Nga Qazim Shehu
Romani “Agmia e jetës sime”, me nëntitull “Fisnikja”, është shkruar me një pasion të thellë nga autori Pjetër Meta,çka dëshmon se kemi të bëjmë me një vepër jo vetëm të kujtesës, por edhe të lartësimit të figurës së gruas, ku dalin në pah cilësitë më të mira të saj.
Ky roman është një dëshmi e shpirtit njerëzor, që reflekton mirënjohje,dashuri erespekt.Ajo që të bën për vete dhe tërheq, është rrëfimi autentik, larg skemave dhe ndodhive të zakonshme, një rrëfim i qetë, i shtruar, plot lirizëm dhe intonacione të ngrohta.
Romane të tilla autobiografikë,me përmasën e një ditari pa data,letërsia botërore njeh apo nëse i referohemi teorisë se çdo shkrimtar pasyron në vepër atë që ka përjetuar,mund të themi se ky roman, në këtë të fundit, gjen shprehjen e vet më adekuate.
Vepra ngrihet përmes një rrëfimi linear-klasik dhe kompozohet në qasjen e idesë sesi mund të ecë njeriu përpara, burri, sidomos,kur atij,pa dashjen e tij, i afrohen rrethana ekzistenciale.Ai nuk i dorëzohet absurdit apo lirisë absolute,por ia del të çajë pengesat, të përballojë sfidat e kohës kur përkrahu ka një bashkëshorte të mirë.E këtu na vijnë ndërmend fjalët e Gëtes te “Fausti”, kur thotë: “Vatër e ngrohtë, grua e mirë, janë ar dhe xhevahir”.
Pjetër Meta është një autor i vjetër,me studime të shumta komplementare nga treva e Nikaj –Mërturit.Si regjistrues,selektues i fakteve ,ngjarjeve nga jeta,ai ka një përvojë të madhe.Kjo e ka ndihmuar atë në shkrimin e prozës.Kështu, rrëfimtaria e tij është e sinqertë, e ndodhur,e përjetuar, aspak sajuese.Por kjo rrëfimtari do të mbetej e mangët, pa trillin artistik,përshkrimet dhe detajet mbresëlënëse,tablotë e gjera dhe të veçanta nga jeta nëpër vite.
Autori nuk mëton të na japë sagën e një familje(kujtojmë se të tillë autorë, si Moris Dryon(Familjet e Mëdha )ose Xhon Gollsuorthi(Saga e Forsajtëve) e kanë dhënë me sukses;por ai del dhe nuk anashkalon kuadratin e saj teksa, në mënyrë realiste, me një tonalitet lirik, na jep vështirësitë e një familje,ecjen e saj nëpër kohë,një familje pa arsim ,por që donte arsimin,një familje të kufizuar gjeografikisht ,por që e shpërthen gjeografinë e shpirtit, duke kërkuar sa më shumë në jetë dhe për jetën.
E në këtë vështrim romanesk ,duke ndërtuar një prozë të rrjedhshme e të shtruar,këtu patjetër një rol të veçantë ka gruaja,nënat malësore, bashkëshortja si përkrahëse e burrit ,por edhe nxitëse e tij, për ta parë jetën më me guxim,më me shpresë ,duke dhënë kontributin e saj të jashtëzakonshëm.
Me këto tipare e ka skalitur autori Agminë,duke na sjellë një personazh që identifikohet artistikisht,brenda normave jetësore të kohës,por edhe brenda ideve gjithëkohore,çka përbën edhe filozofinë artistike të prozës së tij.
Vështruar në këtë prizëm,mund të themi se romani është një filozofi e shpirtit njerëzor,një filozofi e tërëhershme,e konceptuar edhe në natyrën adhuruese ndaj femrës dinjitoze,me plot vullnet për të sakrifikuar,jo si kokulur,por si e ndërgjegjshme.
Imazhi i botës së librit janë historitë e gjata dhe të gjalla,e gjithë bota është një kërkim dhe mbështetje,dhe mbështetja më fisnike është gruaja.Këto ide dhe ndjenja të çiltra zgjerojnë natyrisht edhe gamën e mundësive stilistikore,teksa vërejmë se ndeshim me një fjali nga ku buron sinqeriteti,një fjali që ruan koherencën në rimarrjen logjike të episodeve dhe të shtjellimit rrëfimor të tyre nga njëra te tjetra.
Autori ngre një ngrehinë të strukturuar mirë,e këtë ngrehinë e mbajnë kolonat e ideve si dhe gdhendja në mënyrë realiste e poetike e portretit të Agmisë,e cila paraqet figurën e malësores së dikurshme, që di të sakrifikojë,një grua me qëndresë të lartë morale dhe shpirtërore.
Në rrugën kryesore të arsimimit të një burri të kohës,të etur për dije, dalin në pah edhe shumë pengesa,normat zakonore të kohës,respekti i detyruar për to,por edhe mendja e hapur e një gruaje fisnike.
I ndërtuar në dy plane,prej nga merr formën edhe arkitektura e romanit,të burrit që i duhet të çajë në jetë qoftë për arsimimin,qoftë edhe me kurthet e intrigat e kohës,të personave që kishin pushtet a diçka në dorë,pastaj të një gruaje mbështetëse, autori ka ditur që përmes tij të vështroj portretin e gruas dhe përmes portretit të saj të gdhendë edhe personazhin-burrë,gjithnjë në një ndërsjellje estetike,duke krijuar një ansambël bashkëveprues të ngjarjeve, të roleve, të cilat duhet të luhen në jetë,larg hipokrizisë apo denatyrimit njerëzor,por brenda bindjes së sinqertë dhe të besuar.
Ajo që vemë re në stilin e Pjetër Metës është se autori nuk rrëfen thjesht ngjarjet,epsiodet ,por i transmeton ato emocionalisht përmes ndërhyrjeve autoriale.
Distanca midis rrëfimtarit dhe ngjarjes shkrihet dhe ,nganjëherë, ky kufi zhvendoset deri sa ngjarje minimizohet, aq sa të duket se ky roman i afrohet kufirit të një poeme të shpirtit njerëzor.Kjo,natyrisht është një veçori e stilit të autorit,por këtë e kërkon edhe natyra e temës,motiveve,si dhe qëndrimi i anshëm ideo-emocional i autorit.
Sot kur në shoqërinë shqiptare raportet në familje janë tronditur shumë për shkaqe që dihen(emigracioni,ndjenja e pasurimit dhe e konsumit, bombardimi i informacionit),ky roman vjen si një manual shpirtëror,plot dëshmi autentike dhe tregon se cila është në të vërtetë fisnikëria e gruas.Prandaj edhe titulli shënon një nëntitull domethënës dhe apelon për mos-humbjen e ndjenjave njerëzore në kushtet e modernitetit klithës.
Krahas përshkrimit të natyrës së bukur të Nikaj-Mërturit,autori arrin të na sjellë jo vetëm pamjet sociale të kohës që shoqëroheshin me ngushtësi ekonomike dhe mentale,por edhe vlera etnografike dhe zakonore,dhe ,edhe për këtë, ia vlen të lexohet ky roman.
Pikërisht në një kohë të vështirë farkëtohen shpirtra të pastër,ashtu si dhe marrin vlerë disa mësime të rëndësishme.Vijnë pastaj kohëra të mëvonshme,kur duket se harrohen gjërat e mira,por autori me këtë roman apelon të mos i harrojmë ato dhe ia arrin qëllimit duke realizuar një roman me thellësi idesh,narrativë të rrjedhme e mpleksje situatash, që shpalosen përmes rrjedhës së jetës.
Romani ka vlera të padiskutueshme gjuhësore.Këto vlera tregojnë sesa me dashuri dhe kujdes autori e ndërton frazën,si e përzgjedh leksikun,si herë-herë përdor trajta dialektore në funksion stilistik,si i ngjyros ndjenjat qoftë edhe me një fjalë.Romani është një prozë mbresash dhe përjetimesh ku spikat dashuria e thellë,bota e pasur e njeriut në vlerësim për dytësin e tij,linja bashkëshortore ndërtohet përmes vështrimit të së sotmes,kohë kur njeriu verifikon veten dhe kohën,e përmes këtij pikëvështrimi buron qasja për të dikurshmen.Autori nuk ka hequr dorë prej përshkrimeve që japin përditshmërinë në rrafsh horizontal e vertikal.Rrugëtimi nënëpër kohë i jep rrëfimit frymëmarrje dhe gjerësi,prej nga burojnë edhe mjaft ide,filozofi që vishen me mantelin jetësor dhe bindshëm konturojnë pamje të jetës.Në përfundim,autori,PjetërMeta,sjell një përmasë reale të botës së gruas si bashkëshorte ,por edhe devotshmërinë e saj si përkrahëse të burrit.Dhe në këtë libër triumfon jeta përmes dashurisë.
Është një roman që lexohet sa për një prozë që thuret me ngjarje dhe episode,aq edhe refleksive,konkludive,ku shndrit pasioni për jetën dhe si mirënjohje për gjithçka që tjetri sakrifikon për ty.