Nga Emili Bibolli
Çdo ditë e më shumë duket se ka një paralizim të vendit. Pothuajse asgjë nuk po funksionon siç duhet, problemet sa vijnë e shtohen, hallet e njerëzve po ashtu, vendi sa vjen e më shumë shpopullohet dhe varfëria është ulur këmbëkryq nga Veriu në Jug. Fajtorja kryesore është si gjithmonë politika. Vendit i nevojitet një ndryshim 360 gradë për të dalë nga paraliza, një e ardhme premtuese, përmirësim i gjendjes ekonomike, arsimore, shëndetësore, të papunësisë, korrupsionit, administratës, emigrimit e mbi të gjitha një përmirësim i klimës pesimiste që ka mbërthyer një pjesë jo të vogël të popullit.
Zgjedhjet lokale janë afër dhe emrat e parë kanë filluar të lakohen nga të dyja forcat politike. Momentalisht vëmendja është përqëndruar tek emrat e Partisë Demokratike, pasi dhe primaret janë afër, ndërkohë që tek Partia Socialiste motorët nuk janë ndezur ende plotësisht dhe vazhdojnë të njëjtat minimitingje ku flitet pambarimisht për arritjet por thuajse asnjëherë për ç’mund të ishte bërë dhe ç’duhet bërë.
Në Partinë Demokratike disa janë emra të rinj në arenën politike. Mua më vjen keq kur shoh këto figura të reja, me profesione të shquara dhe të papërfolura negativisht që bashkohen e mbështetin politikanë të korruptuar, nepotikë dhe shkatërrues të frikshëm të demokracisë shqiptare. Sapo ndodh kjo menjëherë merr fund entuziazmi dhe shpresa për një të ardhme ndryshe për vendin.
A mund të shkohet drejt një të ardhmeje premtuese duke u mbështetur dhe përkrahur nga e shkuara? Aq më tepër kur e shkuara ka nxitur gjithmonë gjuhën e urrejtjes, përçarjes dhe dhunës? Ka shkatërruar vendin, ekonominë, politikën, ka krijuar dhe promovuar modelet e këqija duke fundosur ato të mirat.
Pikërisht fakti që këta individë të rinj në fushën e politikës mbështetin dhe mbështeten nga politikanë të tillë, duke qenë të vetëdijshëm dhe dëshmitarë të katrahurës dhe modelit të drejtimit të forcës politike apo modelit të qeverisjes së vendit nga e shkuara flet shumë për ta.
Mjafton të ndjekësh debatet televizive, seancat parlamentare apo aktivitetet politike. Askush nuk fokusohet tek programi i vet, çfarë vizioni ka, çfarë të reje do sjellë, si do e bëjë vendin më të mirë e më të jetueshëm, si do e zhvillojë, çfarë do përmirësojë apo çfarë do korrigjojë. Vetëm përsëritet i njëjti refren sipas rastit. Nga krahu tjetër, diskutimet me tone agresive kalojnë gjithmonë në fyerje personale. Këta politikanë nuk duan të kuptojnë se çdo forcë apo kundërshtar politik nuk mundet as me aforizma, as me mitingje të kamufluara si protesta dhe as me denigrime individësh.
Gjithçka fillon dhe mbaron me besimin e popullit, besim ky që kurrë nuk ka për t’u fituar nëse rendim pafundësisht pas të shkuarës, krijojmë vend për debate destruktive apo nuk ofrojmë zgjidhje konkrete për problemet që ndeshim çdo ditë. Kjo është e vetmja sfidë e vërtetë dhe njëkohësisht dhe më e vështira për t’u fituar.