Tjetër “shuplakë” për Kosovën, Gjermania ndërpret bashkëpunimin në disa fusha

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Nga kjo masë – të cilën Gjermania thotë se e mori në përputhje me veprimet e Brukselit – nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t’i zbatojmë”.

“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për REL-in.

Në fund të muajit qershor, BE-ja njoftoi se kishte vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që Qeveria e vendit nuk ndërmori hapat e kërkuar nga blloku evropian për shtensionim të situatës në veri.

Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.

Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.