Zhgënjim i madh, Kosova del me një pikë në sfidën ndaj Andorrës

Tjetër barazim për Kosovën në grupin I të eliminatoreve të Euro 2024. Sërish me rezultatin 1-1 si në Izrael. Dardanët gabuan në “Fadil Vokrri” përballë Andorrës, sfidë që duhej fituar me çdo kusht.

Djemtë e Alain Giresse bënë pak për të mbërritur te fitorja, pavarësisht dëshirës. Kosova zhvilloi një lojë të vakët dhe mori vetëm një pikë. Edon Zhegrova zhbllokoi takimin pas një “shpërthimi” në minutën e 59’.

Asist i bukur i Milot Rashicës dhe finalizim i sulmuesit të Lille. Festa në stadium zgjati vetëm dy minuta, pasi Berto Rosas përfitoi nga pasiguria e lojtarëve vendas dhe barazoi takimin. Kosova u hodh në sulm, pretendoi në 3 raste për penallti, por nuk ia doli të gjente golin e fitores.