Protesta/ Berishizmi “bëhet” Gandizëm, gati për mosbindje civile

Kreu i PD-së Sali Berisha është shprehur dje se protesta e opozitës do të shkojë deri në “mosbindje civile”. Sipas tij, duhen protesta të vendosura për të larguar kryeministrin Edi Rama.

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk heq dorë nga asnjë mënyrë për të rrëzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Pas skandalit “Rama’McGonigal”, kreu i opozitës u shpreh për “revolucion demokratik paqësor”, ndërsa theksoi se do të përdorë çdo formë demokratike për largimin e Ramës. Tashmë duket se ka kaluar një hap më tej, teksa dje në takimin me drejtues politik të Partisë Demokratike këtë të hënë, Sali Berisha u shpreh se sakrifica më të mëdha presin demokratët në vijim. Ai theksoi se mosbindja civile është element thelbësor i revolucionit paqësor. “Revolucioni paqësor nuk është vetëm revolucion i protestave paqësore. Është revolucion i mosbindjes civile para të gjithash. Ne duhet të përgatitemi. Mosbindja civile është element thelbësor i revolucionit paqësor. E ka thënë Mahatma Gandi: është e shenjtë!”, është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha. Ai tha se pjesa më e madhe e shqiptarëve e urrejnë Edi Ramanë, ndaj shqiptarët duhet të dalin në protestë. “Ne kemi një përqindje shumë të madhe të popullatës që e urren Edi Ramën, kemi një përqindje që na përgjigjet, del në protestë. Por pjesa tjetër kërkon të shohë shembuj të tjerë te ne”, tha ai. Berisha ju kthye 32 viteve më parë, kur shqiptarët rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës. “Nëse nuk rrëzohej shtatorja e Enver Hoxhës, të harroni se do fitonim zgjedhjet më 22 mars. Pra, duhet të japim mesazhe shumë të qarta anëtarësisë sonë, demokratëve tanë, që sakrificat më të mëdha na presin përpara nëse qëndrojmë të vendosur për të përmbushur misionin tonë. Ndaj dhe duhet të ndërmarrim një debat intensiv me anëtarësinë tonë, duhet të ndërmarrim një debat intensiv me mbështetësit tanë, duhet të ndërmarrim një debat intensiv me qytetarët.Duhet krijuar një situatë e përgjithshme proteste, revolte, reagimesh”, tha Berisha. Më tej, kreu demokrat u shpreh se Edi Rama nuk largohet me votë. “Nuk mund të ecet kurrë ‘business as usual’. Regjimi nuk rrëzohet. Është e domosdoshme që kryetarë grupesh të organizojnë mbledhjet në kryesitë e degëve, në aktivët e degëve, në takime intensive të hapura me qytetarët. Thashë dhe njëherë, kam mirëkuptim për të gjithë ata që e shohin me skepticizëm revolucionin, për të gjithë ata që ky term u duket i largët ose joreal. Por kur shoh vendin tim, që rrokulliset dhe shuhet në këtë mënyrë, secili duhet t’i shtrojë pyetjen vetes: si mund ta shpëtojë? Mund ta shpëtojmë vetëm duke u bashkuar. Ky regjim nuk ikën ndryshe. Nëse ndonjë mendon se ky ikën me votë, personalisht nuk besoj se ikën me votë. Çdo ditë tregon se ky shtetin mafioz po e shndërron gjithnjë e më shumë në makineri mafioze elektorale. Njerëzit na mbështesin! Protesta të tilla nuk ka parë Shqipëria. Do të doja që këtë diskutim ta kemi të lirë, ndaj dhe mediat të na falin se ky është një takim pune me të cilin ne duhet të debatojmë lirshëm për të arritur në përfundime sa më të drejta, sa më të sakta”, tha Berisha. Pas deklaratës Berisha mblodhi në seli drejtuesit politik të PD ku foli për përgatitje të mosbindjes civile.
Shpresë tek 3 marsi
Më tre mars do të ketë protestë mbarë popullore, por ndërkohë në Gjykatën e Apelit do të jepet dhe vendimi se kujt i takon Partia Demokratike. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë me dije se nga mbledhja e drejtuesve politikë të PD-së bëjnë të ditur se protesta e 3 marsit do mbahet para Kryeministrisë në orën 12:00. Berisha qartësoi se protesta kombëtare që do të mbahet nga PD në 3 Mars, ditën kur Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë vlefshmërinë e vendimit të shkallës së parë që miratoi vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. “Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim. PD e ka vendimin e gjykatës”, deklaroi Berisha disa ditë më parë.

Lexo edhe :  Ermal Hasimja reagon menjëherë: "Faleminderit, por deri tani askush..."

Berisha: Pa 20 shkurt, nuk
do të trumfonte demokracia

32-vjetori i rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha e gjen Partinë Demokratike me thirrjen për një tjetër revolucion që synon largimin e asaj që opozita e cilëson regjimi i Edi Ramës. Në një deklaratë për mediat kreu demokrat Sali Berisha shprehu mirënjohjet për ata që kontribuuan në rënien e sistemit komunist si dhe premtoi se forca politike që ai drejton do të ridimensionojnë historinë e komunizmit. “Jam këtu para jush për t’u përulur me nderimin më të thellë, ndaj dhjetëra e dhjetëra e mijëra burra, grave dhe të rinjve, të moshuarve, martirëve të lirisë që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në burgjet e përqendrimit të diktaturës komuniste. Në këtë kontekst garantoj se PD do bëjë gjithçka për një ridimensionim të plotë të të vërtetave historike të këtij vendi”, deklaroi ai. Duke e quajtur kreun e qeverisë fatkeqësi kombëtare, Berisha e cilësoi 20 shkurtin e vitit 1991 frymëzim për betejën e nisur kundër kryeministrit Edi Rama.