Greqia nuk ndryshon qëndrim për Kosovën, vijon mos të njohë pavarësinë

Qëndrimi i Greqisë lidhur me shtetësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar, deklaroi presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, gjatë vizitës në Beograd më 28 mars.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë”, tha Sakellaropoulou pas takimit të saj me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo gjithashtu theksoi se Greqia e mirëpret Aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në zbatimin e marrëveshjes”, shtoi ajo.