The Washington Post i ka kushtuar një artikull arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri dhe reagimit nga Athina Zyrtare.
The Washington Post shkruan se arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie që i përket minoritetit grek në Shqipëri ka rritur tensionet mes dy vendeve fqinje.
Ministria e Jashtme e Greqisë lëshoi një deklaratë të shtunën duke kërkuar lirimin e Dionisis-Fredi Belerit, një kandidat për kryetar bashkie të qytetit shqiptar të Himarës, i cili ka një prani të fortë të minoritetit grek.
Mediat greke raportuan se Beleri u arrestua nga policia shqiptare herët të premten me akuzën e blerjes së votës, dy ditë përpara zgjedhjeve lokale. Një gjykatë konfirmoi të shtunën se ai do të mbetej në paraburgim.
Njoftimi i ministrisë greke nënkupton se rasti mund të ndikojë negativisht në aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Rrethit Vlorë, nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme, përbën një skandal. Arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk është brenda shtetit ligjor. Vendimi për ndalimin në paraburgim të kandidatit për kryetar bashkie shkakton një ndryshim tw plotë tw rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himare, një qendër e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Një vendim i tillë do të ketë pasoja edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës është parakusht për këtë rrugë europiane. Vendime si ky i sotmi, që shkelin këto parime, do të thotë që në praktik Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane”, vijon njoftimi.
Ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhacka u përgjigj me zemërim, duke thënë se e konsideronte “pothuajse të pamundur të kuptojmë se si miqtë tanë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë”.
Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë postkomuniste kanë qenë ndonjëherë të vështira, kryesisht për çështjet e të drejtave të pakicave dhe komunitetit të konsiderueshëm shqiptar në Greqi, vijon mw tej shkrimin The Washington Post.
“Ne nuk e kuptojmë sesi të qenit shtetas grek e përjashton atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë. U bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë,” shkroi Xhaçka në Twitter.