Lorenc Vangjeli
Në PD-në zyrtare u zhvilluan zgjedhjet për kryetar dhe sikurse pritej u rikonfirmua Lulzim Basha, për të katërtën herë radhazi. Në tre raste është zgjedhur kryetar me ndikimin e dukshëm të Berishës, ndërsa në rastin e fundit me kundërshtar të dukshëm Berishën, por larg partisë. A është ky një “fillim i ri” për PD-në? Kujtojmë që Basha në daljen e parë publike përsëriti sërish fjalët: “Beteja tani fillon”…
Më shumë se slogan, fraza e ripërsëritur e zotit Lulzim Basha” “Beteja tani fillon…”, ka hyrë në fjalorin politik si një anekdodë jo për fillimin, por për fundin, jo për prologun, por për epilogun, duke dëshmuar sesi mbaron beteja: duke humbur! Alkimia politike e tij, për shkak të rrethanave dhe faktorëve edhe nga ata që janë krejtësisht të kundërt – zgjedhjet, Berisha e Rama – megjithatë ka arritur të krijojë një mrekulli personale për të dhe një disfatë të pashembullt për grupin e tij. Zgjedhjet e kanë mumifikuar si humbës serial, Berisha, pavarësisht zhgënjimit të së sotmes ka qenë arkitekti i ngjitjes dhe qëndrimit të tij në krye të partisë dhe Rama që, pavarësisht se i intereson, as nuk e shijon më triumfin mbi një kundërshtar të tillë. Telenovela PD që së paku në rrafshin legal e ka humbur prej kohësh fillin e saj dhe është një rebus pa zgjidhje juridike, mund të kishte pasur në një këtë seri të radhës edhe një zgjidhje tjetër që do t’i kishte kursyer këtë cirk një mujor vetë Bashës. Ai mund të ishte dorëhequr nga dorëheqja e tij e vitit të shkuar dhe me vetëm 250 lekë taksë pulle e shërbimi, mund të kishte marrë vërtetim nga gjykata e Tiranës që vazhdonte të ishte kryetar i PD-së. Në regjistrin e gjykatës, emri i zotit Basha si kryetar partie, nuk është shuar kurrë. Shëtitja nëpër bare e lokale kudo në Shqipëri, nuk i ka dhënë as më shumë legjitimitet institucional dhe as më tepër legjitimitet moral kryetarit të ri të kësaj pjese të PD-së. Në një shoqëri aksjonere, siç do të duhej të funksiononin partitë politike, kjo gjë do të ishte normale, ndaj nuk do të tingëllonte anormale në rastin e PD-së, sa kohë që agjenda ekonomike e zotit Basha mbizotëron mbi agjendën e tij politike. E gjithë fushata e tij ishte një supë burgu që demokratët e mbetur në këtë anë të gardhit do ta hanë nga e keqja.
Me ardhjen e Bashës në krye të PD-së zyrtare kanë dalë edhe shumë zëra kundër, përfshi sekretarin e Përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi dhe disa deputetë të tjerë që dikur mbështetën Bashën përballë Berishës, por nuk pranojnë rikthimin e tij në kushtet aktuale të opozitës. Kush është partia (njerëzit) që drejton Basha?
Ka një gabim thelbësor dhe një keqkuptim gati fëmijëror si nga kundërshtarët e rizgjedhjes, si nga partizanët e saj. E gjithë situata në opozitë nuk mund të zgjidhet me mjete juridike, me nene statuti apo interpretime të tij. Zgjidhja kalon vetëm nëpërmjet mjeteve dhe instrumenteve politikë, të cilat i refuzojnë të dyja palët. Kjo është arsyeja që kushtëzon bindjen se në mënyrën e zgjedhur, zoti Basha qeveris vetëm ambicien e tij personale dhe maksimumi, edhe egoizmin e dy apo tre emrave të tjerë pranë tij. Të kërkosh tjetër gjë në këtë situatë është një process i dështuar që në fillim; natyra ka disa shembuj krijesash të rralla, as meshkuj e as femre, që qëndrojnë në hallkat e fundit në zinxhirin e ushqimit, që janë të afta të vetëshumëzohen pa partner, domethënë, pa pasur marrëdhënie seksuale. Edhe pse në majën e zinxhirit të evolucionit, tek njeriu si krijesë me ndërgjegje kjo mund të duket e habitshme, në këtë kat të poshtëm, kjo gjë duket normalitet. Madje dhe më shumë se kaq, ajo mund të jetë botë e lumtur. Botë e vetëmjaftueshme.
Ka artikulime jo të pakta që mendojnë se në muajt në vijim, për shkak të disa konjukturave politike, ndërkombëtare, por edhe të funksionimit të drejtësisë, Rama dhe Basha mund të shkojnë në një bashkëqeverisje, qoftë edhe në një periudhë tranzitore. Nëse kjo ndodh, në kushtet që Berisha dhe Meta nuk kanë forcë elektorale dhe mbi të gjitha mbështetje ndërkombëtare, kjo është “fitore” e Bashës dhe “humbje” e Ramës, apo anasjelltas?
Në këtë kohë trazimesh dhe habish, mundësia që të ndodhë e pamundura, sado minimale të jenë shanset, sërish pamundura nuk mund të mohohet totalisht. Por për të mbërritur në këtë rrafsh, gati në të njëjtin nivel me zeron absolute, duhet parë sesi do të funksiononte një martesë e tillë. Rama është i qartë dhe konsekuent në dëshirën e tij për të qeverisur i vetëm. Në 2009-ën ai humbi një palë zgjedhje gati të sigurta pikërisht për këtë arsye sepse nuk do te të bënte koalicion parazgjedhor me Metën. Katër vjet më pas ai e shmangu gabimin e hershëm, por në 2017-ën, sapo ju dha mundësia, u çlirua nga Meta. Atëherë, nëse do t’i duhej të zgjidhte mes një kafshe të egër politike si Meta dhe një kafshe të butë shtëpiake si Basha, ai nuk do të kishte hezituar të bashkohej me mjaullimën dhe jo me ulërimën. Po kështu ishte edhe në 2021-in. Dhe të mendohet se në 2023-shin ai do t’i kthehet sërish bashkëqeverisjes me Bashën, kjo ngjan në kufijtë e fantashkencës. Që logjika nuk e pranon sepse Rama nuk ka asnjë interes tek ai dhe Basha vetë nuk mund të ushqejë asnjë interes të Ramës, thjesht sepse është i pafuqishëm. Skandali që do të shpërthejë për pak kohë, i paralajmëruar si një shantazh tipik nga Gazmend Bardhi, do ta ulë edhe më tej bursën e Bashës në aksionet e demokratëve. Nëse supozohet se në telefonin e Bardhit, në “screenshot” dhe më tej edhe në shumë telefona të tjerë si foto, ndodhen mesazhet e kryetarit që porosit “…që asnjë votë për kandidatët e Berishës…”, në zgjedhjet e fundit lokale, atëherë kjo do të ishte një provë më shumë, për atë që nuk ka më nevojë të provohet: I vetmi rezultat fitoreje që priste Basha nga zgjedhjet e majit ishte humbja e Berishës! Ka dhe një tjetër keqkuptim gjigant që për shkak të frustrimeve vetjake, e kanë besuar më së shumti Berisha dhe Meta. Ende edhe ata të dy besojnë që Basha ka mbështetje ndërkombëtare. Eshtë e çuditshme sesi mund të gëlltitet një fabul e tillë që do të ishte e vërtetë vetëm nëse “faktori ndërkombëtar”, do të vinte bast mbi kartën e provuar humbëse. Ndryshe nga “RBM”, trojka klasike – Rama, Berisha, Meta – Basha ka qenë politikani më radikal në Tiranë. Ai ka vepruar edhe aty ku tre të tjerët vetëm kanë kërcënuar. Duke nisur, por pa përfunduan me djegien e mandateve dhe bojkotin si instrument të përditshmërisë politike. Kulmi i mbështetjes ndërkombëtare ndaj Bashës ka qenë me aktin që ndërmori ndaj Berishës në shtator 2021-in, por që atëherë, kuotat e tij në këtë pikë, janë në pikën e ngrirjes. Duhet të ndodhë ndonjë çudi e madhe në Tiranë, nevojitet një ndjenjë romantizmi e thellë që ta shtyjë dorën më pragmatiste në Tiranë, dorën e Edi Ramës, që të kapë të mbyturin nga flokët për ta nxjerrë nga uji dhe për ta futur në qeveri. Më shumë se supa e burgut, shija e vetme që afron Basha, Rama ka nevojë për antioksidantë në qeverinë e tij.
Gjithashtu një mundësi tjetër është që Rama të provokojë vetë zgjedhje të parakohëshme, duke e argumentuar këtë nismë me “votëbesim në popull”, për shkak të shpërthimit të disa skandaleve dhe aferave korruptive të shtrira si në kupolën qeverisëse ashtu edhe pushtetin lokal. Nëse Rama shkon në zgjedhje të parakohëshme, me kushtet në të cilën gjendet opozita, a jemi para një “betonizimi” edhe më të madh të pushtetit të Ramës?
Sërish e sërish fabula e keqkuptimeve të mëdha në Tiranë është një serial i pandalshëm. Aksioma e artë që në Tiranë asnjëherë nuk është ajo që duket, në këtë rast ulërin që ujërat rrjedhin ndryshe. Kush nga dëshpërimi e kush nga dëshira, të gjithë ata që e gjykojnë SPAK-un si opozitë politike, janë robër të marrëzisë. SPAK është një pushtet tjetër që vlen për të plotësuar magjinë e demokracisë në raportet mes pushteteve: kontrollin dhe balancën reciproke mes tyre. Pushteti politik ndryshon vetëm me mjete politike, kurse cikli i goditjeve gjithmonë e më të hidhura të SPAK-ut ndëshkon individët. Mund të ndodhë që ato goditje të ndikojnë në perceptimin publik për qeverisjen në përgjithësi, por jo ta rrëzojnë atë. Rrëzimi dhe konfirmimi i qeverisjes kalon vetëm nëpërmjet votës. Për më shumë, ka zëra autoritarë që flasin për një dorë të djathtë që diku nga vjeshta do të hedhë gurin e mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit. Ka zëra që besojnë se ka edhe socialistë në grupin parlamentar që do t’u pëlqente të ndodhte një gjë e tillë, edhe pse do të ishte një aventurë që si rezultat do të kishte zhurmën e bujën, por jo gjë konkrete. Për momentin, Rama nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, edhe pse këtë ide ai vetë e ka përmendur përpara vuvërisë që deputetëve të tij. Çelësat janë të gjithë në dorën e Ramës. Instikti këmbëngul t’i thotë kryeministrit, që edhe pse më e keqja nga drejtësia ende nuk ka mbërritur në derën e tij, kundërshtarët e tij janë gjithë ankth e frikë për ditën kur t’u trokasë SPAK-u në derën e tyre. Ai e di se një mbas një, me hir e pahir, mëkatarët nga e djathta e tij, do të zgjasin qafën si delet nën sëpatë. Dhe pikërisht këtu konsumohet një tjetër keqkuptim i radhës, që ka të bëjë me identikitin e drejtuesit të SPAK-ut, grupit të prokurorëve që punojnë me të e deri tek BKH-ja. Me kartën e pavarësisë në xhep, ata janë vetëm një grusht qytetarësh normalë që po bëjnë, thjesht detyrën e tyre. Por në kohë anormale, vetë normaliteti i tyre duket i çuditshëm. Aq i çuditshëm sa as rreshti i gjatë i fallëxhoreve ku shkojnë disa për të pyetur se kur ju vjen radha, nuk ja gjen dot fillin. Meqenëse ra fjala, me shumë gjasa, në zbërthimin e bisedave të koduara me encrochat apo aplikacione të tjera, kanë rënë dhe shumë fallxhorë të njohur në Tiranë apo në Sofje. Faji i tyre i vetëm është se kanë parë funde të shqetësuar filxhanësh të ministrave apo ish-ministrave, deputetëve e ish-deputetëve, gjykatësve të lartë dhe pak më poshtë, prokurorëve aktualë apo ish-prokurorëve, gazetarëve të rëndësishëm politikës apo të gazetarë të bujshëm të kronikës. Madje edhe të dikujt që ka qenë ndonjë vit e gjysmë deputet me emrin e një personazhi të famshëm të një romani të vjetër klasik.