Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela u ka kërkuar prokurorëve të rretheve që të kenë prioritet kallëzimet që kanë të bëjnë për krimet zgjedhore. Edhe ambasadorja në ikje Yuri Kim kërkoi vëmendje nga institucionet hetimore të jenë vigjilent në rastet e cënimit të votave
Vetëm një muaj na ndajnë nga zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese po bëhen më vigjilente për të ndjekur procesin nga afër. Edhe Prokuroria e Përgjithëshme ju ka kërkuar prokurorëve të rretheve që të merren posaçërisht me çështjet që kanë lidhje me blerjen e votave apo cënim të votës së lirë para dhe pas zgjedhjeve. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, nxori një qarkore për prokuroritë e rretheve, ku kërkon marrjen e masave për gatishmëri për periudhën para dhe paszgjedhore të 14 majit. Çela i kërkon drejtuesve të prokurorive dhe prokurorëve të trajtojnë më prioritet dhe në afate optimale çdo referim apo kallëzim për veprat penale që cenojnë zgjedhjet e lira. Sipas qarkores, në rastet e kërkesave për masa sigurimi personal dhe për masat e dënimit, prokurorët duhet të bëjnë kujdes dhe të vlerësojnë ashpërsimin e kërkimeve për veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë më të përhapura dhe me tendencë në rritje në shkallë vendi, apo në njësitë administrative përkatëse. “Drejtuesit e prokurorive dhe prokurorët duhet të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate optimale, çdo referim dhe/ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor, për kryerjen e hetimeve proaktive, dhe/ose përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit sipas ligjit, si dhe rritjen e intensitetit të hetimeve për këto grupvepra penale”, thuhet në dokument. Po ashtu, kryeprokurori udhëzon krijimin e një rubrike në faqen në ëeb të Prokurorisë së Përgjithshme për të ftuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit në lidhje me procesin zgjedhor. Një detyrë e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me institucionet. “Ndërkohë, struktura përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtuesit e prokurorive e prokurori për marrëdhëniet me publikun ne secilën prokurori, marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar dhe shkëmbyer informacione dhe dërgimin Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin për median. Këto masa janë marrë edhe më përpara nga institucionet ligjzbatuese por përfundimet nuk kanë qenë në favor të “votës së lirë”. Megjithatë ky reagim vjen edhe si pasojë e “presioneve” të bëra nga faktori ndërkombëtar i cili kërkon mos cënimin e votës së lirë. Vetëm pak ditë më parë, ambasasorja në ikje e Shteteve të Bashkkuara të Amerikës Yuri Kim ka këkruar nga forcat politike që të kenë kujdes me cënimin e votës së lirë, ndërsa kërkoi nga institucionet ligjzbatuese që të ishin vigjilentë dhe të ritinin rendimentin në punë. Kim u takua ditë më parë me drejtues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve në mënyrë të ndershme, transparente dhe të rregullt, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare. Ajo iu kujtoi atyre vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it. Në një reagim në Facebook të Yuri Kim thuhet se: “Për shembull, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, rekomandimet e ODIHR përfshinin si më poshtë: Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet. Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni”, ka shkruar Yuri Kim.