Berisha nuk hap rrugë: Në çdo samit ka protesta

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaron se nga protesta e thirrur më 6 dhjetor, kur do të mbahet në Tiranë dhe Samiti i liderëve të BE, nuk do të ndodhë asgjë e keqe. Duke sjellë rastet kur qytetarë në shumë shtete e qytete kanë protestuar në ditët kur janë mbajtur samite, Berisha tha se kjo është e ndaluar vetëm në vende diktatoriale.

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në konferencën e përjavshme me gazetarët, teksa ka folur për protestën e 6 dhjetorit, dita kur në kryeqytetin shqiptar mblidhen liderët më të mëdhenj të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Sipas Berishës, protestat në samite apo takime ndërkombëtare, përveç vendeve totalitare, janë gjërat më normale në vendet e lira. Kreu i PD-së u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen dhe se liderët evropianë duhet të kuptojnë se shqiptarët janë kundër krimit dhe korrupsionit të qeverisë së tyre. “Më 6 dhjetor, në Tiranë zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare, përveçse në vendet diktatoriale, janë gjëja më normale, janë pothuajse ligj. Kudo ku ka takime liderësh, ka protesta për kauzat. Qytetarët jo rrallë kanë kaluar në këto protesta edhe në mosbindje të thellë civile. Kjo ka ndodhur në Athinë, Paris, Dublin, Uashington etj. Pak javë më parë, amerikanët protestuan në Nju-Jork gjatë samitit të OKB-së. Në Bruksel u zhvilluan protesta pak muaj më parë kur mbahej samiti me Afrikën i BE-së. Askush nuk i pengoi, askush nuk i ofendoi si agjentë të Kremlinit siç bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla”, tha Sali Berisha. ai nënvizoi se vet amerikanët protestojnë kur ka samite, francezët protestojnë kur ka samite, evropiano-perëndimorët i qëllojnë me vezë dhe bojë kur ka samite. “Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudite apo gjetkë. Atje protestat janë të paligjshme dhe qytetarët nuk protestojnë dot. Në Moskë nuk lejohen protestat”, tha Berisha.

Reagimi për Ramën

Ish- kryeministri Sali Berisha është ndalur edhe tek kryeministri Edi Rama. Ai tha se Rama mbron idetë komunste. “Së fundi, dy fjalë për qëndrimin e narkoqeverisë ndaj protestës. Kjo është dëshmi e mendësisë komuniste. Pretendimi se mos na dëgjon bota se gëzojnë armiqtë, është koncept komunist. Të bësh sikur gjithçka shkon mirë, është metodë komuniste. Propaganda e tij i shërben krimit të organizuar dhe krorupsioit sepse do të përdorë samitin për të maskuar këtë. Diktatorët e botës përdorin të njëjtën gjuhë. PD-ja është forca më perëndimore e Shqipërisë dhe shqiptarëve. PD-ja ka bërë më shumë se kushdo tjetër për integrimin e Shqipërisë në institucionet perëndimore. PD-ja është forca e parë që kërkoi futjen e Shqipërisë në NATO, ajo kërkoi asociimin në BE që në vitin 1992 dhe nënshkroi më vonë këtë marrëveshje”, tha Berisha, duke nënvizuar se ka qenë PD e cila ka hequr viyat me BE-në. “Ajo paraqiti kërkesën për kandidat në BE. PD-ja ka votuar gjithmonë pro-Perëndimit. Prandaj vendi i saj më 6 dhjetor është në rrugë dhe vetëm në protestë në mbrojtje të vlerave evropiane në Shqipëri.”, tha ai. Edhe pse Policia tha se nuk do të lënë asnjeri të futet në perimetrin e sigurisë, për protestë, por kryetari i PD-së, Sali Berisha, përforcoi dhe më shumë vendosmërinë e protestës në Bulevard. Kësaj here, u kujdes të fliste jo vetëm për protestues, por dhe për organizatorë, kur u pyet për tonin dhe fatin e protestës. “Madhështore, madhështore! Jo, liderët europianë nuk do të keqkuptohen, ata nuk janë si Edi Rama. Tani gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve. Ata do të vendosin, por ne bulevardin nuk e lëshojmë”, tha Berisha. PD-ja u ka bërë thirrje demokratëve të hapin dyert e shtëpive të tyre më 5 dhjetor për të mirëpritur ata protestues të cilët vijnë nga rrethet dhe për shkak të bllokimit të rrugëve nuk do të mund të udhëtonin drejt Tiranës, më 6 dhjetor.

Lexo edhe :  “Të mbyllim negociatat në 2027”, Bashkimi Evropian uron Ramën dhe qeverinë e re

Reagimi i Policisë

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë, Rebani Jaupi, tha se Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigje drejtuesve të organizatorëve të protestës së paralajmëruar të opozitës më 6 dhjetor, ditën kur do të zhvillohet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor. “Pjesa tjetër e bulevardit, sheshi Skënderbej dhe çdo ambient tjetër, është e drejtë e tyre për të bërë njoftimin dhe të na thonë se ku do ta bëjnë”, tha Jaupi, në konferencë për mediat. Bulevardi Dëshmorët e Kombit është brenda perimetrit të sigurisë së samitit dhe policia nuk ka miratuar kërkesën e opozitës për të zhvilluar protestën aty, por Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë konfirmuar se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë vendin e mbledhjes. Një ditë më parë, Policia e Shtetit bëri një tjetër përpjekje për të bindur demokratët të mos protestojnë para Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por ta zhvendosin grumbullimin e tyre përtej perimetrit të sigurisë së samitit të BE-së në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, thirri përfaqësues të PD-së për t’u shpjeguar edhe njëherë arsyen pse autoritetet i refuzuan opozitës protestën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Argumenti i tyre ishte se kjo protestë cenon sigurinë, por ne u thamë që do të mbajmë protestë paqësore. Protesta mbahet atje ku kemi thënë në Bulevard”, tha Ervin Minarolli. “Ne kemi protestë kundër qeverisë, për t’i dërguar të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për korrupsionin dhe gjithë zullumin që po bën kjo qeveri”, tha Gjata.