Partia Demokratike mban sot protestën përpara kryeministrisë, për atë që e quan si skandalin me të madh të dekadave të fundit, çështjen Rama-McGonigal. Cilët pritet të jenë skenarët, nga përplasjet, deri në vendimin për të mbajtur protestë pa afat përpara kryeministrisë.
Opozita do të dalë sot në mesditë në Bulevard për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Opozita e thirri këtë protestë pas asaj që e konsideron si skandalin e madh të çështjes Rama-McGonigal. Kryeministri Edi Rama është takuar katër herë me ish-agjentin e lartë të FBI-së, i cili është arrestuar dhe po procedohet në SHBA për akuzën e lidhjeve me oligarkët rusë dhe korrupsion. Pikërisht këtë kauz e ka marrë në duar kreu i PD-së Sali Berisha ku çdo ditë në daljet publike që pas shpërthimit të skandalin në SHBA ka hedhur akuza të forta kundër kryeministrit Edi Rama. Protesta e sotme duket se nuk do të jetë si herët e tjera, pasi nuk prjashtohen përplasjet dhe sulmet me vëzë domatë apo edhe gurë ndaj godinës së kryeministrisë. Përfaqësues të PD-së shprehen se “fati i protestës do të jetë në duart e qytetarëve”,cdka i lë mundësinë edhe një revonte deri në demonstrim force. Gjithsesi edhe vetë organizatorët do të vendosin për ecurine e protestës pasi të shohin pjesëmarrjen e qytetarëve. Nëse pjesëmarrja do jetë e lartë opozita nuk përjashton mundësinë që të ngulet në shshin para kryeministrisë në një protestë pa afat, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Për ti pararirë mbarëvajtjes së protestës, disa rrugë të kryeqytetit do të jenë të bllokuara për qarkullim. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bën të ditur se, duke filluar nga ora 06:00 e së shtunë nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Po ashtu, njoftohet se në këto rrugë do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e së shtunës deri në përfundim të tubimit. Më herët gjatë ditës së djeshme, në konferencën e përbashkët me gazetarët, kreu i demokratëve Sali Berisha u shpreh ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po e presin me interes të madh këtë protestë. Kryedemokrati u shpreh po ashtu se kjo është një protestë me të cilën shqiptarët do t’i përgjigjen “flakë për flakë” asaj që ai e quajti “Ëatergate” i shekullit të XXI-të, “njërit prej skandaleve më të mëdha.” “Protesta e ditës së nesërme, thirrja e saj ka një impakt të jashtëzakonshëm te qytetarët shqiptarë dhe pritet me një interes të madh në mbarë botë. Mund t’u them se kjo është protesta, në të gjithë memorien time që ka zgjuar interesin më të gjallë, jo vetëm në Shqipëri, ku në të gjitha qytetet, fshatrat, rrugicat, rrugët, kafenetë, klubet, restorantet nuk flitet për gjë tjetër veç se për këtë protestë, por interes të madh në mbarë botën, veçanërisht në SHBA dhe vendet e Evropës. Kjo është një protestë me të cilën shqiptarët i përgjigjen flakë për flakë, “Ëatergatit” të shekullit të 21, njërit prej skandaleve më të mëdha të kohërave, reagojnë për largimin e kryeministrit i cili për karrigen e tij nuk ngurroi të korruptojë dhe ta përdorë si vrasës me pagesë, zbuluesin, ndoshta më të rëndësishëm të planetit”, është shprehur Berisha.
Alibeaj “nuk pranohet”
Çështja McGonigal ishte e vetmja ‘betejë politike’ që deri më tani kishte bashkuar dy kampet e Partisë Demokratike. Po kjo nuk do të thotë se këta do i bashkohen protestës së thirrur nga Sali Berisha dhe të mbështetur fort nga Partia e Lirisë. Pra disa deputetë nga ana e Enkeljd Alibeajt nuk do të marrin pjesë në protestën, ata kanë vendosur që sulmin ndaj Ramës ta bëjnë vetëm me deklarata dhe në Parlament. Një pjesë e deputetëve të grupit të Enkelejd Alibeajt kishin deklaruar se do të merrnin pjesë në protestë për shkak të skandalit me agjentin e FBI-së, por qëndrimi i Sali Berishës ditën e djeshme ka tërhequr nga kjo lëvizje tre deputetë. Berisha tha se nuk do të pranohet Enkelejd Alibeaj në protestë. Deputetët që nuk do të marrin pjesë në protestë janë Ferdinant Xhaferraj, Agron Gjekmarkaj dhe Kreshnik Çollakun. Masat janë marrë nga policia dhe janë rritur elemntët e sigurisë duke marrë parasysh ngjarjen që u shënua në protestën e 6 dhjetorit 2022.
Ilir Meta
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa pohoi se sot në shesh do jetë populli i Shqipërisë. Meta në një deklaratë për mediat theksoi se nesër do të flasë populli dhe të gjithë duhet t’i binden atij. “Jam i bindur se populli do të jetë nesër në shesh për të kërkuar llogari. Edi Rama më mirë se kushdo tjetër e ka shumë të qartë se llogaridhënies nuk i shmanget pasi populli i Shqipërisë nuk do të lejojë askënd të luajë me fatet e tij. Fshehja e dëshperuar e Edi Ramës me javë të tëra dhe shmangja e llogaridhënies dhe transparencës përpara parlamentit me shpresën e mjerë se mund të kalojë situatën janë thjesht një iluzion i një të mbyturi që kapet pas fijes së barit. Populli është vetëm ai që jep pushtet por edhe ja heq pushtetin atij, që e përdor vetëm për të grabitur paratë e popullit dhe për të shitur interesat e tij. Populli i Shqipërisë jam i bindur se e ka marrë vendimin. Ai s’mund të lejojë kurrë që Edi Rama të vazhdojë të trajtojë zyrën e kryeministrit si një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Populli s’mund të lejojë kurrë që zyra e kryeministrit të përdoret për korrupsion politik dhe financiar pa fre, në vend që duhet t’i jepte zgjidhje shqiptarëve për të luftuar varfërinë dhe papunësinë”, është shprehur Meta.