Audio e 21 janarit, grupi hetimor në shtëpinë e familjarëve të Aleks Nikës!

Prokuroria e Tiranës vijon hetimet në lidhje me audion e pretenduar për komunikimin e gardistëve më 21 janar 2011.

Sipas Report TV,  raportohet se OPGJ e Tiranës ka shkuar në shtëpinë e Aleks Nikës në Lezhë për të marrë ne pyetje babain dhe xhaxhain e tij…

Aleks Nika u vra më 21 janar, por familjarët ende kërkojnë drejtësi. Xhaxhai i tij, Mark Nika konfirmoi për Report Tv se ditën e sotme ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Altin Dumanin, të cilit i ka kërkuar që çështjen ta marrë Prokuroria e Posaçme.

Në një bisedë ekskluzive për Report Tv, Mark Nika, tha se që prej muajit korrik 2022 ka në dorë audio-përgjimin, në të cilin ai thotë se është komunikimi mes gardistëve në momentin që ata hapën zjarr drejt protestuesve më 21 janar. Mark Nika thotë se e ka audio-përgjim, por sot nuk ia ka dorëzuar atë kreut të SPAK. Ai këmbëngul se nuk do ta dorëzojë audio-përgjimin nëse kjo çështje nuk i kalon SPAK, pasi nuk ka besim tek Prokuroria e Tiranës. Ndërkohë, Mark Nika bën me dije se është ai që ia ka dhënë audio-përgjimin gazetarit Artan Hoxha.