Kreu i PD-së Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj zyrtarëve amerikanë, Ramës dhe Bashës, duke i cilësuar si “bashkëpunëtorë” në trysninë mbi biznesmenët që sipas tij i kërcënuan me shpallje “non grata”. Akuzat më të rënda ia adreson ambasadores aktuale amerikane, Yuri Kim, për të cilën tha se duhet ta hetojë FBI dhe Kongresi Amerikan.
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar kongresit amerikan të hetojë Yuri Kim sa i takon marrëdhënies së drejtëpërdrejtë Rama- MeGonigal. Ambasadorja në ikje Yuri Kim nuk ka folur në asnjë moment për këtë çështje shqiptaro-amerikane, edhe pse në çdo situatë politike ka mbajtur qëndrimet e saj. Madje, përveç statusit “non grata” që ju dha ish-kryeministrit Berisha, Kim mbajti edhe një qëndrim të ashpër ndaj Berishës në Partinë Demokratike. Edhe me mllefin personal duke e quajtur edhe “Guvernatore”, Berisha ngre akuza se SHBA duhet të hetojë punën e Kim në Shqipëri. “E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista me të ‘blacklistuar’ dhe përgojoheshin emra: Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me ‘blacklistim’ nëse mbështesin Sali Berishën. Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i gjobitur ata në mënyrën më antinjerëzore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim”-thotë Berisha. Kreu i PD-së nuk mjaftohet vetëm me akuzat ndaj ambasadores në ikje, por lëshon edhe një deklaratë të fortë, për të vendosur në lëvizje institucionet amerikane që ta hetojnë. “I bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat. I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare. I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme. Sepse në këtë mënyrë do të mund të merren të gjitha masat, do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit. Nëse Agron Neza dhe Dorian Duçka gjobitën një seri biznesmenësh, atë e bënë në emër të FBI-së”, është shprehu Sali Berisha gjatë një komunikimi me median. Ai tha se do të japë kontributin e nevojshëm për këtë hetim, ndërsa theksoi se komisioni hetimor do të krijohet me apo pa dëshirën e Edi Ramës. “Ne do kontribojmë, do përpiqemi. Komisioni hetimor do krijohet do apo nuk do Edi Rama”, tha Berisha. Çështja MeGonigal një çështje amerikane, e cila u bë edhe shqiptare në momentin që në aktakuzë u përmend emri i kryeministrit shqiptar Edi Rama. Jo një herë, por 14 herë është përmendur emri i kryeministrit të Shqipërisë. Të gjithë folën për këtë çështje përveç ambasadores Yuri Kim dhe personit ndërmjetës Dorian Duçka.