Lajmi i fundit/ Ndërron jetë tragjikisht në fushë futbollisti 16-vjeçar i Trepça ’89

Një ngjarje e rëndë, por edhe e hidhur për futbollin kosovar ka ndodhur këtë të shtunë. Një lojtar junior i Trepça ’89 është ndar nga jeta në fushën e lojës të shtunën, në ndeshjen kundër A&N në Korishë të Prizrenit.

Talenti i madh i futbollit kosovar, Erion Kajtazi ka qenë duke luajtur në kuadër të Superligës në kategorinë e junior-ëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë.

Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.

Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak.

Lajmi për vdekjen e futbollistit në fjalë e konfirmoi edhe mjeku kujdestar i Emergjencës së Spitalit rajonal të Prizrenit.

“Urgjenca e ka sjellë atë pa shenja jete këtu në Emërgjencën e Spitalit të Prizrenit. E kemi kryer reanimin. Për fat të keq ka qenë i paskusshëshm. Pacienti ka ardhë pa shenja jete”, ka thënë për Nacionalen mjeku kujdestar në Emergjencen e Spitalit rajonal të Prizrenit, Hekuran Vegishti.