Presidenti amerikan ndaloi fqinjëve agresivë të Shqipërisë dhe i preu rrugën çdo ambicioni për copëtim
Nga Nesip Kaçi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Udrou Uillson, lindi më 28 dhjetor 1856 në Staunton – Virginia SHBA dhe vdiq më 3 shkurt 1924 në Vashington (D.C.). Ai ishte fëmija i tretë i një udhëheqësi fetar presbiterian. I ati i tij ishte me prejardhje skoceze – irlandez, vendosur në Shtetet e Bashkuara më 1807.
Uillson studioi në shtëpi nën drejtimin e atit të tij dhe mori mësime në një shkollë të vogël në Augusta. Ai mori pjesë në Davidson Kolegj në Karolinën e Veriut për vitin shkollor 1873-1874 dhe ishte aktiv në shoqërinë amerikane universitare Lliberal-Clisofok. Pas diplomimit në Universitetin e Princenton-it (më pas në Kolegjin e New Jersit) dhe në Universitetin Drejtësisë në Virginia, Uillson fitoi doktoraturën në Universitetin Johns Hopkins dhe hyri në karierë avokat dhe akademik. Pasi kreu studimet, Uillson mori disa diploma universitare. Në vitin 1885 ai u martua me Ellen Louise Axson. Uillson përparoi shpejt si një profesor i ri për shkencat politike, më 1890 ai erdhi profesor i jurisprudencës dhe më pas u bë president i Universitetit Princenton në vitin 1902, post që e mbajti deri më 1910, kur ai u zgjodh guvernator i shtetit të New Jersit. Pas 16 vjetësh në pushtetin republikan, një post ku epiteti i politikanit, me kalimin e kohës, fishket e venitet. Ai në aktivitetin e tij në Partinë Demokrate fitoi reputacion të veçantë si një lider progresiv dhe e paraqiti veten si përfaqësues personal i njerëzve të popullit.
Më 7 nëntor 1912, në moshëm 56 vjeç, Doktor Udrou Uillson, si udhëheqës i Lëvizjes për Progres, zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më 4 mars 1913 u fut në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i 28 i saj për dy mandate, ku paraqiti një program për reforma progresive dhe kërkoi lidershipin ndërkombëtar për ndërtimin e një rendi të ri botëror.
Thatim, por deri në vitin 1906 Uillson kishte shëndet të mire, por se, në muajin maj të atij viti, ai pësoi një goditje në zemër, që do të ishte një shqetësim shëndetsor gjatë gjithë jetës së tij. I mirësjellur dhe i mirëpritur me njerzit, me titullin shkencor Doktor në Drejtësi, Uillson jepte përshtypjen e një ithtari dhe përkrahës i paanësisë së qetë të drejtësisë, me një karakter dhe vullnet të pamposhtur dhe të paepur. Me këto të dhëna dhe cilësi njerëzore më 9 nëntor 1916 Uillson u rizgjodh President i Shteteve të Bashkuara me një rezultat të thellë. Republikanët nuk e fituan shumicën ndaj demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe as në Senat, ku partia e zotit Uillson ruajti shumicën me rezultatin 7 me 2 vota respektive.
Udrou Uillson dhe Bill Klinton konsiderohen sot si presidentët amerikanë më popullorë mes shqiptarëve: Uillson për mbrojtjen e Shqipërisë në fillim të shekullit të 20-ë dhe Klinton për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës në fund të po atij shekulli.
Presidenti Uillson ishte mbrojtësi më i flaktë i Shqipërisë dhe i çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kur Greqia, Serbia, Italia dhe Franca e disa vende të tjera ishin të gatshme për coptimin e Shqipërisë, për ta ndarë mes aleatëve fitues të luftës dhe për të krijuar një minishtet në Shqipërinë e Mesme nën sundimin e Esat Pashë Toptanit. Por ishte një fat i madh që Uillsoni ishte president në këtë periudhë historike, që i preu rrugën çdo ambicioni për copëtimin e Shqipërisë, që siç shkruante Faik Konica:” Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej medoemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi, por pa e pritur ngjau dhe kjo e papritur, që erdhi nga qëndrimi thellësisht parimor i presidentit Udrou Uillson”, që rroftë për jetë kujtimi dhe vepra e tij ne mbrojtje te Shqipërisë.
Shqipëtarët kanë qënë për vite populli më i kërcënuar në Ballkanin Perëndimor, po si ndodhi që krerët e shtetit më të madh të botës të investoheshin kaq shumë për një popull prej një million shqiptarësh, historia e të cilëve, me përjashtim të kohës së Skënderbeut, nuk i kishte kapërcyer ndonjëherë kufijtë ballkanikë. Çfarë gjurmësh janë lënë në dokumentacionin historik për të spjeguar këtë afeksion të habitshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët? Përmes dokumenteve që shfaqen për herë të parë, pikërisht këtyre pyetjeve u jep përgjigje dokumentari më i ri i ciklit Abc Story dhe më saktë abc.new.al .
Roli i Uillson-it në pavarësinë e Shqipërisë filloi kur ai paraqiti parimin e vetvendosjes së popujve. Uillson i fitoi zgjedhjet presideciale në Shtetet e Bashkuara tre javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë më 28 nëntor të vitit 1912. Parimi i Uillson-it i vetvendosjes së popujve ishte një refuzim dhe kundërshti m i vendosur i planeve ogurzeza të Fuqive të Mëdha Europiane për copëtimin dhe ndarjen e Shqipërisë dhe i siguroi atij një vend nderi në historinë shqiptare por edhe në atë botërore. Vizioni i presidentit Uillson për botën, roli i shqiptaro-amerkanëve dhe rrethanat historike, kontribuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë dhe moscopëtimin e mëtejshëm të saj.
Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore në vitet 1919-1920 dhe vendimit të Uillson-it për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rjedhja e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që kemi sot. Një pjesë e fatit të Shqipërisë u mbrojt kur presidenti Uillson paraqiti hapur parimin e vetvendosjes së popujve dhe kombeve në Konferencën e Paqes në Paris, që sipas historianit Bern Fischer ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij 14 pikësh, sipas së cilit kufijtë nuk mund të caktoheshin më mbi bazën e politikës së Fuqive të Mëdha Europiane nga ”pozitat e forcës” . Uillson i tha Stop kësaj politike pa parime dhe diplomacisë të saj agresive . Në Konferencën e Parisit për Paqe, fuqitë eurpoiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale por presidenti Uillson në diskutimet e tij, e hodhi poshtë idenë e “aleancave secrete” dhe fjala e tij zuri vend.. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte dhe e ashtuquajtura Tritoni-Venizellos e vitit 1919, ku Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë, Italisë i jepej mandati për Vlorën me rrethina dhe Sazanin, ndërsa Greqia të merrte Gjirokastrën dhe territorin për reth, por jo Korçën, se pas saj ishte Franca. Më 6 mars presidenti Uillson i hodhi poshtë me forcë këto kërkesa të fqinjëve të Shqipërisë dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte më e hapur për diskutim, fati i saj do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes. Me që amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të Luftës së Parë Botërore, fjala e Uillsonit kishte peshë të madhe.
Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur shumë Shqipërinë por një mision në Shqipëri për mbledhje faktesh në vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Uilliams, ndihmoi shumë që Shtetet e Bashkuara të njohin më mirë Shqipërinë.
Historianët amerikanë bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin amerikan në afrimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë. Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë është roli i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësve te saj si Fan Noli e Faik Konica, po ashtu edhe të tjerë si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako. Kështu mendon edhe zoti Enholn i “Shtëpisë U.Uillson”. Presidenti Uillson nuk e pranoi copëtimin dhe ndarjen e Shqipërisë falë parimit të vetëvendosjes si edhe nga kontaktet me shqiptaro-amerikanët.
Duhet theksuar me te madhe se për moscopëtimin e Shqipërisë luajti një rol shume të madh faktori i brendshëm, rrezistenca me armë e shqiptarëve në të gjitha krahinat dhe veçanërisht Lufta titanike e Vlorës e vitit 1920, që e hodhi Italinë në det dhe i detyroi me forcë italianët të largoheshin nga Vlora, Saranda, Durrësi dhe Shëngjini, qe i kishin pushtuar me ushtrine e tyre. Lufta e Vlorës i detyroi Fuqitë e Mëdha Europiane t’i vinin gishtin kokës, ndërsa fqinjët agresivë si Greqia dhe Serbia u larguan me bisht në shalë.
Përgjigjia e presidentit Uillson ndaj projektit Triton-Venizellos ishte e prerë dhe e vrazhdë, kur duhej treguar edhe forcë, thotë Robert Enholm. Në se do të kish qënë në dorë të Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin nga Britania dhe Franca, me siguri që Shqipëria do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që italianët e negociuan në vitin 1915.
Në dhjetor 1918 presidenti Uillson u nis për në Europë, ku kaloi pjesën më të madhe të gjashtë muajve të ardhshëm i përfshirë në negociatat e Konferencës së Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë kishin të bënin me synimet për kontrollin e Adriatikut, ku u përfshi edhe problemi shqiptar. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga Fuqitë e Mëdha të Europës në vitin 1913, por synimet e fqinjëve nuk kishin te ndalur aty.
Disa nga Fuqitë e Mëdha Europiane kishin rënë dakord fshehtaz, pa dijeninë apo pa angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta ndanin Shqipërinë por presidenti Uillson kur e mori vesh një gjë të tillë, tha se “nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, Drejtor Ekzekutiv “ i Shtëpisë Udrou Uillson” në Vashington, ku ish-presidenti pas largimit nga posti i tij i lartë, kaloi vitet e fundit. Në vitin 1917 Uillson shpalli hyrjen amerikane në Luftën e Parë Botërore si një orëvatje për ta bërë botën “të sigurt” për demokracinë. Uillson e kishte parë lemerinë e luftës prandaj ai u bë një luftëtar i paepur për paqe.
Lufta e Parë Botërore përfundoi më 11 nëntor 1918. Presidenti Uillson shkoi në Paris dhe megjithëse kishte këmbëngulur që Shqipëria të mos prekej me largimin e tij në Amerikë, delegacionet e shteteve fituese të luftës sërish iu kthyen planeve të vjetra për coptimin e Shqipërisë. Delegacioni shqiptar dhe miqtë amerikanë të Shqipërisë u shqetësuan dhe ia pregatitën dhe ia paraqitën gjëndjen presidentit Uillson, i cili, edhe pse i sëmurë, mori sërish rrugën e Parisit. Ai u bë kështu shpëtimtari i Shqipërisë, nën ndikimin e tij të fuqishëm u vendos që Shqipëria nuk do të prekej në kufijtë e saj të njohur para luftës, aq më tepër se Shqipëria nuk konsiderohej shtet i mundur që të paguante pasojat e një lufte, ku ajo nuk kishte qënë pjesëmarrëse aleancash, përkundrazi shtetet ndërluftuese e kishin bërë territorin e saj shesh betejash kundër dëshirës së saj. Delegatët e shteteve pjesëmarrëse në Konferencën e Parisit iu bindën më së fundi vullnetit të hekurt të presidentit Uillson dhe veç atëhere kur ai u sigurua për fatin e Shqipërisë, u kthye në Amerikë. Duke shpallur 14 pikat e Konferencës së Paqes së Versajës, që sollen krijimin e Lidhjes së Kombeve – arkitekt i së cilës ai u vlerësua botërisht, presidenti amerkan do të bëhej një figurë shumë popullore në botë, ai u cilësua kampion i Paqes. Për të gjitha këto arritje dhe merita pune dhe përjekje kolosale , presidenti Udrou Uillson në viti 1919 u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. Ky ishte një vlerësim shumë i lartë ndërkombëtar për të. Por pikërisht kur po krijohej Lidhja e Kombeve, plot entusiazëm nga Europa, Kongresi amerikan nuk e aprovoi hyrjen e Amerikës në këtë forum të ri ndërkombëtar, çfarë solli edhe një zhgënjim për presidenti Uillson, i cili pësoi goditjen e dytë në zemër dhe përkeqësimin e gjëndies shëndetsore të tij. Të mos harrojmë se kishte shumë faktorë që kishin ngjallur dashurinë e presidentit Uillson për shqiptarët. Një nga këta ishte Charles Richard Crane 1858-1939), biri i një industrialisti amerikan në Çikago që ndihmoi në zgjedhjet e Presidentit Uillson në fushatën e vitit 1912. Po si e në çfarë rrethanash kish lindur kjo lidhje e këtyre amerikanëve të shquar me shqiptarët ? Në pranëverën e vitit 1911, kur vazhdonte kryengritja e Malësisë së Madhe, kishte bërë një udhëtim në qendër të Perandorisë Osmane Sharles Richard Crane, i cili u nis nga Stambolli në drejtim të Shqipërisë. Ministria e Jashtme perandorake e shqetësuar për jetën e milionerit amerikan e këshilloi të mos e bënte atë udhëtim me rreziqe në vilajetet shqiptare, por kur pa këmbënguljen e amerikanit, e shoqëroi atë me një grup ushtarësh turq. Kur grupi hyri në territoret shqiptare, i dolën në rrugë shqiptarë të armatosur pjesëtarë çetash atdhetare. Ata e ndaluan karvanin dhe urdhëruan kthimin e ushtarëve turq. Ishte një situatë e vështirë që mund të përfundonte me luftim. Milioneri amerikan nuk donte të kthehej prapa , atëhere shqiptarët e morrën përsipër ta shoqëronin në gjithë viset shqiptare nën besën e rojen e tyre. Charles Richard Crane u besoi, jo vetëm kaq por ai u bë shumë shpejt mik me këta trima, që e ruanin dhe ishin gati për të bërë sakrificën më të madhe për ta mbrojtur. Kështu ai udhëtoi i qetë nga Shqipëria e Jugut në veri, kaloi nëpër territoret e Malësisë së Madhe dhe deri në Podgoricë. Ishte një udhëtim që mund të quhej fatlum. Ai kurrë nuk do t’i harronte këta shqiptarë me cilësi të larta, trimëri e bujari të pashoqe. Në Podgoricë atë kohë kishte mbi 20 mijë malësorë shqiptarë të ikur nga shtëpitë e veta nga ekspedita mizore e Shefqet Turgut Pashës. Shihet se interesi i amerikanëve për ç’ka ngjante në Shqipëri ishte i madh. New Jork Times botonte reportazhe mbi luftën e kryengritësve shqiptarë kundër zgjedhës otomane. Ishte një fat për shqiptarët, që pikërisht ky vizitor që e strehuan dhe e zunë mik , të ishte pjesëtar dhe figurë e rëndësishme e delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris. Ai i dinte problemet e shqiptarëve dhe ambiciet ballkanase për ta coptuar shtetin shqiptar. Padyshim ai ka dhënë një kontribut të madh në krijimin e bindjes së presidentit Uillson që Shqipëria duhej mbrojtur me çdo kusht. Charles Richard Crane, i njihte atdhetarët shqiptarë, i kishte edhe miq ata, si Kristo Dako dhe Fan Nolin e atdhetarë të tjerë. Duhet kujtuar se më 28 korrik 1914 Fan Noli, në funksionin e kryetarit të “Vatrës” arriti të takonte Presidentin Uillson në Maunt Vernon. Ja si e kujton Noli këtë moment në një letër që i dërgon vatranëve: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me presidentin Uillson, i cili më dha shpresa të mëdha…dhe më tej: “Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë të shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigja e tij fisnike ishte: ”Unë do të kem një zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Studiuesi Petër Prifti ka shkruar:…”I impresionuar thellë nga idealizmi i Uillson-it, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë uillsioniane që ishte: drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor dhe simpatia për të dobëtit”.
Uillson detyrën e presidentit e filloi më 4 mars 1913 dhe e vazhdoi deri më 4 mars 1921. Mbas tetë vjetëve në drejtimin e shtetit amerikan e la Shtëpinë e Bardhë. Është me vend të shkuajmë me Gërma të Arta se Udrou Uillson gëzon respekt in më të thellë në gjithë kombin shqiptar, sot dhe sa të jetë jeta, sepse siç ka thënë Fan Noli: ”Uillson bëri më tepër se çdo njëri tjetër për pavarësinë e Shqipërisë dhe për moscopëtimin e saj”. Ndërsa Faik Konica është shprehur: “Shqipëtarët duhet t’i ngrënë Uillson-it një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre”. Dhe ne po i themi sot Faik Konicës: “Bac u kry”. Sot në sheshin kryesor të Tiranës së Re ngrihet shtatorja madhështore e Presidentit Uillson, të cilën e kemi edhe në zemrat tona.
Dy ditë pas qendrimit të shpallur nga Amerika në vitin 1920, gazeta “Dielli” vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e Shqipërisë dhe Kostë Çekrezi, në një intervistë në gazetën New Jork Times, e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve. Historianët thonë se po të mos kishte ndërhyrë Uillson kishte shumë gjasa që Shqipëria të ishte më e vogël se sa është sot.
Qeveria e Nolit, pas revolucionit të qershorit 1924, kur erdhi në pushtet, pra,kur erdhi në fuqi, qytetin Shëngjin e pagëzoi me emërin qyteti Uillson, për nder të presidentii të SHBA. Emërtimi u mbajt deri në kohën e komunizmit. Me që jemi te ky pagëzim , pse të mos vazhdojë qyteti i Sëngjinit të quhet edhe sot dhe në të ardhmen qyteti Uillson . Me këtë Shqipëria i bën nder jo vetëm Presidentit Uillson dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por i bën nder edhe vetes së saj. Në qoftëse dikusn është kundra këtij mendimi atëhere për të kujtuar edhe Shëngjinin, mund t’i jepen të dy emrat. Ketë praktikë, qytete me dy emra, e ka gjithë bota.
Sot nuk e tepëroj të themi se 97 deri 98 përqind e kombit shqipëtar janë proamerikanë. Po pse vallë është kjo gjëndje miqësore dhe dashuri kaq e zjartë e kombit tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan? Po si të mos jetë: në vitin 1919 – 1920 ishte Amerika, presidenti Uillson që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi i Fuqive të Mëdha Europiane, pra nga kompromisi anglo-franko-italian dhe nga kërcënimi i fqinjve te tjere agresivë si Greqia dhe Jugosllavia. Po kështu edhe më 1999 ishte Amerika dhe presidenti Bill Klinton që i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga masakrat serbe dhe kasapi i Ballkanit, Milosheviç.
Është shumë domethënëse një ngjarje, për të treguar lidhjet shpirtërore të presidentit Uillson me shqipëtarët. Pasi kishte mësuar se në Shqipëri populli në këngët e tij përmëndte mikun e madh të shqipëtarëve Uillson, në një letër që ai i dërgonte profesorit amerikan Elmea J. Jones, i shkruante: “S’ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri… Kujtoj se cdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet e përgjegjësisë tonë kombëtare”.
Ky mik i madh i shqiptarëve, shkruan Noli, që përkrahu e mbështeti edhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, mbylli sytë në Vashington D.C. më 3 shkurt 1924. Janë kuptimplote fjalët e Fan Nolit për vdekjen e Uillsonit: “Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria, e cila qan në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë”.
Me rastin e vdekjes së presidentit amerikan Uillson, Asamblea Kushtetuese e Shqipërisë, më 4 shkurt 1924, me propozim të deputetit Rauf Fico, mbajti pesë minuta Zi (Heshtje) në shenjë hidhërimi për këtë vdekje si dhe i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes, duke i nënvizuar se Shqipëria dhe kombi shqipëtar merr pjesë në hidhërimin Tuaj. E vërteta është se gjatë rregjimit komunist nuk e kemi ditur se në vitet 1919-1920 presidenti amerikan Udrou Uillson dhe qeveria amerikane jo vetëm e kanë mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi i territoreve të saj, por kanë pasur dhe planet e tyre për përcaktimin përfundimtar dhe të saktë të kufijve, me qëllim që të bashkojnë aq sa është e mundur të gjithë shqiptarët të shtrirë kudo rreth trungut kryesor, me qëllim final realizimin e një shteti të unifikuar.