Kyçet kadastra e Lushnjes, Lame: Arkivi u dixhitalizua, çdo dokument në “e Albania”

Kadastrës së Lushnjes i është vënë kyçi pasi tanimë të gjitha dokumentet janë të digjitalizuara dhe mund të merren nga portali online e-Albania.

Drejtori i Kadastrës, Artan Lame u shpreh se digjitalizimi në Tiranë dhe Durrës deri tani numëron 5.5 mln dokumente të skanuara.

Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka konfirmuar se digjitalizimi në Lushnje ka përfunduar totalisht.

Të gjitha dokumentet tashmë janë të digjitalizuara dhe mund të merren me vetëm një klikim nga portali online e-Albania. Në total në këtë bashki janë 1,5 mln dokumente të skanuara në 122 Zona Kadastrale.

Duke u ndalur të dy bashkitë më të mëdha në vend, Tirana e Durrësi, përfshirë këtu edhe Krujën e Kavajën, Lame njoftoi se janë skanuar deri më tani 5.5 mln dokumente, ose gjysma e arkivit.

Ky proces do të vijojë me Tropojën, për shkak të fluksit të madh të kërkesave për agroturizëm.

“Brenda këtij viti ky proces do të përfundojë edhe në Bashkinë e Tropojës. Duket si një Bashki periferike, por të mos harrojmë që perspektiva turistike e ka kthyer në një qendër me shumë kërkesa dhe nevoja.”

Dixhitalizimi është një proces që sipas Lames i sjell disa të mira qytetarit, pasi rrit saktësinë e informacionit të marrë, shpejtësinë e dhënies së shërbimit dhe mbi të gjitha rrit sigurinë e pronës.