Thank You Dear Yuri!/ Lamtumira ‘diplomatikisht skandaloze’ e Edi Ramës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga EDI RAMA

Yuri Kim e mbylli misionin e saj në Shqipëri.  Ajo qëndroi njësoj sa të gjithë ambasadorët e tjerë, po qëndrimi i saj zgjati më shumë se sa i të tërë të tjerëve bashkë. Sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran më ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte, sa në instagram, e qeshur edhe kur pejsazhet nga Shqipëria ishin të vranëta, e sa përmes cicërrimave,  ku ëmbëlsisht serioze e ku seriozisht të hidhura,  nga frëngjia e Twitterit; sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë, ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore; herë si kalorëse e të gjithëpushtetshmit, herë si hije e  pushtetit dhe herë si bebisiter e kundërshtarëve të pushtetit, edhe falenderuese për miqësinë mes popujve, edhe inkurajuese për arritjet e popullit, edhe kërcënuese për të zgjedhurit nga populli, nganjëherë e bezdisur prej akuzave se po mbështet qeverinë, ndonjëherë e nervozuar prej pretendimeve se po mbështet opozitën, shpeshherë e gëzuar për pakënaqësinë e të gjitha palëve, po asnjëherë në një vend; sa në majat e maleve e në brigjet e deteve, për të dhënë mesazhe të mirëkuptuara, sa në mes të burrave me kostum për të nënkuptuar se kostumi s’të bën medoemos burrë, sa në këmbë mes fëmijëve në Tropojë për të nënvizuar se Amerika s’të njeh për burrë, e sa ulur mes plakave në Dhërmi, për të nëntreguar se asnjë burrë nuk është i domosdoshëm.

Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë. Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve. Kush më shumë e kush më pak, ambasadorët e supërfuqisë në vendin tonë kanë rënë në kurthin e ëmbëlsisë admiruese të Shqipërisë, ku Amerika shihet si Arusha e Madhe në qiell dhe një ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon, si mik i rënë nga qielli, e për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar, të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij lufton kundër padrejtësive, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët, poshtëron të pandreqshmit, një lloj gjykatësi suprem, i cili ka detyrimin moral karshi njerëzve të thjeshtë të kontestojë edhe vetë vendimet e gjykatave.

E tmerrshme në dukje, po jo edhe aq në fakt, sepse për ta vlerësuar si duhet rolin e ambasadorëve amerikanë, e posaçërisht të ambasadores që me protagonizmin e saj të veçantë na doli edhe në ëndërr, e më shtyu t’i shkruaj edhe këto radhë, duhet bërë pyetja, “A do të ishte më mirë sikur të mos ishin fare a sikur në vend se të zhytej me kokë, në vorbullën e jetës politike e institucionale të vendit, Yuri të qëndronte si sfinks mbi kodrën e butë të Rrugës së Elbasanit?”….

Unë them jo, padiskutim jo. Përkundrazi. Por ky do të ishte një shkrim i gjatë, për të cilin këtu nuk është asfare vendi.

Lexo edhe :  PD dhe opozita të fillojnë ‘stërvitjen’ për zgjedhjet e 2033

Kështu që në fund të misionit të saj, nuk më mbeti tjetër veçse t’i dorëzoj ambasadores Yuri Kim, Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, për sa shumë e deshi Shqipërinë, sa shumë u përpoq për të ndihmuar që Shqipëria në ikje të saj, të bëhej një vend më i mirë se sa ai që ishte kur ajo erdhi dhe mbi të gjitha, për bindjen time se kjo lloj Amerike, me duart e futura në organizmin e jetës sonë institucionale, ka qenë tërë këto vite të ngjitjes së mundimshme nga honi i zi i ferrit komunist në të përpjetën drejt dritës së demokracisë, një e keqe aq e domosdoshme, sa vetë forca që i ka dhënë Shqipërisë e kombit shqiptar në çdo drejtim, e padyshim edhe sa fuqia që i ka dhënë drejtësisë në Shqipëri për të luftuar, më në fund, me të këqijat që deri dje ngjanin të përjetshme dhe pa Amerikën në krah do të mbeteshin përjetë të tilla.

Prandaj njësoj si këta rreshta mbase diplomatikisht skandalozë – po ja që e vërteta s’është gjithnjë dot diplomatike kur duhet thënë patjetër –  mirënjohja e falenderimi për ambasadoren Yuri Kim, janë të ndjerë sinqerisht e të menduar krejt lirisht, teksa avioni nga Brukseli po ulet në Tiranë, ku një tjetër ambasador amerikan pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë.

Thank you for everything dear Yuri and may force be with you all the way!

God Bless you and the United States of America.

Edi Rama.

Të fundit

Ndryshim total te Metalurgjiku dhe Kombinati, parqe eko-industriale me standard të BE

Zonat industriale që janë degraduar për shkak të mungesës së aktivitetit, do të hyjnë në një fazë të re...

I vdiq pacientja gjatë ndërhyrjes, reagon mjeku Ilir Shani: Kur doli nga salla ishte mirë

Mjeku Ilir Shani, i cili realizoi operacionin e 54-vjeçares në Durrës e cila humbi jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale, ka reaguar për herë të parë...

La pas mijëra viktima/ Ky është tërmeti, 9.6 ballë më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë

Më 22 maj 1960, Kili ishte vendi i tërmetit më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë nga instrumentet sizmike. Me një magnitudë prej 9.5 ballë , por sipas burimeve të tjera...

Beti Njuma për ikjen e Artan Lames: Ti e bëre betejën tënde, por e keqja është më e fortë

Ikja e papritur e Artan Lames i ka shokuar të gjithë. Miqtë e shumtë kanë mbetur pa fjalë nga lajmi i kobshëm që mbërriti...

Si po përpiqen dronët-mashtrues rusë të mposhtin mbrojtjen ukrainase

Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia shpesh quhet lufta e parë e madhe me dronë. Sipas mediave të huaja, ndërsa konflikti...

Lajme të tjera

Web TV