Zgjedhjet/ Berisha fton emigrantët që të votojnë në Shqipëri

Kryedemokrati Sali Berisha ka ftuar emigrantët që të vijnë në Shqipëri më 14 maj dhe të votojnë për kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Berisha është ndalur edhe tek hetimi i pasurisë së ish-ambasadores yuri Kim në Shqipëri ndërsa i ka bërë një ftesë Edi Ramës për tu përballur në podcast-in e tij.

 Kreu i demokratëve Sali Berisha ju ka bërë thirrje emigrantëve që të vijnë në Shqipëri dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 majit. Në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, Berisha tha se vota e emigratënve është penguar nga vetë kryeministri Rama, ndaj ata duhet të kthehen vetë në atdhe për të votuar. Sipas Berishës, edhe ata që nuk kanë mundësi të vijnë, duhet të bindin të gjithë të afërmit e tyre se për kë duhet të votojnë, duke kujtuar se për shkak të kushteve ku ndodhet vendi, kanë marrë rrugët e emigracionit. “Normalisht çdo emigrant kudo që ndodhet, më 14 maj duhet të votonte aty ku gjendet. Sot teknologjia e bën të mundur votimin në kohë reale kudo që ndodhet shqiptari. Por pengesa e vetme për këtë është Edi Rama, i cili nuk pranon dhe nuk do të pranojë që në këto zgjedhje të votojë emigracioni. Por, këto janë zgjedhjet e jetës sonë, në kuptimin e asaj që ne ftohemi pas 32 vitesh te kutitë e votimit për të rivendosur pluralizmin dhe përmbysur monizmin”, është shprehur kryedemokrati Sali Berisha. Sipas tij, në këtë betejë, angazhimi i emigracionit, qoftë duke qartësuar rolin jetik që ka pluralizmi për shoqërinë shqiptare, qoftë duke marrë ato kursime që kanë për të ardhur për të votuar, është i një rëndësie shumë të madhe. “Me këtë rast i ftoj të gjithë emigrantët për të qenë më 14 maj në Shqipëri dhe për të votuar për pluralizmin. Sikundër i ftoj ata që nuk kanë mundësi, të bëjnë gjithçka me telefonata, jo vetëm me familjarët, por edhe më të afërmit e tyre, t’u kujtojnë se pse nuk ndodhen në Shqipëri. T’i ftojnë të votojnë kandidatët e primareve, të votojnë ndryshimin”, është shprehur Berisha.

Angazhimi i administratës

Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se çdo punonjës administrate do të përjashtohet, nëse është përfshirë në fushatë elektorale. Në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, Berisha tha se në momentin që ata merren me fushatë, kthehen në militantë dhe nuk meritojnë të punojnë në administratë. “Një punonjës administrate që përfshihet në fushatë do të përjashtohet fishek nga administrata për krimn elektoral. Punonjësit e administratës janë një pasuri, por në momentin që përfshihen në fushatë, ata kthehen në militantë dhe nuk mund të jenë më punonjës”, është shprehur Sali Berisha.

Hetimi nga SHBA e Yuri Kim

Kryedemokrati Sali Berisha ka përsëritur thirrjen nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të hetojnë ambasadoren Yuri Kim. Në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, Berisha tha se Kim ka prona në vendin tonë dhe është përfshirë në afera që duhen hetuar. Sipas Kryedemokratit, ajo është kokë e këmbë e përzierë me korrupsionin dhe e krahasoi me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. Sipas Berishës, Kim është bashkuar me qeverinë për të luftuar opozitën në mënyrën më të paprinciptë. “Unë kam respekt të madh për zotin Menendez, udhëheqës i Komisionit për Politikën e Jashtme të Senatit të SHBA. Ambasadorja, të cilën unë e quaj guvernatore, ka tejkaluar çdo lloj limiti të mandatit të saj, të normave, të respektit, të sovranitetit të një vendi. Për shkak të mashtrimeve që ajo i ka bërë qeverisë së saj, ajo ka ndërmarrë akte të dënueshme ndaj drejtësisë shqiptare. Mjafton të kujtoj këtu se prokurorët që ajo ka kapur vazhdimisht me kërkesën staliniste se pse nuk e arrestoni Sali Berishën. Disa prej tyre do kishin dashur t’ia plotësonin atë dëshirë, por kanë marrë përgjigje se nuk rezulton asnjë fakt, asnjë dokument. Por ky është vetëm një aspekt i saj. Aspekt tjetër shumë i rëndë është qëndrimi në aferën McGonigal. Ajo është kokë e këmbë e përzier dhe një kopje me fustan e McGonigal në kuptimin e korrupsionit nga kjo qeveri për të luftuar opozitën në mënyrën më të paprinciptë”, është shprehur Sali Berisha. Ai tha se ka marrë këtë angazhim për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. “Unë kam zgjedhur të mbroj interesat e publikut shqiptar duke e denoncuar atë në çdo rast. I kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat e saj në Shqipëri. I garantoj se PD është e gatshme të ndihmojë në transparencën e këtij hetimi”, tha Berisha.

Lexo edhe :  Mbrëmje poetike për Shenjte Terezën

Berisha ftesë Ramës

Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë një ftesë Edi Ramës që të përballën në Podcast-in e tij. gjatë një komunikimi ditën e djehsme Berisha ju është përgjigjur interesit të ndjekësve të tij në lidhje me pyetjen: a ka në plan ta ftojë Edi Ramën në platformën e tij? “Kundërshtari im politik është i ftuar kurdo që gjen forcë dhe kurajo”, u përgjigj Sali Berisha. Megjithatë, në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në Facebook të nisur mesditën e së hënës, Berisha shtoi se Rama nuk ka ku ta gjejë forcën për t’u përballur me të pasi është “peng i vjedhjeve të veta.” “Por mesa shoh unë, peng i vjedhjeve të tij të tmerrshme, i korrupsionit. Zotëri, vetëm tenderat e baxhanakut të Edi Ramës, një Fangu, Fangu, janë me dhjetëra në mos qindra deri tani. Pas Fangut, Olsi Rama, i vëllai i kryeministrit, qëndron mburoja e vjedhjes së 2.2 milionë euro, të qytetarëve europianë me të famshmet call center-a…”, tha ndër të tjera ish-kryeministri. Berisha përsëriti edhe një herë se ftesa për podcast qëndron, por sipas tij, kryeministri nuk mund ta pranojë pasi “ka frikë nga vetja e tij.” “Unë nuk mund t’ia shtoj guximin. Ato që thashë janë të vërteta dhe ai do të përgjigjet për to, pavarësisht nëse vjen apo nuk vjen në podcast me mua.”, ëhstë shprehur Berisha. Kujtojmë se si Berisha ashtu edhe kryesocialisti kanë nisur në këtë prag fushate podcast-et e tyre. Në episodin e parë të publikuar Berisha flet për jetën e tij përtej politikës, ndërsa Rama kishte ftuar në bisedë shtatë kampionët e sportit, Luiza Gega, Briken Çalja, Erland Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.