Alibeaj përjashtoi 4 deputetë nga grupi parlamentar, Paloka: Po bashkëpunon me Ramën

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi e ka ironizuar vendimin e Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar 4 kolegë demokratë nga grupi parlamentar.

Në një prononcim për mediat, Këlliçi tha se këto vendime janë të ngjashme me ato të komisionit të dëbimit dhe internimeve në kohën e komunizmit.

Sipas Këlliçit, një vendim i tillë është qesharak dhe ka ardhur në një moment të tillë kur PD-ja ka denoncuar një tender të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Këlliçi: Unë nuk e kam bërë këtë autokritikë që ka kërkuar shoku Enkelejd Alibeaj, ndaj gjykoj që komisioni i dëbim internimeve që ka ngritur ai në mendjen e tij paska vendosur të marrë këtë hap totalisht qesharak. Në vend që sot të të ishim  emisione dhe të flitej për faktin që e dërguam në SPAK Veliajn, vijmë për shkak të kësaj manovre të Alibeaj, që vetëm opozitarizmit nuk i shërben.

Në anën tjetër, deputeti Edi Paloka e quan një vendim të turpshëm teksa për Enkeljd Alibeajn tha se është mungesë dinjiteti.

Për deputetin demokrat, ky akt “çorri” maskën e Alibeajt dhe tregoi se po bashkëpunon me Edi Ramën.

Paloka: Është akt mëse i turpshëm, me mungesë dinjiteti nga ai zotëria, por politikisht është heqja e maskave, sepse ai tregoi se është në bashkëpunim me Ramën. Ai mund të vijë një ditë dhe të përjashtojë të gjithë deputetë dhe Rama të vazhdojë lojën me të.

Ferdinand Xhaferaj, i cili nuk është deklaruar si mbështetës i Berishës, shprehet se vendimi për përjashtimin e 4 deputetëve është një maskarade.

Xhaferraj: Jam informuar në media, kjo tregon për maskaradën e dimensionit demokratik që ka kjo vendimmarrje, unë jam marrë dhe do vazhdojë të merrem me qeverinë, ka dhe kolegë të tjerë brenda opozitës. Asnjëherë nuk kam votuar për përjashtim kolegësh.