmë në kohën e matrapikut. Nuk bëjmë gjumë vape hiç. Të rri matrapiku në kokë, si qukapiku. Bëj llafe po ta mbajti. Ta vë tjetri punton e matrapikut m’u në ballë. Dhe pastaj ec e dëgjo lajmet kur të informojnë se u ndaluan dy persona ngaqë mbanin armë të ftohta në xhep, nga një biçak demek, nga ato që hapin kutitë e konservave. Po matrapiku çfarë lloj arme është? Se dhe po nuk të vrau të luan nga mend e kokës. Të fut trefazorin siç thoshte shoku Perikli, krushku i Jovan Bregut.
Jemi në epokën e matrapikut. Kudo që shkelim do gjejmë dikë me matrapik në dorë, o për ndërtim, o për prishje. Rrugë tjetër s’ka!

Të fundit

“Nuk ka më toka të Xanuna”, Rama i lë afat Vlorës 48 orë, Dredha në aksion

Lirimi i hapësirave publike është marrë seriozisht nga Kryeministri Rama, i cili paralajmëron shkelësit në kryeqytet për ndjekje penale...

Përmbytjet në Teksas, konfirmohen 24 viktima, 20 vajza të mitura rezultojnë të zhdukura

Të paktën 24 persona kanë vdekur dhe më shumë se 20 vajza që ndiqnin një kamp veror rezultojnë të zhdukura, pasi shirat e rrëmbyeshëm...

“Parajsa e pazbuluar e Evropës”/ Plazhet e Shqipërisë, si në Greqi dhe Kroaci

Shqipëria rekomandohet si një destinacion për tu vizituar gjatë verës .Platforma ndërkombëtare  Travel and Towrs world analizon lehtësitë e lëvizjes me viza britanike dhe...

Djemtë tanë (nuk) shkojnë ushtarë…

Nga Kristaq Xharo* Lajmi i fundit: Serbia deklaroi dje hyrjen në fuqi të ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kroacia nuk duket se do e...

Pas vapës ekstreme, përmbytje/ Veriu i Italisë nën ujë, shtyhen 13 fluturime në Lombardi

Reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta kanë përfshirë që nga mëngjesi i sotëm rajonin e Lombardisë në Itali, duke shkaktuar probleme të...

Lajme të tjera

Web TV