Nuk është thjesht një fiasko fiskale. Kjo ndërlikon problemet e tkurrjes së fuqisë punëtore dhe rritjes së faturave për kujdesin shëndetësor dhe pensionet, shkruan The Economist
“Adami është një fëmijë i veçantë”, thotë rrëfyesi, teksa kamera kalon nëpër klasa dhe maternitete të braktisura.
“Ai është fëmija i fundit i lindur në Itali”. Filmi i shkurtër i realizuar nga Plasmon, një markë italiane e ushqimeve për fëmijë, në pronësi të Kraft-Heinz, një kompani gjigante amerikane, përfytyron Italinë në vitin 2050, si një vend ku foshnjat i përkasin tashmë së shkuarës.
Sigurisht, imagjinata është e tepruar, por jo aq shumë sa ç’pandehni. Numri i lindjeve në Itali, arriti kulmin në 1 milion në vitin 1964; deri në vitin 2050, sipas parashikimeve të OKB-së, ai do të jetë zvogëluar me pothuajse dy të tretat, duke arritur në 346,000.
Plasmon e di mirë se kjo nuk është një gjë e mirë për biznesin: mungesa e foshnjave do të ulë shitjet e ushqimit për fëmijë. Por plakja e shpejtë e shumë vendeve në mbarë botën, nuk do të jetë e keqe vetëm për disa industri, apo për qeveritë, kostot e të cilave do të rriten ndërsa të ardhurat bien.
Rënia e numrit të punëtorëve të rinj të arsimuar që hyjnë në tregun e punës, do të ulë gjithashtu risinë, duke zvogëluar rritjen e përgjithshme ekonomike.
Me kalimin e kohës, ky efekt mund të jetë rezultati më i dëmshëm ekonomik “i thinjave” të vendeve të pasura, edhe më tepër se faturat në rritje për pensionet dhe kujdesin shëndetësor.
Italia dhe Japonia në veçanti, janë vendet më problematike për rënien demografike dhe pasojat e saj ekonomike. Në të dyja vendet, shkalla e lindshmërisë (pra, numri i fëmijëve që lind mesatarisht një grua gjatë jetës) ra nën 2.1 në vitet 1970.
Niveli 2.1 njihet si shkalla e zëvendësimit, pasi mban një popullsi të qëndrueshme me kalimin e kohës. Një nivel më i ulët do të çojë përfundimisht në rënien e popullsisë, diçka që vende si Italia dhe Japonia, e kanë vuajtur për rreth një dekadë.
Një italian mesatar tani është 47 vjeç; një japonez mesatar është 49 vjeç. Në fillim të këtij viti, kryeministri i Japonisë, Kishida Fumio, paralajmëroi se vendi është “në prag të paaftësisë për të mbajtur në këmbë funksionet sociale”, për shkak të rënies së lindjeve.
Por Italia dhe Japonia nuk janë shembujt më të skajshëm të rënies demografike. Në vitin 2022, Koreja e Jugut kishte një normë lindshmërie prej vetëm 0.8. Një normë nën 1, nënkupton se brezi i ardhshëm do të jetë më pak se gjysma e numrit të brezit të prindërve.
Në vitin 2012, OKB-ja parashikoi se popullsia e Koresë së Jugut, do të zvogëlohej vetëm me një të pestën deri në fund të shekullit, nga 52 milionë sot, në 41 milionë deri në vitin 2100. Megjithatë, parashikimet më të fundit tregojnë se popullsia do të bjerë me më shumë se gjysmën, gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në vetëm 24 milion (shih grafikun 1).
Koreja e Jugut mund të jetë një rast i jashtëzakonshëm, por e vërteta është se rënia demografike po bëhet e zakonshme gjithandej. Në vitin 2010, 98 shtete dhe territore regjistruan norma lindshmërie nën 2.1.
Deri në vitin 2021, numri i shteteve që përjetuan nivele të tilla lindshmërie, ishte rritur në 124, më shumë se gjysma e vendeve për të cilat OKB-ja mbledh të dhëna (shih hartën). Deri në vitin 2030, pritet që shifra të arrijë në 136.
Matthias Doepke, ekonomist i cili studion shkaqet financiare dhe efektet e ndryshimeve në lindshmëri, vëren se rënia e normave të lindjeve nuk kufizohet më në vendet më të pasura ose në familjet më të pasura brenda një vendi të caktuar.
“Ka një konvergjencë globale në aspiratat e grave për karrierë dhe jetë familjare”, thotë zoti Doepke. Normat e lindshmërisë për gratë me më pak vite arsimi, kanë rënë në krahasim me bashkëmoshataret e tyre më të arsimuara. Në fakt, gratë në Amerikë me 16 vjet shkollim (kryesisht ato me diploma universitare), kanë mesatarisht më pak fëmijë se ato me më shumë vite arsim.
Në të njëjtën mënyrë, normat e ulëta të lindshmërisë, janë përhapur nga vendet e pasura si Italia dhe Japonia, në ato me të ardhura mesatare si Tajlanda (1.3) dhe Brazili (1.6). Për më tepër, shkalla e lindshmërisë së Indisë, kohët e fundit ra nën 2.1 dhe pritet të vazhdojë të bjerë.
Meqenëse përbën një të pestën e popullsisë së botës, kjo do të ketë pasoja globale. 15 ekonomitë më të mëdha në botë, përfshirë Brazilin, Kinën, Indinë dhe Meksikën, kanë të gjitha norma lindshmërie nën 2.1.
Parashikimet
Në vitin 2021, kishte 782 milionë njerëz të moshës 21 deri në 30 vjeç në vendet ku lindshmëria është nën normën e zëvendësimit. Deri në vitin 2050, ky grup pritet të jetë ulur me një të pestën, në 619 milionë.
Kjo rënie nuk është thjesht një parashikim subjektiv dhe i diskutueshëm: shumica e anëtarëve të këtij brezi tashmë kanë lindur dhe normat e lindshmërisë nuk ndryshojnë me shpejtësi. Në vendet ku shkalla e lindshmërisë është nën 1.5, ku përfshihet pothuajse e gjithë Azia Lindore dhe pjesa më e madhe e Europës, rënia do të jetë më e skajshme, dhe i njëjti grup do të tkurret me 37%.
Në vend të një strukture popullsie që ka formën e një piramide, ku çdo brez i ri është më i madh në numër se ai paraardhës, apo edhe formën e një shtylle, ku të gjithë brezat kanë një madhësi të ngjashme, popullsitë e këtyre vendeve do të shndërrohen në piramida të përmbysura, ku brezat e vjetër do të zëvendësohen nga grupe gjithnjë e më të vegjël.
Në disa pjesë të botës, kjo tashmë ka ndodhur: numri i kinezëve të moshës 21 deri në 30 vjeç, ka rënë nga 232 milionë në kulmin e tij në vitin 2012, në 181 milionë në vitin 2021. Rënia do të përshpejtohet në vitet 2040, duke e lënë Kinën me më pak se 100 milionë njerëz të kësaj grupmoshe në mesin e viteve 2050.
Popullsia e Europës në të njëjtën kategori moshe, do të bjerë nga rreth 85 milionë, në nën 60 milionë në të njëjtën periudhë.
Mënyra e qartë për të kompensuar uljen e nivelit të lindjeve është emigracioni, i cili është në rritje në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, pavarësisht tensioneve politike që ka krijuar në vitet e fundit. Por ndërsa rënia demografike prek gjithnjë e më shumë vende, emigrantët e arsimuar do të bëhen më të vështirë për t’u gjetur, edhe pse zvogëlimi i popullsisë së lindur nga vendasit, po përshpejtohet në shumë vende të pasura.
Për Kinën, me popullsi rreth 1.4 miliardë, ideja se mund të gjenden emigrantë të mjaftueshëm për të eliminuar efektet e uljes së nivelit të lindjeve, do të ishte fantastike. Megjithëse popullsia e Indisë është ende në rritje, ajo do të arrijë kulmin në vitet 2060, apo edhe më shpejt.
Afrika Nënsahariane është i vetmi rajon i botës që duket se ka të ngjarë të jetë një burim i madh i emigrantëve të mundshëm për shumë vite në vijim. Por edhe atje, nivelet e lindjeve po bien më shpejt se parashikimet. Edhe pse emigrimi do të vazhdojë të zbusë rënien demografike në shumë vende për dekada, në terma afatgjatë, ai nuk mund të kompensojë plotësisht uljen e numrit të foshnjave në ekonomitë e mëdha.
Disa nga pasojat e këtyre ndryshimeve demografike, janë të njohura. Një popullsi gjithnjë e më e thinjur sjell shpenzime më të larta për pensionet dhe kujdesin shëndetësor, dhe njëkohësisht do të ketë më pak njerëz në moshë pune për të paguar taksat e kërkuara.
Vendet e pasura aktualisht kanë rreth tre njerëz midis moshës 20 dhe 64 vjeç, për çdo njeri mbi moshën 65 vjeç. Deri në vitin 2050, ky raport do të tkurret në më pak se dy me një. Kjo do të kërkojë rritjen e mëtejshme të moshës së daljes në pension, taksa më të larta ose të dyja.
Megjithatë, pasojat ekonomike të rënies demografike, nuk janë vetëm fiskale. Puna është një nga tre përcaktuesit kryesorë të rritjes, së bashku me kapitalin dhe efikasitetin me të cilin përdoren të dyja (produktiviteti).
Duke i hamendësuar faktorët e tjerë si të barabartë, tkurrja e fuqisë punëtore çon automatikisht në uljen e rritjes ekonomike. Por rënia demografike ka gjithashtu efekte të dëmshme mbi kapitalin dhe produktivitetin, që janë shumë më pak të qarta.
Shumë ekonomistë besojnë se një popullsi më e vogël në moshë pune do të ulë normat e interesit në terma realë (pra, pas llogaritjes së inflacionit), sepse do të ketë më pak mundësi investimi dhe një stok të madh kursimesh të grumbulluara nga ata që janë në pension ose afër moshës së pensionit.
Por të tjerë, si Charles Goodhart, ish-zyrtar në Bankën e Anglisë, besojnë se efekti do të jetë i kundërt. Ndërsa më shumë njerëz hyjnë në pension dhe ndalin kursimet, por vazhdojnë të konsumojnë, do të ketë më pak fonde për investime, duke rritur normat reale të interesit.
Të dyja palët pajtohen se një popullsi në plakje do të zvogëlojë kursimet dhe investimet, por nuk pajtohen se cilët do të bien më shpejt. Shumica e provave tregojnë se do të ketë norma interesi më të ulëta: shumë ekonomi në zhvillim kanë ende kursime të grumbulluara që do t’i vlejnë për disa dekada dhe pensionistët shpesh i ruajnë kursimet në vend që t’i shpenzojnë ato. Sidoqoftë, ndryshimet demografike do të kenë ndikime të mëdha te tregjet.
Në përgjithësi, normat e ulëta reale të interesit janë diçka pozitive për ata që kanë grumbulluar tashmë asete, por janë diçka e keqe për ata që ende po përpiqen të kursejnë, duke përfshirë rritjen e numrit të punëtorëve që i afrohen pensionit me rezerva kursimesh të pamjaftueshme.
Rënia demografike mund të ketë efektin më shqetësues mbi produktivitetin. Të rinjtë kanë më shumë “inteligjencë të lëngshme”, siç e quajnë psikologët, që do të thotë se kanë aftësinë për të zgjidhur probleme të reja dhe për t’u angazhuar me ide të reja. Ndërsa të moshuarit kanë më shumë “inteligjencë të kristalizuar”, pra një rezervë njohurish për mënyrën se si funksionojnë gjërat, e ndërtuar me kalimin e kohës.
Shumica e studimeve tregojnë se “inteligjenca e lëngshme” ka prirjen të arrijë kulmin në fillim të moshës madhore dhe bie në të 30-at e njerëzve. Të dyja llojet e inteligjencës janë të dobishme: kompanitë, industritë dhe ekonomitë kanë nevojë për të rinj të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të reja dhe për veteranë me përvojë, të pajisur me njohuri të gjera e të hollësishme. Por të dyja nuk kanë vlerë të njëjtë kur bëhet fjalë për risinë.
Në studimin e botuar në vitin 2021, dy ekonomistët Mary Kaltenberg dhe Adam Jaffe, dhe psikologia Margie Lachman, përdorën një bazë të dhënash prej 3 milionë patentash të depozituara gjatë më shumë se 40 viteve, për të studiuar marrëdhënien midis risisë dhe moshës.
Në varësi të disiplinës shkencore, autorët vërejnë se normat e patentimit arrinin kulmin në fund të të 30-ave dhe në fillim të të 40-ave të një studiuesi. Shkalla e patentimit më pas bie në mënyrë të përshkallëzuar në të 40-at dhe të 50-at.
Por për risitë “përçarëse”, të cilat ndryshojnë rrënjësisht një fushë shkencore, tabloja është shumë e ndryshme. Studiuesit përdorën një matje të “risive përçarëse”, duke u mbështetur në numrin e citimeve të një shpikjeje të caktuar, në patentat e ardhshme.
Nëse një patentë e caktuar citohet nga shpikësit pasues, por paraardhësit teknologjikë të kësaj patente nuk citohen, atëherë ajo kategorizohet si një risi “përçarëse” dhe jo si një risi e vogël.
Për shembull, puna e Kary Mullis, një biokimist që fitoi çmimin “Nobel” për kërkimet në fushën e reaksioneve të zinxhirit polimerazë, është një themel mbështetës për shumë testime moderne gjenetike dhe mjekësore.
Pasi Mullis botoi punën e tij, citimet e teknologjive të mëparshme në të njëjtën fushë, u ulën. Zoti Jaffe, zonja Kaltenberg dhe zonja Lachman, zbuluan se patentat e paraqitura nga shpikësit më të rinj, kanë shumë më tepër gjasa të jenë risi krejtësisht të reja, që ndryshojnë disiplinën, dhe ndërsa shpikësit plaken, patentat që ata depozitojnë përmbajnë gjithnjë e më pak risi.
Kjo ka rëndësi, sepse risia rrit produktivitetin. Përmirësimet në proceset ekzistuese dhe shpikja e mënyrave krejt të reja për të kryer gjërat, mundësojnë që të prodhohen më shumë gjëra, me të njëjtën sasi pune dhe kapitali.
Në terma afatgjatë, vetëm duke rritur produktivitetin, mund të ngrihen standardet e jetesës. Rënia demografike do ta zhdukë atë kontribut me kalimin e kohës duke pakësuar numrin e ideve të reja që rrjedhin nga mendjet inteligjente të punëtorëve të rinj.
Edhe një normë disi më e ulët e rritjes së produktivitetit, do të rrisë ndikimin negativ me kalimin e viteve, duke e bërë një ekonomi dukshëm më të vogël.
Gjatë lulëzimit të shpejtë të rritjes ekonomike në epokën e pasluftës në vendet e pasura, midis viteve 1947 dhe 1973, rritja e produktivitetit përbënte rreth 60% të rritjes së prodhimit për punëtor në Amerikë, Britani, Francë, Itali, Japoni dhe Gjermani Perëndimore. Amerika është rritur shumë më shpejt se pjesa tjetër e vendeve të pasura që nga kriza globale financiare e viteve 2007-‘09, kryesisht falë produktivitetit më të lartë.
Nëse rënia e lindshmërisë do të kufizohej në disa vende, ose në një rajon të caktuar, ndikimi në risi mund të mos ishte aq i rëndë. Teknologjitë e shpikura në një vend përfundojnë duke u përhapur edhe në vendet e tjera. Çipat kompjuterikë nuk duhej të rishpikeshin në çdo cep të botës për të përmirësuar produktivitetin global. Por fakti që lindshmëria po bie njëkohësisht në shumë vende, do të thotë se pasojat në uljen e risisë do të ndihen globalisht.
Disa studiues besojnë se një ulje e tillë e risisë për shkak të demografisë, është duke ndodhur tashmë në disa pjesë të botës. James Liang, ekonomist dhe demograf kinez, vëren se sipërmarrja është më e ulët në vendet me popullsi më të moshuar: një rritje e moshës mesatare të një vendi me rreth 3.5 vjet, çon në një rënie të sipërmarrjes me 2.5 pikë përqindje. (pra, ulja e përqindjes së të rriturve që hapin një biznes të ri). Ky është një efekt i madh, duke marrë parasysh se shkalla globale e sipërmarrjes ishte rreth 6.1% në vitin 2010.
Për më tepër, kjo marrëdhënie nuk reflekton thjesht mungesën relative të të rinjve në shoqëritë e plakura. Të rinjtë në vende të tilla gjithashtu duket se fillojnë biznese me ritme më të ulëta se bashkëmoshatarët e tyre në shoqëri më pak të plakura.
Kjo dukuri, sipas zotit Liang, mund të jetë shkaku i “vakumit të sipërmarrësve” në Japoni. Deri në vitin 2010, shpikësit japonezë ishin prodhuesit më të mëdhenj të patentave në 35 industri globale, sipas Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, një agjenci e OKB-së.
Deri në vitin 2021, ata udhëhiqnin në vetëm tre industri. Japonia ka mbetur jo vetëm mbrapa Kinës, e cila tani zë shumicën e vendeve të para në listë, por edhe mbrapa Amerikës.
Perspektivë e zymtë
Po të vërejmë vetëm fushat më të reja, ku ka më shumë gjasa të arrihen risi të reja radikale, sërish perspektiva nuk duket e mirë. Në një analizë të botuar nga Qendra e Londrës mbi Performancën Ekonomike në London School of Economics, Antonin Bergeaud dhe Cyril Verluise, theksojnë se kontributi i Japonisë në manipulimin e gjenomit dhe teknologjinë blockchain, është zvogëluar në pothuajse zero.
Japonia që dikur kishte një rol kryesor në ruajtjen e hidrogjenit, automjetet me vetëdrejtim dhe vizionin kompjuterik (një formë e Inteligjencës Artificiale që trajnon kompjuterët për të interpretuar imazhet), tani është katandisur në një aktor me rol mbështetës, pas Amerikës, Kinës ose të dyjave.
Përpjekjet për të rritur lindshmërinë
Qeveritë janë të pafuqishme për të rritur në nivelet e mëparshme normat në rënie të lindjeve. Përpjekjet në vende të ndryshme për të nxitur gratë që të kenë më shumë fëmijë, zakonisht kanë dhënë rezultate të pakta. Mbështetjet bujare të ofruara nga qeveritë e Hungarisë dhe Polonisë, përkatësisht në formën e kredive të tatimit mbi të ardhurat dhe pagesave shtesë, kanë pasur efekt të vogël në lindshmëri.
Singapori ofron grante të mëdha për prindërit e fëmijëve të rinj, me shuma që tani arrijnë në 11,000 $ S$ (8,300 $) për dy fëmijët e parë dhe 13,000 $ S$ për më shumë se dy fëmijë, përveç uljes së taksave dhe subvencioneve për kujdesin ndaj fëmijëve.
Prindërve u jepet përparësi ndaj blerësve të tjerë në skemat e shitjes së apartamenteve të subvencionuara. Por shkalla totale e lindshmërisë së Singaporit është vetëm 1.0: cilido qoftë efekti i politikave, ai nuk është aq i madh sa për të shmangur rënien demografike.
Natyrisht, lindshmëria nuk është i vetmi, madje as përcaktuesi kryesor i produktivitetit. Sepse nëse do të ishte kështu, atëherë disa nga ekonomitë më të varfra të Afrikës Nënsahariane, do të ishin më dinamiket në botë.
Nivelet e arsimit, besueshmëria e sistemeve ligjore dhe financiare dhe ekzistenca e rrjeteve të inovatorëve që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, kanë rëndësi. Japonia është ende më inovative se shumë vende të tjera të pasura me një moshë mesatare më të ulët. Por demografia mund të rrisë ose të zbehë potencialin themelor të një vendi.
Kjo tregon se ka mënyra për të luftuar efektet negative të rënies demografike në risi, duke u përqendruar kështu në faktorë të tjerë që rrisin produktivitetin.
Më i dukshmi është arsimi, i cili u lejon shoqërive të plakura të përdorin më mirë grupin e pakësuar të të rinjve. Sidomos në vendet me të ardhura mesatare si Brazili dhe Kina, ka miliona njerëz që nuk marrin arsimin e duhur dhe kontributi i të cilëve në ekonomi është i vogël pikërisht për këtë arsye.
E njëjta gjë është e vërtetë për pjesën më të madhe të vendeve të pasura. Për shembull, pavarësisht se sa inteligjentë mund të jenë, punëtorët e paarsimuar nuk mund të krijojnë ide inovatore në mjekësi apo në informatikë.
Ndërsa fuqia punëtore e mundshme po zvogëlohet, maksimizimi i prodhimit të të gjithëve që janë pjesë e saj, do të bëhet me rëndësi thelbësore dhe mund të ndihmojë në uljen e efekteve të një popullsie në plakje në fushën e risisë, të paktën për disa kohë.
Teknologjia gjithashtu mund të ofrojë mënyra për të përballuar ndryshimet demografike, nga telemjekësia, deri te rritja e përdorimit të robotëve në industritë e shërbimeve.
Risi të tilla pa dyshim që mund të lehtësojnë vështirësitë që sjell një shoqëri në plakje, qoftë duke kontribuar drejtpërdrejt në kujdesin e të moshuarve, ose duke automatizuar rolet e punëtorëve të rinj. Por pakësimi i numrit të mendimtarëve të rinj novatorë do të ulë numrin e ideve të reja që janë kaq të vlefshme.
Mungesa në risinë njerëzore mund të jetë gjithashtu më pak e dëmshme nëse kompensohet nga idetë e reja të konceptuara nga Inteligjenca Artificiale.
Duket se nuk ka dyshim se kjo teknologji së shpejti do të përdoret për të gjetur mënyra se si mund të bëhen përmirësime në proceset ekzistuese, në të vërtetë, në disa fusha, kjo është duke ndodhur tashmë. Sidoqoftë, nuk dihet nëse Inteligjenca Artificiale do të arrijë ndonjëherë të krijojë ide të reja inovative që ndryshojnë shoqërinë.
Filmi i markës Plasmon, për fëmijën e fundit në Itali, përfundon me një diskutim për fëmijët si një simbol i shpresës. Ai i udhëzon shikuesit në një faqe interneti që këshillon politika për të promovuar familje më të mëdha.
Faqja e internetit u kërkon lexuesve të nënshkruajnë një peticion që bën thirrje për veprim. Gati 8,000 e kanë bërë këtë. Teksa numri i italianëve vazhdon të pakësohet dhe veçanërisht numri i të rinjve, nuk janë vetëm blerësit e ushqimeve për fëmijë që do të përballen me mungesa. Plasmon do ta ketë të vështirë të gjejë talente krijuese për të sajuar fushata të zgjuara reklamuese, aq më pak për të hartuar politika të reja për të rritur numrin e lindjeve.
Përktheu: Lira Muça