Ruaj, të të ruajë: Domosdoshmëria e kujdesit ndaj vetes

Nga Rudina Koromani

Ashtu si gjatësia apo numri këmbës, edhe numri i viteve është një fakt i pandryshueshëm për secilin nga ne, por ajo që bën diferencën duket se është cilësia e kujdesit ndaj vetes, sa kujdesemi për veten, si dhe mënyra subjektive sesi ndihemi, çka shpjegon faktin se pse  disa  njerëz duken më të vjetër apo më të rinj nga sa janë në të vërtetë.

Sipas studimeve (Yannick S., et.al, 2018) mosha subjektive e të ndjerit më i ri nga mosha kronologjike reale ka një impakt të drejtpërdrejtë në mirëqënien tonë fizike e psikologjike e rrjedhimisht shoqërohet me më pak problematika shëndetësore. Janë një sërë faktorësh biologjikë, psikologjikë dhe socialë që formojnë përvojën tonë individuale moshore, që ndikojnë në mënyrën sesi dhe sa dukemi si dhe mënyrën sesi ndihemi.

Për këtë arsye, shumë studime të viteve të fundit janë të fokusuara në hetimin dhe gjetjen e faktorëve që ndikojnë në përvojën individuale të plakjes dhe sesi kjo njohuri mund të na ndihmojë të jetojmë një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.

Ka shumë arsye pse mosha subjektive na tregon kaq shumë për shëndetin tonë, siç është rasti i individëve që vendosin të ndryshojnë tërësisht stilin e tyre automatik të jetesës (punë-shtëpi-punë) përmes aktivizimit në një hobi apo duke zgjedhur të udhëtojnë.

Studimet tregojnë se mekanizmi që lidh mirëqenien fizike dhe mendore me moshën subjektive vepron në një rreth vicioz vice versa: nëse dikush ndihet i dëshpëruar, i harruar, i braktisur dhe fizikisht i rriskuar, ka të ngjarë të ndihet më i vjetër. Si pasojë, kjo gjendje i përkeqëson  faktorët psikologjikë dhe fiziologjikë personalë që  kontribuojnë në një moshë më të lartë subjektive dhe në shëndet më të keq të tij… gjë që e bën të ndihet edhe më i moshuar por edhe më i prekshëm fizikisht.

E thënë ndryshe: fakti, që mosha subjektive mund të parashikojë më mirë shëndetin tonë sesa data në certifikatën tonë të lindjes, thekson rëndësinë e faktorëve psikologjikë mbi mënyrën sesa të rinj dukemi dhe ndihemi. Prandaj, investimi në kujdesin ndaj vetes nuk është asnjëherë i tepruar.

Çfarë mund të bëjmë më shumë?

 

 Ruaje veten që të të ruajë…

Para dy dekadash, taksisti grek nga Selaniku, Grigorios Sahinidis i habiti të gjithë teksa tregonte makinën e tij Benz, prodhim i ’76-ës,  me 4.6 mln km.  Lajmi impresionoi edhe vetë kompaninë prodhuese Mercedes e cila e ribleu makinën duke e vendosur në muzeumin e Shtutgart, pasi kishte thyer rekordin botëror për kilometrat e përshkuar për çdo lloj makine në planet. Arsyeja e kësaj jetëgjatësie të pazakontë të makinës doli se ishte për shkak të mirëmbajtjes së mirë të makinës nga Grigorios, i cili për dekada ishte kujdesur duke i bërë shërbime të vazhdueshme mekanike.

Edhe për individin, mekanizmi i jetëgjatësië, si nga pikpamja fizike, mendore dhe emocionale, është deri diku i njëjtë. Sa më shumë të  kujdesemi për veten, duke respektuar balancat dhe duke ruajtur ekuelibrat e kufijtë tonë personalë aq më shumë shumë ky kujdes do të reflektohet në mirëqënien tonë dhe në vetperceptimin e një moshe më të re subjektive.

Por për të qënë realë, kur flasim për individin, çështja nuk është aq e lehtë sa duken shërbimet e makinës, teksa marrim parasysh unikalitetin ADN-së njerëzore, tiparet autentike personale, stresorët që i kemi dhe nuk i kemi në kontroll, faktorët socialë që janë të ndryshëm nga individi në individ e deri tek faktorët shëndetësorë e psikologjikë që variojnë nga individi në individ për shkak të vendit, statusit, moshës, kulturës etj.

Lexo edhe :  Berisha nën akuzë penale, shenjat janë që do dënohet për korrupsion

E megjithatë, përtej kompleksitetit njerëzor, kujdesi për veten duket se mbetet themelore për secilin prej nesh për të patur një jetëgjatësi sa më të shëndetshme e për tu dukur gjithmonë të rinj.

Kujdesi për veten fillon që nga mirëushqyerja, gjumi dhe pushimi i mjaftueshëm, aktiviteti fizik, dhënia kohë vetes dhe shoqërisë për të kaluar momente argëtuese  e deri në menaxhimin e mirë të stresit.

Oksigjenimi me ajër  ajër të pastër, shpenzimi i kohës cilësore me dikë personalisht versus përdorimit të teknologjisë për t’u lidhur me ta, përkushtim ndaj një hobi apo një aktiviteti, zgjedhja sfiduese për të mësuar një aftësi të re: rrisin miqënien fizike e psikologjike, përmirësojnë gjëndjet e mira të humorit, nivelin tonë të përqëndrimit dhe rrisin besimin për të qenë në gjendje të përballemi me situata, njerëz dhe sfida të reja.

Shmangnia e situatave të panevojshme stresuese, me përjashtim të rasteve kur nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të përballemi me ngjarjen ose personin që  shkakton stres, është një formë kujdesi për veten. Në disa raste, shmangia e situatave që gjenerojnë stres mund të funksionojë, por rekomandimet e specialistëve të fushës sygjerojnë se duhet të dimë se kur të shmangemi dhe kur të përballemi përmes strategjive të duhura për të menaxhuar stresin ; një bisedë me një mik, besim në vetvete, rivlerësim dhe riinterpretim të situatës që na shqetëson, fokusimin në të tashmen, shëtitje, dëgjimin e një muzike relaksuese, stërvitje fizike etj.

Identifikimi i pikave tuaja të forta, dobësive dhe kufijve tuaj do ju ndihmojë të mos ngarkoni veten më shumë seç mbani. Dhe së fundi, mos harroni emocionet tuaja: emocionet e menaxhuara keq ose të parregulluara mund të jenë të dëmshme për shëndetin tuaj mendor.

Mosshprehja  e emocioneve përgjithësisht  çon në simptoma të çrregullimeve të humorit dhe ankthit. Çdo emocion është i rëndësishëm dhe thelbësor. Ajo që e bën atë të shëndetshëm ose jo të shëndetshëm është intensiteti i përvojës dhe mënyra se si e shprehim (shumë ose shumë pak), përshtatshmëria e shprehjes dhe shpeshtësia e shfaqjes së emocioneve.

Kërkoni ndihmë kur ndiheni të dërrmuar, të trishtuar, të sfiduar, të frustruar, të hutuar, të zemëruar ose thjesht të mbingarkuar dhe të paaftë për t’ia dalë mbanë. Flisni me dikë që keni besim; një bashkëshort, mik, prind, vëlla apo të afërm. Nëse mendoni se keni nevojë për më shumë ndihmë –  kontaktoni një specialist të shëndetit mendor apo fizik.

Të gjitha këto duken shumë impenjative , por kush dëshiron moshë më të re subjektive e të shënojë më shumë kilometra ja arrin, ashtu sikurse Grigorios që vendosi rekorde me Benzin e tij.

“Kujdesuni për trupin tuaj. Është i vetmi vend që keni për të jetuar.” – Jim Rohn

Përgatiti Rudina Koromani

Psikologe Klinke