Berisha nuk u pranua si drejtues i “Bashkë Fitojmë”/ Meta: S’do ketë ndikim tek votuesit

Kreu i Partisë së lirisë, Ilir Meta, ka komentuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor i cili la në fuqi vendimin e KAS për të mos vënë në fletën e votimit emrin e Sali Berishës, por atë të Metës. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se kjo është një lojë e Edi Ramës, të cilin sipas tij e ka zënë paniku i humbjes.

Meta u shpreh se me këto lojëra kanë turpëruar një institucion të pavarur si Kolegji Zgjedhor, e ndërsa tha se është zgjedhje e forcave politike në koalicion të vendosin se me cilin emër duan të përfaqësohen. Sipas tij, kjo nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi tek votuesit.

“Zero ndikim tek votuesit, lojërat që bën Edi Rama në panikun e humbjes së rëndë që e pret në 14 maj me cic-mice të tilla që turpërojnë Kolegjin Zgjedhor dhe çdo institucioni që pretendon se është i pavarur.
Është zgjedhje e forcave politike që përbëjnë koalicionin që të paraqiten me një emër apo jo dhe po kështu mund të jetë dhe duhet të jetë emri në rast se është e domosdoshme.

Kreu i Partisë së Lirisë thotë se Rama është në hall të madh pasi kandidatët e tij nuk krahasohen me të tyret, pasi kanë zgjedhur figura të konsumuara.

Këto lojëra nuk ka qytetarë të Tiranës dhe Shqipërisë që nuk e kupton hallin e madh që ka gjetur Ramën.

Ai nuk ka kandidatë përballë kandidatëve tanë, ka ca kukulla të stërprovuara, stërkonusmuara, që kanë firmosur për të vjedhur e ndarë plaçkën e pushtetit vendor, bashkë me Ramën, një pjesë prej tyre i ka çuar nëpër burgje se nuk i mbante dot, ca të tjerë kanë dhënë dorëheqjen e të tjerë presin radhën për të shkuar atje ku e kanë vendin shpërdoruesit e taksave dhe ligjeve”, tha Meta.

Lexo edhe :  Berisha “lavde” për Adriana Kalanë: Atë e kemi luftëtaren më të fuqishme

Kolegji Zgjedhor rrëzoi përfundimisht Koalicionin Berisha-Meta duke vendosur që në fletën e votimit për kandidatë për Këshilla Bashkiakë të vendoset emri i Ilir Metës si drejtues i koalicionit dhe jo ai i Sali Berishës.