Doktori i madh, doktori i mirë dhe Këlliçi si “xhol”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla

Në kulmin e diskutimeve për Primaret në PD, kryeqyteti mbetet epiqendra e opozitarizmit. Për shumë arsye, ose për vetëm një arsye që i përfshin të gjitha arsyetimet: Tirana do ishte froni që të çon në udhën e shkurtër dhe të lehtë të pushtetimit, nga bashkia, drejt e në kryeministri. Nëse kjo do të arrihej, opozita më datë 15 maj të vitit të ardhshëm ka të drejtë të festojë gjatë. Së pari do lëkundnin fort karrigen e Ramës dhe së dyti do largonin Erion Veliajn, i cili e kërkon edhe një mandat të tretë për drejtimin e Tiranës, por gjithnjë me sytë nga partia për të qenë ai pasuesi i Edi Ramës, me apo pa dëshirën e çdokujt aty në PS. Nëse socialistëve i bie Tirana, do ishte “vrasje politike” për Ramën dhe veçanërisht Veliajn. Po kush është ai kandidat që mund të bëjë këtë përmbysje të madhe që do të tolloviste edhe ujërat “Oqeanike”? Shtatë persona kandidojnë për PD-në në Primaret e Tiranës; Ardiana Kalaja, Belind Këlliçi, Gerti Bogdani, Fatmir Merkoçi, Ilirir Alimehmeti, Julian Deda dhe  Enkeleida Fejzo. Njëri prej tyre do jetë fitues i Primareve. Kandidaturat që pritet të hahen “kokë më kokë” janë Belind Këlliçi dhe doktori Ilir Alimehmeti. I pari është person i sprovuar në beteja elektorale, veçanërisht mes anëtarësisë, duke krijuar lobet e tij dhe fituar sa herë ka dashur të fitojë. Një rrymë e politikanit aktiv që njeh strukturat, tenton të bindë elektorat dhe krijon fabul edhe pa pasur material. Këlliçi përfshihet në formatin e politikanit që e gjen disi dendur në radhët e PS-së për nga mënyra e aksionit, por disi rrallë në PD-në tashmë të çarë e përçarë. Nëse beteja do ishte të çojmë gjithë anëtarësinë militanteske në zgjedhje, Këlliçi do ia dilte disi. Kjo nuk mjafton. Edhe pse një politikan i ri, vështirësia qëndron nëse bind apo jo elektoratin gri, që është më i madh në Tiranë. Aksioni, përballja, guximi “për të akuzuar”, apo forca për të kërkuar me ngulm, nuk ka shumë vlerë. Këlliçi është mjaftueshëm i ditur për të kuptuar se Tirana me angazhim mirëfilltas politik, PD e Berishës plus PL e Ilir Metës janë shumatore votash që e shumta të çojnë deri afër Sheshit Skënderbej, por kurrsesi në ngjitjen e pesë shkallëve të Bashkisë Tiranë. Brenda PD-së, Këlliçi është i qetë. Njeh bazën, kontrollon Furumin Rinor, lobon mjaftueshëm dhe mbi të gjitha edhe në distancë ndjen se doktori i madh me hijen e rëndë ka një vend “bosh” në çadrën e tij.

 

Në anën tjetër është doktori i mirë Ilir Alimehmeti.  I qetë, fort i përmbajtur në deklarata, vëshitrësisht i kapshëm në “lapsuse” që do përbënin lajme ditore dhe mbi të gjitha nuk ka një gisht të tregojë për përlyerje, diku në karrierën e tij si mjek, e aq më pak brenda partisë, ku fjalën lobim për një post apo pozicion e quan si një epidemi të butë, që nëse zgjat kthehet në “pandemi përçarëse”.  Alimehmeti ka avantazhet e tij të mëdha. Është individ i cili edhe pse vjen nga radhët e Këshillit Kombëtar të PD-së, nuk shpreh aksion militantesk. Gëzon mbështetjen e elektoratit gri që është i lodhur fort prej tre dekadash me akuzat e forta mes palëve të kundërta në bindje politike, që kur ua ka dashur nevoja, janë ulur për të ndarë pushtet dhe kryer marrëveshje të pashkruara mes korridoreve të errëta në lidhjen biznes-politikë. Termi “janë të gjithë njëlloj” nuk shkon për mjekun epidemiolog Ilir Alimehmeti. Nëse ai do fitonte në primare, atëherë i pari Veliaj dhe më pas Rama nuk do ndiheshin mirë. Në këtë pikë që është opozita vështirë është të thuash se Alimehmeti do fitonte përballë Veliajt, por është mëse me bazë të thuhet se ai do arrinte të merrte shumë më shumë vota se kushdo partiak i “regjur” brenda PD-së.  Vetë Veliaj apo Rama nuk do gjenin asnjë çengel ku të mbaheshin me akuza për kundërshtarin Alimehmeti. Të jesh anëtar i PD-së nuk është akuzë, t’i thuash “patericë” e Berishës as që ngjit për Alimehmetin. Ndaj, të ndodhur ngushtë, do tentonin të “shpiknin” insinuata fushatore që kanë rrezikun e madh që si Ramës ashtu edhe Veliajt mund t’i ktheheshin në të keq, pasi elektorati gri di të peshojë më mirë në kandarin e votave.  Socialistët ngado që ta kthenin Alimehmetin nuk do e donin përballë Veliajt. Po a e duan demokratët doktorin e mirë, kjo varet posaçërisht nga doktori i madh, kreu i PD-së Sali Berisha.

Lexo edhe :  Kur gënjen policia!

 

Doktori i madh me sytë nga Këlliçi

 

Është paradoks dhe një e vërtetë që nuk zhbëhet në PD. Berisha ka vetëm një votë për Primaret e Tiranës, por vota e tij “numërohet” me disa mijëra. Ai që do të jetë i përzgjedhuri i Berishës me shumë mundësi do jetë edhe kandidati fitues i Primareve në Tiranë. Deri më tani vota që qëndron në ajër fryn për anën e Këlliçit. Ky nuk është lajm i mirë për doktorin e mire, madje i keq për momentin, por po në favor të Alimehmetit në të ardhmen. Berishës i duhet një kandidat aksioni, që kur të vijë momenti që të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të jetë aty i gatshëm për të bërë beteja që shkojnë deri në mbushje sheshesh dhe pse jo akoma më larg në përplasje, sepse nëse krijohet bindja që vota është prekur, ose thjesht Berisha të bindë veten se vota u prek, protestat nuk do ndalen. Këtu mund të qëndrojë sekreti. PD kërkon të shkojë deri afër sheshit Skënderbej për të mos e lëshuar më, me bashkinë si preteks apo shkak me arsye, duke mos njohur zgjedhjet në Tiranë, në akuza për parregullsi, shit-blerje votash, përfshirjen e administratës bashkiake në zgjedhje, apo dukjen aty-këtu të elementëve të krimit përgjatë fushëtës ose në ditën e votimit. Edhe atëherë kur nuk ka lajm, lajmi bëhet dhe Këlliçi është njeriu i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur: Pikërisht në shesh në nisjen e protestave që kanë vetëm një qëllim: mosnjohjen e zgjedhjeve lokale në disa bashki me kërkesën për largimin e Ramës. Simpatia e Berishës për Këlliçin nuk është diçka e re. Në kohën kur Basha drejtonte partinë dhe i kishte marrëdhëniet e mira me doktorin e madh, tentoi të krijonte njerëzit e tij edhe në Furumin Rinor të PD-së. Kandidatët që u përballën në një zgjedhje vertetë të fortë ishin Ervin Salianji dhe Belind Këlliçi. Dukshëm në PD thuhej se Salianji ishte një prurje e Bashës, ndërsa Këlliçi edhe pse nuk e kishte shkelur shpesh zyrën e Berishës, kishte simpatinë e tij dhe kaq mjaftoi që Këlliçi të ishte në krye të FRPD-së dhe më pas drejt e në Parlament. Kthimi i nderit erdhi shpejt ku në përplasjen Berisha-Basha, kreu i FRPD-së tashmë edhe me mandat deputeti u afrua nga “Foltorja e Berishës”, duke qenë një prej personave kyç që siguroi një pjesëmarrje të madhe të anëtarësisë në Kuvendin Kombëtar të PD-së më 12 dhjetor të vitit të kaluar, ditë që Berisha zyrtarizoi rikthimin në krye të PD-së. Në politikë, aleancat dhe simpatitë njihen por brenda PD-së aktualisht është rasti që kandidatin që gëzon simpatinë e elektoratit gri dhe që mund të rrezikojë Veliajn nuk munden që ta përkrahin. Alimehmeti nuk do ishte në ballin e parë të protestave disi agresive edhe nëse mundej, qoftë edhe me pak vota diferencë. Kjo Berishës nuk i nevojitet, ndaj duket se sytë i ka hedhur nga “njeriu i aksionit” për të të krijuar një aksiomë në vijim, të cilat nuk kanë për qëllim vetëm marrjen e disa njësive lokale, por rënien nga froni të Ramës dhe pasardhësit të mundshëm të tij. Po sikur Alimehmeti të fitojë? Kjo fitore e madhe për opozitën do ishte “humbje” e rëndë për Berishën. Doktori i mirë nuk do qeveriste vetëm Tiranën, por me të drejtë një sy do e mbante nga selia e PD-së, që ulëret për reformin, bashkim dhe mbi të gjitha rënien e një miti si doktori i madh, për të rrëzuar me pas me fort lehtësi edhe mitin kundërshtar, Rama. Përfundimisht, Berishës i duhet një “xhol”, por opozitës një frymë e re.

Të fundit

Festat, Shqipëria tërheq të huajt: Shumë prenotime nga italianët dhe bullgarët

Këtë fundvit, Shqipëria është shndërruar në destinacionin e preferuar të italianëve dhe bullgarëve për të festuar Vitin e Ri. “Ka...

‘Çmendet’ moti/ Përmbytjet bëjnë ‘kërdinë’ në këtë vend, rrugët kthehen në lumenj

Stuhia e fortë ‘Elena’ bëri kërdinë në rrjetin rrugor të Atikës në ditën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor. Reshjet e rrëmbyeshme në zonën më të gjerë...

Sa kilogramë shtojmë gjatë festave të fundvitit?

Periudha e festave është kritike për ata që i druhen mbipeshës. Gjasat që njeriu ta teprojë me ushqimin gjatë ditëve të festave janë shumë...

7 këshilla për të rritur motivimin në 2025-ën!

Në 2025-ën kujdesuni që planet tuaja të jenë të qëndrueshme. Më poshtë gjeni disa këshilla që do t'ju ndihmojnë të arrini qëllimet tuaja! 1.Dëshira për...

Avokati paralajmëron padi të re ndaj Berishës: Falsifikoi datën e lindjes

Një tjetër kallëzim penal për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të përfundojë në SPAK. Është avokati Idajet Beqiri, i cili paralajmëron se do ka ‘kopsitur’...

Lajme të tjera

Web TV