Pal Nikolla – Skifteri i Munellës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Vladimir Duraj

Dy vjet më parë, në bisedë me të ndjerën Jorgjie Shtrepi, mësuese ekselente në shkollën “8 Nëntori” në mes të viteve 60-të, zumë në gojë edhe mësuesen time të klasës së parë, Violeta Nikollën, sinonim mirësie dhe fisnikërie. Aq e mirë ishte Violeta, sa që edhe pse kanë kaluar 58 vjet nga ajo kohë, përsëri unë e kam të gjallë në memorje portretin e saj të bukur e shkëlqyes. Po ashtu, mbajtja mend pa asnjë sforco në kujtesë, e mbiemrit të saj, është tregues sinjifikativ i madhështisë së Violetës.

Por le të kthehem përsëri te biseda me Jorgjien, e cila, në një nga shkrimet e mia, kishte mësuar faktin e qënies së Violetës mësuesja ime e klasës së parë. Gjithashtu kishte parë në shkrim superlativa pa “kursim”, të përdorura nga unë për mësuese Violetën.

– Me shumë dashuri e respekt po flet për Violetën, biles po kështu ke bërë edhe në shkrimin për të që unë kam lexuar. Violetën e kam pasur në pallat, po ashtu edhe kolege në shkollë. Është nga rastet kur termi “zonjë e vërtetë” dhe “fisnike grua”, simbolizojnë një të vërtetë të gjithëpranuar – më tha mes shumë vlerësimeve të tjera për Të, mësuese Jorgjia.

Ndërsa Marika Baçi, një zonjë e vërtetë edhe kjo, ish mësuese në Teknikumin e Naftës në ish Q.Stalin, për të njëjtin shkrim, ashtu si Jorgjia, tha :

“- Paskeni qënë me fat që keni patur mësuese të klasës së parë të ndjerën, Violeta Nikolla. Artistja e klasës së parë, mësuesja që ‘shkrihej’ e bëhej një me fëmijët, që nuk bënte thjesht mësim, por e “këndonte” mësimin. Grua dhe mësuese e rrallë. Më vjen keq që u largua e re nga jeta. Sikur nxënësit që ka kaluar nëpër duar Violeta, të shkruanin nga një kujtim me 20 fjalë, do të bëhej një vëllim i tërë. Mos harroni që, në vitet 60 – 70, fëmijët që fillonin klasën e parë nuk kishin zhvillimin dhe kushtet e ditëve tona. Shumë prej tyre nuk dinin të mbanin lapsin në dorë. Respekt i pafund për këtë Zonjë! Unë nuk e kam patur mikeshë Violetën , sepse unë isha fare e re dhe nuk kemi qënë as kolege të një shkolle. Mirëpo “nami” i Letës ishte aq i madh, sa që unë ndieja një respekt dhe admirim të veçantë për atë grua Zonjë. Më vjen mirë që do të shkruash për të, duke marrë shkas nga komenti im.”

Violeta Nikolla ishte tipologjia e së arrirës, shëmbëlltyra e njeriut të programuar nga perëndia, sinonim i dashurisë, bukurisë, mirësisë, fisnikërisë…brenda saj gufonte një zemër e madhe, e gjerë, e dhembshur. Sa më sipër i kishte të dukshme, lehtësisht të lexueshme, të shkruara në ballë. Në fund të klasës së parë më cakton për në ‘Mbrëmjen Qëndrore’ të fundvitit. Mund të mos më çonte, në klasën tonë ishim disa nxenës me dhjeta, biles edhe fëmijë “të mëdhenjsh”. Por çudia ndodhi në përfundim të klasës së dytë, kur përsëri më caktoi në këtë eveniment bashkë me të ndjerin Mirjam Bubsi, djali i të madhit Fahri Bubsi. Kur i thashë se : “Unë isha vjet, nuk më takon përsëri sivjet”, me dashuri e ëmbëlsi më tha :

– Ti vazhdo të mësosh kështu, si deri më sot, që të shkosh përherë në ‘Mbremje Qendrore’… atje shkojnë nxënësit e shkëlqyer dhe ti je i tillë.

Ato fjalë ma ngrohën zemrën, ma shtuan edhe më dashurinë për atë mësuese – perëndi. Violeta theu “rregullin” duke çuar në ‘Mbremje’ dy nxënës nga e njëjta klasë, por këte e “justifikoi”, mendoj unë, me qenien time djalë punëtori a “fukaraje”, dhjetat e të cilit Ishin të tijat, pa suport pas. Nuk mund të ishte ndryshe Violeta, mirësinë ajo e kishte në gen. Bijë e një familje plotë vlera dhe nuse po te një familje e tillë, justfikojnë ata ç’ka them një fjali më parë : “Violeta nuk mund të ishte ndryshe…”

Mbaj mend nga ajo kohë se qyteti Stalin kishte një bibliotekë shkencore, më të mirën në vend, vepër e Pal Nikollës, “ambasadorit të Mirditës” në Myzeqe. Them kështu sepse Pali ishte përfaqësuesi më sinjifikativ i vlerave të trevës së tij në dy qytetet naftëtare, Q.Stalin dhe Patos. Është një koiçidencë e bukur fakti që Pali, ashtu si edhe Violeta, fillimin në punë e ka pasur si mësues, biles mësuesi i parë në Mirditë menjëherë pas çlirimit. Djaloshi i etur për dije, i pajisur nga perëndia me vullnet e forcë të hekurt, pak kohë më pas vijoi rrugën e dijes në Shkollën e Aviacionit në Beograd.

Lexo edhe :  Onufri, vazhdon traditën në Elbasan - Me “Tinguj pranverorë”…

Në vitin 1948 kthehet në atdhe dhe fillon punë në stacionin meteorologjik të aeroportit të Tiranës dhe 1 vit më pas emërohet shef i Stacionit Qendror të Sinoptikës…qëndron në këtë pozicion deri në vitin 1955, kohë kur shkon në Bullgari për shkëmbim përvoje. Pas kthimit nga Bullgaria Pali emërohet në aviacionin e qytetit Stalin, ku hodhi themelet e shkencës shqiptare në një nga sektorët më të vështirë të aviacionit civil dhe ushtarak, duke u bërë një nga protagonistët më në zë të asaj kohe.

E megjithatë, për turp të asaj kohe, në vitin 1961 largohet nga ushtria për arsye të paqena dhe dërgohet në vendlindje për të jetuar e punuar si bujk për të mbajtur familjen gjallë. Edhe pse një dënim i tillë i padrejtë e i pamerituar e vrau shpirtin e tij të pastër, përsëri Pali gjeti forca për ta përballuar këtë situatë me dinjitet.

Vetëm dy vjet u deshën që pushteti të reflektonte në qasjen e tij ndaj Palit, për erudicionin e të cilit vendi kishte shumë nevojë. Kështu, në vitin 1963 Pali la bjeshkët e Mirditës dhe rikthehet në Q.Stalin, këtë radhë me misionin e ngritjes së bibliotekës shkencore më të mirë në vend, e cila, në finish, numëronte rreth 12.000 libra shkencorë shqip e në gjuhë të huaja. Vetëm një vit më vonë, në 1964-ën, unë do të isha nxenës i të mirës Violetë dhe do të kisha kështu fatin të njihja një pjesë mirësie nga tërësia e kësaj tipologjie që zoti ka “mbjellë” në tokë. Nuk gënjej nëse pohoj se, edhe pse i vogël, emrin e Palit si vlerë ari e qytetit tonë e kisha të dëgjuar në atë kohë. Nuk e mbaj mend mirë vitin, po rreth 1968-ës Violeta ndahet nga jeta në mënyrë të papritur, duke lënë Palin dhe dy djemtë e saj të sfidonin të vetëm të ardhmen.

– Nuk u martova, Mark, se fëmijët u goditën me ikjen e Nënës së tyre në moshë të re nga infarkti dhe une, po të martohesha, do t’i godisja për së dyti herë – i tha Pali mikut të tij, Mark Markut, kohë më vonë.

Jo shumë kohë pas ndarjes nga jeta të Violetës, Pali transferohet në Patos për të shpënë edhe më tej Bibliotekën shkencore të Naftës që më pas do të “jetonte” në këtë qytet.

Por nuk ishte e thënë që njeriun e njehsuar me dijen, përkushtimin, punën, sakrificën, forcën, dashurinë, dinjitetin, kulturën dhe edukatën, fisnikërinë dhe aristokracinë ta linin rehat…në vitin 1975 Palin e shohin përsëri si armik dhe e degdisin si punëtor në fonderinë e Uzinës Mekanike.

Madhështia e Pal Nikollës qëndron në faktin se Ai ishte një mal i lartë shumë dimensional, Ai ishte shkencëtar në profesion, erudit, njohës i disa gjuhëve të huaja…dhe më kryesorja, mal i lartë si bashkëshort, mal i lartë si prind, mal i lartë si bir…është tepër domethënëse lidhja e tij me nënën në pleqërinë e saj të madhe, kur Pali i shërbente si me e pas foshnjen e tij.

Jeta e Pal Nikollës i ngjan rrugëtimit të një Vigani që di, zgjidh e del fitues mbi çdo sfidë e problem, Ai jetonte dhe sfidonte kohën duke i dhënë asaj emrin e tij, duke shkruar emrin e tij në histori me gërma të arta.

Kuvendi Popullor e dekoroi Pal Nikollën me “Urdhëri i Punës së Klasit të lll-të” ndërsa Instituti i Shkencave e emëroi “Laborant i vjetër shkencor” në Shërbimin Hidrometeorologjik të Shqipërisë.

Për Violeta dhe Pal Nikollën nuk mund të thuhen të gjitha në një shkrim fb, ata meritojnë romane dhe laps floriri…xhanëm një monografi Palit i’a ka kushtuar miku i tij Mark Mesuli, të titulluar “Skifteri i Munellës”.

Janë të shumtë personalitetet e kohës që nderonin e çmonin atë çfarë Pal Nikolla ishte…mes tyre burrat e mëdhenj në fotot më poshtë, emblema e aviacionit shqiptar, Niko Hoxha, i tillë po në fushën e naftës, Lipe Nashi e të tjerë.

Në 7 shtator 2009 ndahet nga jeta Pal Nikolla, burri i shquar i Mirditës, intelektuali i shquar shqiptar që bëri shkencë në pozicionin e punës së tij, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Patos dhe “Nderi i Komunës” Gjegjan.

Të fundit

Përfundon numërimi në qarkun e parë, ja si u ndanë mandatet

Ka përfunduar numërimi i votave për subjektet politike në të gjithë qarkun e Kukësit për 139 qendrat e votimit. Pasi...

“Kemi një mekanizëm primitiv”, Celibashi: Duhet votim dhe numërim elektronik

Komisioneri Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi, tha se brenda fundit të javës do të kemi rezultatin paraprak të zgjedhjeve të 11 majit. Vonesa, sipas tij,...

Flamur Noka: Administrata publike u lëshua si zagarë kundër popullit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, përmes një statusi të publikuar në rrjete sociale dukshëm po tregon që është dorëzuar duke gjetur si shkak...

Ylli Pata: Pse Berisha po i shmanget greminës që mund ta rrëzojë përfundimisht?!

Edi Rama, përpra zgjedhjeve solli një historik të Sali Berishës në të gjitha votimet ku ai kishte humbur. Të cilat jo vetëm nuk i...

Egnatia shkruan historinë, mposht Vllazninë 4-0 dhe ngre titullin e dytë

Egnatia e Rrogozhinës është kampione e Kategorisë Superiore për të dytin vit radhazi. Skuadra e Edlir Tetovës triumfoi bindshëm 4-0 në finale ndaj Vllaznisë në...

Lajme të tjera

Web TV