Kryeministri Edi Rama reagoi me një shkrim në Twitter pas lajmeve në mediat britanike lidhur me emigrantët shqiptarë. Rama tha se Britania nuk duhet të bëjë retorikë krimi “që përfundon duke dënuar të pafajshmit”, por e fton të marrë shembullin e Gjermanisë që “shtrëngoi” sistemet e saj për emigrantët.
Reagimi i tij ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja.
“Britania synon shqiptarët për të justifikuar dështimet e politikave, thotë kryeministri i vendit” është titulli i prestigjiozes ‘The Guardian’.
“Kriza e migrantëve/ Kryeministri shqiptar i thotë Britanisë që ‘të mos fajësojë njerëzit tanë punëtorë’”, shkuan ‘The Times’.
“Ndaloni së diskriminimi ndaj shqiptarëve”, i thotë qeverisë britanike kryeministri i vendit Edi Rama”, është titulli i ‘Sky News’…janë këto disa nga titujt e mediave prestigjioze ndërkombëtare, të cilat kanë pasqyruar përgjigjen e kryeministrit Edi Rama ndaj politikanes britanike Suella Braverman kundër emigrantëve shqiptarë.
“Kryeministri shqiptar ka akuzuar qeverinë e Rishi Sunak se po përdor qytetarët e vendit të tij si koka turku për politikat e dështuara të emigracionit pas komenteve kritike të Suella Braverman për azilkërkuesit shqiptarë. Edi Rama shkroi se Britania e Madhe po sulmonte në mënyrë të rremë shqiptarët “si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare”. Në një seri postimesh në Twitter, ai i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar që “të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin [kundër] shqiptarëve”, shkruan ‘The Guardian’.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ‘The Times’.
“Kryeministri i Shqipërisë ka dënuar retorikën kundër emigrantëve të Suella Braverman dhe tha se Britania duhet ta trajtojë vendin e tij me “respekt” nëse dëshiron të arrijë një marrëveshje kthimi. Edi Rama tha se ishte “çmenduri” të fajësosh emigrantët shqiptarë si shkakun e krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare. Ai e sulmoi Braverman-in për gjuhën që ajo përdori këtë javë kur ajo e përshkroi krizën e emigrantëve në Channel si një “pushtim” dhe e akuzoi atë duke përdorur “retorikë të lehtë” për të fshehur dështimet e politikave”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e tyre.