Identifikohet shoferi i “BMW” që përfundoi në pedonalen e Liqenit (EMRI+FOTO)

Policia Rrugore e Tiranës ka identifikuar drejtuesin e mjetit “BMW X6” që përfundoi në pedonalen e digës së Liqenit Artificial.

Bëhet fjalë për shtetasin Eldi Allushi 26 vjeç nga qyteti bregdetar i Durrësit, teksa dyshohet se ka qenë duke lëvizur nga “Rruga e Kosovarëve” në drejtim të digës.

Gjithashtu dyshohet se i riu mund të ketë qenë në efektin e alkoolit apo të substancave narkotike.

Blutë e Tiranës po punojnë për kapjen e tij dhe shoqërimin për kryerjen e veprimeve hetimore.

Njoftimi policise

“Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin Eldi Allushi, 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit.
Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, njoftoi policia.