Basha zgjohet/ Kujtohet për 50-vjetorin e Revoltës së Spaçit

Lulzim Basha, humbësi serial i PD-së, tashmë e ka kthyer në një zakon, që në data të shënuara të bëjë ndonjë reagim në rrjetet sociale.

Sot është zgjuar pasdreke për të përkujtuar 50-vjetorin e Revoltës së Spaçit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shkruan se kjo kryengritje shënon një nga lëvizjet më të forta antikomuniste gjatë regjimit në Shqipëri.

Ndër të tjera Basha thotë se, burrat që u ngritën kundër regjimit gjakatar në një nga burgjet më famëkeqe komuniste, dëshmuan vendosmërinë për t’iu kundërvënë propagandës dhe mizorisë famëkeqe.

“Kryengritja e Spaçit shënon një nga lëvizjet më të forta antikomuniste gjatë regjimit famëkeq në Shqipëri. Heronjtë e kësaj revolte do të mbeten përherë simbol i përpjekjes së shqiptarëve për t’u ndarë nga komunizmi.

Burrat që u ngritën kundër regjimit gjakatar në një nga burgjet më famëkeqe komuniste, dëshmuan vendosmërinë për t’iu kundërvënë propagandës dhe mizorisë famëkeqe. Ata qëndruan, luftuan dhe nuk u dorëzuan, duke vënë interesat më të larta të vendit mbi fatin e tyre personal. Mirënjohje përjetë heronjve që u sakrifikuan në emër të lirisë”, ka shkruar Basha.