Kryeministri Edi Rama në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale u ndal dje në Shkodër. Ai kërkoi votën e demokratëve atje duke u shprehur se kandidati i tyre Benet Beci ishte “njeriu i Berishës”. Taktika elektorale për të marrë kryeqendrën e veriut që nuk është qeverisuar lokalisht anjëherë nga e majta.
Kryeministri Edi Rama ka qenë dje në qytetin e Shkodrës ku ka prezantuar dhe kandidatin e Partisë Socialiste Benet Beci. Ai ju ka kërkuar shkodranëve që të votojnë Partinë Socialiste dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak për ti dhënë Shkorës investimet që ka nevojë. Rama gjatë takimit është shprehur se ka një ngërç mes qeverisë qëndrore dhe asaj vendore, pasi kjo e fundit nuk jep lejen e ndërtimit për projekte të rëndësishme. “Financojmë në çdo qytet pallate banimi që vishen me kapod dhe kanë një hidroizolim shumë më të mirë sesa pallate të zakonshme dhe kjo ul konsumin e energjisë. Janë 5-6 të tjerë si ky që s’fillojnë dot punën se s’na jep lejen bashkia. Ne kemi bërë çfarë kemi mundur dhe jo çfarë kemi dashur. Muzeun kombëtar të njërës prej krenarive më të mëdha të kombit, dinastinë Marubi e kemi bërë ne. Dhe, atë thesar e kemi gjetur nëpër thasë dhe bodrume të lagështisë që do i hanin ato filmat e vjetra të Marbuit. Ne jemi për punën dhe nuk shohim majtas djathtas, ne i gjejmë punës njeriun, jo punës njeriun. Ata kanë 31 vjet që e marrin Shkodrën pa kushte, nuk kanë ditur të bëjnë 1 Bashki shembull”, tha kryeministri Edi Rama. Në takimin elektoral në Shkodër, ku kishte më shumë njerëz siç ishte parashikuar, Rama tha se ujësjellësat nuk ndërtohen sepse nuk jep leje bashkia Shkodër. Krejt të kundërtën pretendon kreu I Bashkisë Shkodër Bardh Spahia, I cili pak ditë më parë u shpreh se janë mbi 150 projekte të paraqitura nga bashkia, por që nuk finacohen nga qeveria. Në këtë betejë fjalësh, tashmë duket qartë se Rama është investuar për të bërë shkodrën “oazin” e PS-së, një bashki që kurrë nuk është qeverisuar lokalisht nga të majtët në këto 32 vite pluralizëm politik. Një nga format për të pretenduar “marrjen e Shkodrës” Rama ka përgjedhur kandidatin, pikërisht Benet Becin i cili në kohën e qeverisë Berisha ishte Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Beneti i Berishës
Kryeministri Edi Rama ju ka kujtuar edhe të djathtëve të Shkodrës se Benet Beci është njëri prej tyre. Ai tha se se Becin e ka gjetur që nga koha e Berishës dhe e mbajti, sepse nuk e mbajti dot Berisha. Edhe me këtë batutë, Rama kërkoi edhe votën demokratëve. Duke ju referuar kandidatit Beci, kryeministri tha se ai nuk ka ngjyrë dhe është i vetmi që i thotë kreut të foltores zoti Berisha. “Ne kemi sjellë këtu një kandidat për kryetar bashkie i cili nuk na përfaqëson në ngjyrën tonë, ka qenë me zotin B. Beneti thotë se sic bën ndonjëherë shaka, e thotë edhe me zotin B. Kur ka filluar punën si menaxher publik dhe unë kur pash që ja kishin vënë syrin për ta eleminuar si zotin B, i thash Benet dua të vazhdosh punën se të vlersoj si menaxher. Je nga një të paktët që e kanë merituar dhe dëshiroj që ta vazhdosh punën. Dhe ky me qetësi tha, unë këtë punë di të bëj, unë nuk kam ndonjë problem të punojë për ju, duke thënë se unë jam andej, por punoj për ju, por votën nuk ua jap. Dhe nuk na e ka dhënë votën. Madje dyshoj nëse ja ka dhënë votën PS në zgjedhje kur u bë deputet me PS, se nuk ja bën dora e ka problem. Edhe kur u fut në skuadën tonë kemi pas bisedë interesante sepse Beneti e ka problem politikën. I thash se nuk të dua për politikën se e di që nuk të pëlqejnë kamerat. I thash të dua se dua të bëjmë dicka ndryshe për Shkodrën” tha Rama ndër të tjera.