Fjalët e fundit të gjeneralit rebel Halim Xhelo, pak para vetëvarjes në burgun e Burrelit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga DASHNOR KALOÇI

Relacionet sekrete në vitin 1982, pas arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, me studimin e dosjes për vdekjen e ish-gjeneralit Halim Xhelo! Dokumentet arkivore: “Halim Xhelo më tha; kjo që bëhet në Shqipëri, ndodh vetëm me zezakët në SHBA-ës. Më vrisni, varmëni, ashtu siç keni varur edhe të tjerë, dhe thoni u var vetë”.

Ka qenë paraditja e datës 24 maj të vitit 1975, kur rojet e brendshme të burgut të Burrelit, pas kontrollit rutinë të dhomave, njoftuan eprorët e tyre dhe komandën e atij reparti, se; i dënuari Halim Xhelo, ishte pa shenja jete, pasi kishte varur veten, te hekurat e frengjisë në qelinë e tij. Ish-gjenerali i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës, i cili vuante dënimin si u burgosur politik, që nga viti 1966, kur mbante postin e zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht edhe të Zv/ Drejtorit të Sigurimit të Shtetit dhe kryetarit të Degës së Sektorit të Sigurimit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, pas një letre anonime, që ai i kishte bërë Enver Hoxhës, ku ai, pasi ngrinte problemin e heqjes së gradave në Ushtri dhe Ministrinë e Brendshme, denonconte vijën e gabuar politike që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSh-së dhe personalisht sekretari i parë i Komitetit Qendror (Enver Hoxha), duke kopjuar modelin kinez, ku si rezultat, fshatarsia kooperativiste në veçanti, por edhe i gjithë populli shqiptar, ishin zhytur dhe jetonin në një mjerim të thellë.
Edhe pse në vitet që pasuan, madje deri në fundin e viteve ’80-të, në burgun e Burrelit, ndërruan jetë edhe disa ish-gjeneralë të tjerë që vuanin dënimin aty, madje emra të njohur, (figura kryesore të Luftës Antifashiste që mbanin titujt “Heronj të Popullit”), si: Gjin Marka Toma, Vaskë Gjino, Vehbi Hoxha etj., vdekja e gjeneralit rebel, Halim Xhelo, për të cilin u tha se kreu vetëvrasje, (variant zyrytar), që nga ajo kohë dhe më pas, është folur gjatë, duke hedhur lloj-lloj hipotezash, nga më të ndryshmet. Një pjesë bashkëvuajtëse të tij në atë burg, por edhe të tjerë jashtë hekurave, e besonin vërtetë se ai kishte varur veten, kurse të tjerë, e kundërshtonin në mënyrë kategorike atë gjë, si e pamundur për t’u kryer, në kushtet ku ndodhej ai. Por, më shumë se për misterin e rrethanave të vdekjes së tij në burgun e Burrelit dhe eleminimit të tij fizik, gjeneral Halim Xhelo, është diskutuar dhe përfolur, edhe për arsyet që e detyruan Enver Hoxhën, që ta mabnte atë në ato poste dhe funksione të larta në krye të Sigurimit të Shtetit, madje me gradën e lartë të gjeneralit, në një kohë, që babai i tij, Xhelo Koçiu, ish-eksponent i lartë i oragnizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, gjatë periudhës së Luftës, në vitin 1949, u arratis nga Shqipëria e ndodhej në SHBA-ës, si azilant politik. Gjë e cila, as më shumë dhe as më pak, por ishte një nga rastet e vetme dhe unike, jo vetëm në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por edhe në të gjithë Lindjen Komuniste! Nisur sa më sipër, ata që besonin vërtet versionin zyrtar të vetëvrasjes së Halim Xhelos, e lidhin atë gjë, me periudhën në të cilën ndodhi ajo, (24 maj 1975), kohë në të cilën u arrestua dhe ish-ministri i Mbrojtjes Popullore, gjeneral-lejtnant, Beqir Balluku, që ndodhej i internuar në Roskovec të Fierit, pasi ishte akuzuar dhe goditur nga Enver Hoxha, si: “kryetar i grupit puçist në Ushtri dhe armik i popullit”!. Kjo gjë, pra vetëvrasja e Halim Xhelos, pikërisht në këtë periudhë kohe, lidhej me faktin se, ai, (Halimi), e kishte kryer atë akt, pasi mësoi arrestimin e Ballukut, nga i cili shpresonte se do ndërhynte dhe ta lironte nga burgu! Kjo gjë, pasi thuhej se; Beqir Balluku, kishte qenë njeriu që e kishte nxitur dhe shtyrë Halim Xhelon, ta shkruante atë letër anonime, në adresë të Enver Hoxhës, gjë për të cilën në atë kohë pati shumë dyshime, sepse ata të dy kishin shumë miqësi me njëri tjetrin dhe zyra e Halim Xhelos në Ministrinë e Mbrojtjes, ishte vetëm disa metra larg asaj të Ballukut. Dyshimet e Sigurimit të Shtetit se; vërtetë Balluku mund ta kishte nxitur Halim Xhelon për letrën anonime, bëhen të ditura dhe janë të vërtetuara zyrtarisht, pasi që në atë kohë, pra, sapo Balluku përfundoi në qelitë e hetuesisë në ‘Burgun 313’ të Tiranës, zv/ministri i Brendshmë, Feçor Shehu, i dërgoi një letër hetuesëve të tij (Nevzat Haznedarit dhe Kristofor Martiro), ku në mes të tjerash, u kërkonte që: “Armiku i popullit, Beqir Balluku të pyetet edhe për letrën që Halim Xhelo, i ka dërguar udhëheqësit kryesorë të Partisë në vitin 1966”. Por, ky version, pra ai i arsyes së vërtetë të vdekjes së Halim Xhelos në burgun e Burrelit, do të ndryshonte në vitin 1982, (pas arrestimit të zv/ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu dhe ish-eprorit të tij, Kadri Hazbiu), nga vetëvrasje, do klasifikohej si vrasje, madje duke bërë si autor të saj, Hazbiun dhe Feçor Shehun! Edhe kjo gjë, është i vërtetuar nga dokumentet arkivore, pasi menjëherë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshmë, Kadri Hazbiu dhe ish-vartësit të tij, Feçor Shehu (në atë kohë ministër i Brendshëm), në vitin 1982, zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, (që kryesonte grupin e punës “për zbardhjen dhe evidentimin e punës dhe veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut”), në analizat e tyre, u bënin me dije grupit të hetuesve, se; Halim Xhelon, e kishin helmuar Kadri Hazbiu me Feçor Shehun, nga frika se ai (Halimi), do të depononte për Beqir Ballukun, (duke treguar se ai e kishte nxitur për letrën anonime), me të cilin Hazbiu dhe Feçor Shehu, ishin në një grup armiqësor, të kryesuar nga poliagjenti, Mehmet Shehu! Të gjitha sa më sipër, edhe pse janë të dokumentuara dhe po i bëjmë publike në këtë shkrim, (bashkë me faksimilet përkatëse), duket se ato mbeten në kuadrin e akuzave që ish-krerët më të lartë të Sigurimit të Shtetit, i bënin njëri tjetrit, në varësi të situatave ku ata ndodheshin, kur Enver Hoxha, eliminonte bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Kjo gjë, duket se vlen edhe për vdekjen misterioze të gjeneralit rebel Halim Xhelon, në burgun e Burrelit, e cila ndoshta nuk do të zbardhet kurrë, pasi të gjithë “aktorët që e gatuan atë”, janë ndarë nga jeta prej vitesh, duke marrë me vete misterin e saj, një nga më të përfolurat, para dhe pas viteve ’90-të. Por, ato që nuk janë bërë kurrë publike deri më sot, janë letrat dërguar udhëheqjes së lartë për Halim Xhelon që në fillimin e viteve ’50-të, nga bashkëfshtarët e tij të fshatit Dukat, (që e akuzonin atë për zbutje të luftës së klasave dhe se: “adhuronte babanë e tij, armik i popullit”, rihetimi që iu bë dosjes së tij (për “vetëvrasjen” në burgun e Burrelit), nga ana e autoriteteve zyrytare përkatëse të Ministrisë së Brendëshme, (Hetuesisë dhe Prokurorisë), si dhe fjalët e fundit që kishte thënë ai para “vetëvrasjes” gjë të cilat, po e publikojmë për herë të parë në në këto shkrime (në dy numra, bashkë me faksimilet përkatëse), dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA.

LETRA E DREJTORIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT DHE ZV / MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, ZYLYFTAR RAMIZI, DREJTUAR MINISTRIT HEKURAN ISAI, PËR TË RIHAPUR DOSJEN E VDEKJES SË ISH-GJENERALIT HALIM XHELO, NE BURGUN E BURRELIT

Shoku Ministër

Kam mendimin të verifikojmë çështjen e Halim Xhelos, për vetëvrasjen e tij, është kështu, apo e përgatitur?

1.XII.1982 Zylyftari

DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV YLLI BIRÇE, LIDHUR ME STUDIMIN E DOSJES KU JANË PËRSHKRUAR RRETHANAT E VDEKJES SË ISH-GJENERAL HALIM XHELO, NË BURGUN E BURRELIT

S E K R E T

Ekzemplar i vetëm

Tiranë, më 27.11.1982

I N F O R M A C I O N

Nga studimi që i bëra dosjes hetimore në ngarkim të armikut Halim Xhelo, rezulton:

Halim Xhelo është riarrestuar më datën 30.5.1975, për arsye se ka refuzuar, që të nxirrte jashtë teshat dhe në prezencë të dëshmitarëve; Hajredin Kodheli, Bajram Beshiri, Sadik Behta, Isuf Kuka, Osman Deda, Rrahman Sula dhe Zyber Beshiri, është shprehur:

“Kjo që bëhet në Shqipëri, bëhet vetëm me zezakët në SHBA-ës. Më mirë të jesh zezak. Më vrisni, varmëni, ashtu siç keni varur edhe të tjerë, dhe thoni u var vetë. Kështu thoni edhe për mua, më çoni te Qershia, për të cilën flet një roman, prandaj, më mirë të jem edhe unë në Amerikë”. Mbi këtë bazë, në ngarkim të tij, filloi çështja penale në gjendje arresti dhe përfundon në datën 5.6.1975. Pa shkuar dosja hetimore në Prokurori, më datën 24.6.1975, gjendet në dhomën e izolimit, i vetëvarur.

Lexo edhe :  Historitë sekrete/ Zbulohet pas 80 vitesh ditari i të dashurës angleze të Hitlerit

Në proçes-verbalin e pyetjes së Tahir Hysës, lidhur me rrethanat e vetëvarjes së Halim Xhelos, më tërheqin vëmëndjen këtë momente kryesore:

1. Atë ditë, Halim Xhelo, nuk ka pranuar të dalë në ajrosje, me pretekstin: “nuk kishte fuqi, i merreshin mënd e rrëzohej”.

2. Tahir Hoxha, (përgjegjës i dhomave të izolimit), ka porositur policin e shërbimit, Tahir Hoxha, që; “Halimin ta kishte kujdes, se mos bënte ndonjë lëvizje” dhe në rast se konstatonte ndonjë gjë të tillë, ta njoftonte menjëherë.

Ma tërheq vëmëndjen, ky shqetësim i Tahir Hysës, për Halim Xhelon, pikërisht atë ditë. Për çfarë “lëvizje” e ka pasur fjalën Tahiri, kur personeli i shërbimit të dhomave të izolimit, duhet ta marrë dhe ta dorzojë shërbimin, në konformimet me rregulloren?!

3. Më poshtë, Tahir Hysa, vazhdon: “…shtoj gjithashtu, se rrjeta e telit, në dritaren e ndriçimit të dhomës së izolimit, ka qenë e çarë, para se të vinte Halim Xhelo. Se kush e ka bërë, unë nuk e di. Këtë e kam konstatuar, para se të vinte Halim Xhelo…”!

Pse ky qëndrim i shkujdesur i Tahir Hysës dhe i dhomave të shërbimit, të cilët, ndonëse e kishin konstatuar çarjen e rrjetës së telit, nuk morrën asnjë masë për riparimin e saj, çka i dha mundësi armikut Halim Xhelo, ose dikujt tjetër, për të realizuar këtë akt.

N/Oficeri, Gani Punavija, ndër të tjera thotë: “…kur e mora shërbimin, çdo gjë ishte në rregull. Mbasi dola unë, hyri përgjegjësi i dhomave të izolimit, Tahir Hysa. Unë më vonë nuk hyra. Operativi, nuk më kujtohet se kur ka hyrë (ka qenë Dhori Zarka). Në ora 10.00, Tahir Hoxha, më tha se; Halimit i ka rënë të fikët dhe ka ngelur rrëzë murit, në këmbë. Në këtë kohë, hapëm derën dhe hyri Operativi Dhori Zarka. Pas disa minutash, doli dhe në këtë kohë, erdhi përgjegjësi i dhomave të izolimit, Tahir Hysa dhe përsëri Operativi, hyri me të. Kur dolën, thanë se, Halimin e kishin gjetur të varur…”!

N/Oficer, Tahir Hoxha, ndër të tjera thotë: “…dhomat e izolimit, i kam kontrollur çdo 10 minuta. Kur pashë dhomën ku ishte Halimi, konstatova se ky, ishte shtrirë dhe nuk i fola që të çohej, pasi e dija se më parë kishte qenë sëmurë dhe më parë i kishte rënë dhe të fikët, për 3–4 minuta…! Kur kontrollova herën e fundit, pashë se Halimi, nuk ishte më i shtrirë, por në qoshen e krahut të majtë, të dhomës së izolimit dhe mezi dukej.

I fola disa here, por nuk m’u përgjigj dhe menjëherë njoftova Operativin, i cili erdhi dhe e pa nga dritarja e derës. I thashë ta hapnim derën, por ai më tha se; “nuk është nevoja, se s’kam se çfarë të shikoj unë”!

Oficer Dhori Zarka, ndër të tjera, thotë: “Pasi më njoftoi nënoficer Tahir Hoxha, kam vajtur në dhomat e izolimit, sëbashku me Tahir Hysën, e mandej njoftuam titullarin e Prokurorin. Në orën 06.00 të mëngjezit, kam futur në dhomat e izolimit, nënoficer Gani Punavijën, për të dorzuar shërbimin e për të marrë në dorzim shërbimin e rojet. Gjithashtu po në ora 6.00 të mëngjezit, është futur edhe Tahir Hysa, i cili ka kryer veprimet, me të paraburgosurit”.

Lidhur me sa më sipër, kam mendimin se; duhen sqaruar plotësisht, rrethanat e vetëvrasjes së armikut Halim Xhelo, pasi mund të jemi para ndonjë veprimi nga ana e armiqve Kadri Habziu e Feçor Shehu, të cilët pasi janë njohur më parë me deponimet e para të Halim Xhelos, i cili filloj të hidhte dritë me veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, ka pasur shqetësime se, mos ky, (Halimi), depononte edhe për armiqtë, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe Mihallaq Ziçishti.

Bashkëngjitur me këtë informacion, është dhe informacioni i Flamur Sinoimerit, lidhur me deponimet e Halim Xhelos, në hetuesi.

Punëtori Operativ

Ylli Birçe

SHËNIMI ME SHKRIM DORE I ENVER ZENELIT (SHEFI I GRUPIT OPERATIV, PËR ZBARDHJEN E VEPRIMTARISË ARMIQËSORE TË KADRI HAZBIUT), NË FUND TË DOKUMENTIT, ME POROSITË DHE UDHËZIMET PËR ZBARDHEJN E VDEKJES SË ISH-GJENERALIT HALIM XHELO

Sh. Ylli

Verifiko urgjent se ku ndodhet Tahir Hysa, të nxjerrim të gjitha materialet që disponohen për të.

a) Procesi i marrjes së pandehur dhe deponimet e bëra nga ai.

b) Kush e ka filluar procesin hetimor, kur është gjendur i varur, mendimi i ekspertëve, pyetjet e dëshmitarëve, etj.

Të gjitha këto të futen në një fashikull dhe të bëjmë një plan konkret, për të zbuluar arsyet e vërteta të vdekjes së tij.
Duhen parë momentet që kanë bërë të burgosurit në kohë për të, mund të gjejmë ndonjë gjë që na hap rrugë për sqarimin e këtij problemi.

2.10.1982 Enver Zeneli

DOKUMENTI ME LETRËN E FEÇOR SHEHUT, DREJTUAR LIRIM PËLLUMBIT PAS VDEKJES SË HALIM XHELOS NË VITIN 1975, ME UDHËZIMET PËR DY HETUESIT, NEVZAT HAZNEDARI DHE KRISTOFOR MARTIRO, QË TË PYETET NË HETUESI BEQIR BALLUKU, PASI HALIMI KA QENË BASHKËPUNËTOR I NGUSHTË I TIJ

Shoku Lirim

1. Halim Xhelo, ka qenë në grupin e Beqir Ballukut, jo tani, por edhe kur ishte shefi Sigurimit të Ushtrisë, pra është punë thellësisht armiqësore e tërë jetës, ai vrau veten, për t’i shpëtuar deponimeve.

2. Deponimet e tij, t’ja kalojmë shokut Nevzat dhe Kritofor, (ose ai vetë), ata të pyesin Beqirin etj. E çdo dalë më thoni.

3. Te ju ndiqni dhe verifikoni:

a) Problemin e Halim Ramohitos, e të Veli Frashërit, e Dilaver Radëshit, në përpunim dhe pyetje të ndalet….ta izolojmë Velinë dhe Dilaverin.

b) Të intesifikojmë përpunimin e Elami Hados, të shohmë se çdo dalë, më thoni.

c) Nga elementët armiq, ç’del në Burrel? Të bëjmë një informacion për shokët.

d) Pandeli Varezi, ku është, çka dhënë në hetuesi? Të pyetet më shumë se, ç’del në drejtim të tij. Ky të izolohet dhe të ripyetet.

Më thoni Feçor

28.6.1975

DOKUMENTI I HARTUAR NGA OFICERI I ARKIVIT TE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTUAR EPRORËVE TË TIJ, MBI STUDIMIN E DOSJES SË ISH-GJENERALIT HALIM XHELO, QË ËSHTË MARRË NË MBROJTJE NGA KADRI HAZBIU

SH Ë N I M

Nga studimi që iu bëra dosjes së Halim Xhelos, ish-gjeneral, zv/drejtor i Sigurimit të Shtetit, dhe kryetar i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, i cili në vitin 1966, u arrestua për agjitacion e propagandë, del figura dhe karakteri i vërtetë i këtij “gjenerali”, të cilin Kadri Hazbiu e ka përkrahur, deri sA i ka dhënë poste shumë të rëndësishme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Gjithashtu, nëpërmjet letrave të Axhem Xhelilajt dhe Sali Petroshatit, si dhe relacionin që kemi riprodhuar, duke edhe shqetësimi i tyre, për të vënë në dijeni mbi qëndrimet dhe veprimet armiqësore të Halim Xhelos, të cilët, me preokupim për të ruajtur vijën e Partisë, i shkruajnë Kadri Hazbiut dhe kërkojnë që të merren masa ndaj tij.

Por, në vënd që të merreshin masa e të çmobilizohet (minimumi), i biri i të arratisurit, me një rreth familjar, miqësor e shoqëror armiqësor, gradohet gjeneral-major.

Për çudi, në karakteristikat e Halim Xhelos, të përpiluara nga Kadri Hazbiu e ndonjë tjetër, këto probleme që ngrihen për të, reduktohen në raste të qëndrimit “të butë, në luftën kundër armikut”, në “qëndrime oportuniste dhe kryenaltësi”, dhe jo me emrin e tyre të vërtetë.

Gjithashtu, gënjehet kur thuhet se me familjen i ka prerë të gjitha marrdhenijet. Në dosjen e tij, ndodhet edhe letra kur Halim Xhelua, jep aprovimin e tij, për martesën e motrës me djalin e “armikut numër një të Partisë dhe të Pushtetit”, siç shkruajnë bashkëfshatarët e tij, që e njohin dhëmbë e dhëmballë.

Kam mendimin se, midis provave të shumta, edhe këto letra dhe relacione, janë një provë tjetër, që tregojnë se si, Kadri Hazbiu, i ka marrë në mbrojtje elementët e deklasuar, duke i ngritur në përgjegjësi të lartë, ashtu siç ka marrë në mbrojtje dhe Feçor Shehun me shokë.

Tiranë, më 30.11.1982

(E…. G….)

Vijon numrin e ardhshëm

Të fundit

Lëkura e mandarinës, një ilaç që mund të shërojë këto probleme shëndetësore

Për ata që nuk ishin në dijeni të saj, lëvozhgat e mandarinës përmbajnë përbërje të pabesueshme të dobishme që...

Vëllezërit Hasaj: E vramë Ramazanin se nuk hiqte dorë nga motra e vogël

Zbardhen dëshmitë e dy vëllezërve Klisman dhe Arjon Hasaj, të arrestuar për vrasjen e Ramazan Matajt në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 5 janar 2025...

4 këshilla nga pediatrit për të rritur fëmijë të shëndetshëm

Kur çiftet bëhen me fëmijë, e humbasin paksa mendjen, pasi kjo është një eksperiencë e re për ta dhe duhet t’i dedikohen plotësisht krijesave...

Berisha paraqitet në SPAK për zbatimin e masës“detyrim paraqitje”mbështetësit në protestë

Ish-kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paraqitet sot në SPAK. Ai do të zbatojë masën “Detyrim paraqitje” të vendosur nga gjykata. Ndërkohë PD...

Nga Musk te Rubio, Pam Bondi e Robert F. Kennedy Jr, ja ekipi i Trump për mandatin e dytë

Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump ka zgjedhur t’u besojë postet kyçe në administratën e tij të dytë atyre që ishin ndër mbështetësit e tij...

Lajme të tjera

Web TV