Arrestohet një polic i komisariatit të Cërrikut me akuzën e vjedhjes.
Drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan-Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan kryen arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” Inspektor G. N., 24 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi pranë Komisariatit të Policisë Cërrik.
Arrestimi i këtij shtetasi u krye në kushtet e flagrancës në kuadër të veprimeve procedurale të autorizuara nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në lidhje me kallëzimin e shtetasit S. K., me banim në Marinzë, Belsh, i cili në kallëzimin e tij pretendonte se gjatë një kontrolli të ushtruar pranë familjarëve të tij, më datë 20 dhjetor të këtij viti, këtij shtetasi i ishte vjedhur një shumë prej 30 mijë euro në ambjentet e jashtme të banesës në pronësi të tij.
Në lidhje me këtë ngjarje dhe si rezultat i punës hetimore të pandërprerë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë inspektor G. N.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i shumës prej 30 mijë euro që ky punonjës policie ia kishte vjedhur shtetasit S. K.