Kryeministri Edi Rama ju ka kërkuar shqiptarëve gjatë kësaj fushate që to votojnë Partinë Socialiste dhe të mos kthehen mbrapa duke votuar koalicionin Meta- Berisha.
Në takimin përmbyllës në qytetin e Lushnjës Edi Rama tha se edhe pas 14 majit dyshja Meta- Berisha do të bërtasin ‘na grabitën zgjedhjet’.
Teksa përsëriti sulmet ndaj Berishës dhe Metës dhe kandidatëve të tyre në bashkitë e vendit, Rama tha se në 14 maj qytetarët do të votojnë mes atyre që punojnë dhe atyre që kërkojnë të marrin peng bashkitë për interesa personalë.
“Këtu në Lushnjë si kudo tjetër, puna jonë flet më shumë se çfarë ka folur deri më sot. Ajo që ju prisni është jo tu themi sesa kemi bërë por të bëjmë akoma më shumë në 4 vitet e ardhshme me Eriseldën dhe gjithë popullin e Lushnjës. Dua të them edhe këtu diçka që e kam përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve. Në 14 maj vërtet do votohet për të zgjedhur njeriun që do jetë në krye të punëve, për tu shërbyer qytetarëve.
Do votohet edhe për nderin e dinjitetin e këtij flamuri që e mbajmë në zemër. Në 14 maj, është një zgjedhje jo thjesht midis kandidatëve tanë dhe maskën e faqes së zezë të damkosur nga SHBA. Ajo që u ofrohet si alternativë është një turp i madh për Shqipërinë që sot gëzon mbështetjen më të madhe se kurrë më parë që ka pasur nga aleatët strategjikë.
Jemi në një pozicion ku flamuri ynë kombëtar është më lart se kurrë më parë në arenën ndërkombëtare”, tha Rama. Më tej kryesocialisti u shpreh i bindur se në 14 maj, fitorja do jetë e PS-së dhe shtoi se disa ditë më vonë kundërshtarët politikë do të nxjerrin alibitë e tyre për humbjen, duke nisur nga akuzat për vjedhje votash deri tek shitblerja e tyre.
Ai tha se nëse opozita synon që në të ardhmen të fitojë zgjedhjet, duhet të heqë dorë nga alibitë e krijuara gjithmonë dhe të ofrojë atë që PS ofron për qytetarët.
“Mbajeni mend çfarë po u them, në 16 maj i keni duke bërtitur, na vodhën votat, na grabitën, narko shteti, kriminelët, i blenë. Sepse nuk kanë asnjë shans, strategjia e tyre është të kapen si i mbyturi që kërkon të të mbysë. Askush nga votuesit të mos bëhet fije bari ku ata të mund të kapen.
Nëse duan që një ditë të sfidojnë PS-në duke menduar gjithmonë fajin atyre që nuk e kanë, duke menduar se ne ua fitojmë zgjedhjet pa të drejtë, do vijojnë të humbasin keq dhe më keq. Iu siguroj që në 4 vitet e ardhshme do bëjmë më shumë punë se çfarë kemi bërë në gjithë këto vite të marra së bashku”, u shpreh kreu i PS.
Përgjigje ndaj Metës dhe Berishës
Duke folur për deklaratën e Fredi Belerit, kandidatit të Metës dhe Berishës që u shpreh se do të helenizojë Himarën, kryesocialisti Edi Rama tha se ky i fundit është shëmbëlltyrë e qarqeve nacionaliste greke.
Ai tha se pavarësisht se Meta dhe Berisha e konsiderojnë veten si patriotë të mëdhenj, në të vetmin rast që patën ia dhanë mundësinë Belerit për të kandiduar në Himarë. Kjo sipas Ramës tregon se dyshja Meta-Berisha kanë qëllim vetëm marrjen peng të bashkive dhe jo punën për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Shikoni çfarë ndodh në Himarë, non-grata bashkë me Liken, këta patriot të mëdhenj që mbrojnë Kosovën nga unë. Këta patriotë që mbrojnë Ballkanin. Në mbrojtjen e Kosovësa ta nuk kanë asgjë në dorë dhe flasin vetëm brockulla.
Në të vetmin rast që kishin dicka në dorë që mos t’i jepnin të drejtën atij drurit që ka dalë kandidat atje në Himarë dhe me papërgjegjshmërinë më të madhe, shëmbëlltyrë e skutave më të errëta të së kaluarës që nuk i gjen më në Greqi, që thotë do helenizojë Himarën.
Do vë në vend padrejtësitë e 60 vjetëve që nuk di si i numëron se është analfabet funksional. Sot na del ky fanspathi në Himarë i hedhur atje si kartë bixhozi i hedhur nga faqja më e zezë e Shqipërisë, Salike floriri.
Në Himarë e kanë nxjerrë të gjithë thelbin e vetë që janë bërë bashkë jo për popullin dhe bashkitë, por për hallin e tyre të madh me drejtësinë, me të kaluarën e tyre që tani e kanë të gjithën përpara”, u shpreh Rama.