Carlos Alcaraz triumfon me “Remontada” ndaj polakut Hurkacz, tjetër finale ndaj Djokovic

Carlos Alcaraz vuan, por ia del të kualifikohet në finale pasi mposhti me shumë vështirësi polakun Hubert Hurkacz. Në turneun Masters 1000 të Cincinnatit, spanjolli fitoi 2-1 me sete, por iu desh shumë punë duke qenë se të parin e humbi me shifrat 2-6.

Në setin e dytë, numrit një të botës iu desh “tie-break” për të fituar, megjithatë edhe aty rrezikoi shumë pasi në një moment polaku ishte duke udhëhequr 2-4. Megjithatë, numri një i botës gjeti forcën dhe e përmbysi në 7-4 “tie break-un” duke e fituar setin 7-6.

Në setin e tretë më pas nuk pati shumë histori dhe Alcaraz gjeti versionin e tij më të mirë duke e mposhtur numrin 20 të botës me shifrat 6-3. Kështu, tenisti nga Murcia mbërrin në finalen e Cincinnatit aty ku do të përballet me Novak Djokovic teksa dyshja do të provojë të dhurojë të njëjtin spektakël si në finalen e Wimbledon aty ku ai që triumfoi ishte spanjolli.