Nga Ben Andoni
Data 13 Gusht bashkon ditë-vdekjet e dy personazheve të njohur, që kanë dhënë shumë për kulturën tonë kombëtare, por më shumë se çdo gjë tjetër për dinjitetin tonë historik. Nëse do të duhej të jepeshin leksione të tilla apo të kërkoheshin modele dinjiteti (dhe këto dy personazhe janë tashmë në mendjet e atyre, që tentojnë të punojnë dhe veprojnë kurdo ndershëm), Profesor Çabej dhe Kokalari duhej të kujtoheshin rregullisht në ditë të veçanta, e të paktën njëherë në vit. Ky 13 Gusht kaloi me një njoftim të thjeshtë për Prof. Çabejn dhe nga ana tjetër me një lajm, ardhur nga Arkivi i Shtetit për posedimin të tyre të shumë dorëshkrimeve të znj. Kokalari.
Kokalarin e kanë rrokur jo pak herë si figurë në këtë kohë dhe janë munduar thjesht t’i përmendin persekutimin (që është shumë më tepër sesa do të bënte edhe vetë trillimi) por nuk ia kujtojnë shumë dinjitetin. Dinjiteti i saj të lëbyr. Mbase është kjo që e veçon këtë grua me bashkëvendasit e saj, që e veçuan, e injoruan, e harruan, por që pas viteve ’90 pengonin njëri-tjetrin për t’i dhënë sa më shumë njohje, kuptohet jo pak herë duke nxjerrë punën e tyre dhe afërinë e tyre. Një letër e saj të kujton realisht mosmirënjohjen tonë, por më shumë se kaq padrejtësitë tona: “I studiova njerëzit e vrazhdë, të paditur në punën e rëndë të ndertimit, jo me romantikën demokratike të dikurshme. Gjithë-se-kush për vete, pa asnjë shenjë solidariteti. Përkundrazi, kush e kush t’ja hedhi duke thënë se unë punoj dhe tjetri s’punon…”, shkruan krejt e hidhëruar në ditarin e saj.
Më në fund në tregun tonë. Një preparat natyral që përmirëson dëgjimin dhe është armiku më i madh i tringëllimë në veshët dhe infeksionet e veshit.
Eqrem Çabej, që u nda nga jeta në Romë, më 13 gusht 1980, pati jetë të qetë që e mbushi me kontribute të jashtëzakonshme në albanologji, por shpesh me sfida nga mosmirënjohja dhe nga vogëlia e shumë njerëzve që e rrethonin. Mendohet se vepra e tij do të kishte pasur hapësira të tjera, nëse do të ndiqte punën e mësuesit të tij Joklit në Universitetin e Vjenës qysh në vitet ’30. E tregoi veten herët. Qysh në moshën 21 vjeçare botoi një shkrim, që do t’i trandte panegjirikët e gjuhës (I kemi dhe sot): “Kundër pseudofilologëve”. Profesori që e konsideronte gjuhësinë si shkencë ekzakte nuk linte hapësira koti dhe rezervohej shumë të fliste pa argumente të shoshitura mira dhe pa u mbështetur në referenca të provuara. Në fakt, disa nga kolegët ‘e shpërblyen’ me shumë fletë-rrufe, që nuk ndalonin duke e paragjykuar dhe duke e cenuar bash aty ku as nuk mund të mendohej: dinjiteti profesional dhe human. Kjo mungesë deridiku respekti, ky harrim për së gjalli, do merrte vendin e duhur edhe nga vetë regjimi, që dinte dhe i nevojitej përmasa e tij kurse do të përmbytej pak kohë më vonë, kur shumë mundoheshin të merreshin me figurën e tij dhe me bumin e gjërave kushtuar prof. Çabejt. Nuk mungoi një pjesë tjetër që gërmuan të gjenin dhe debatet e tij për t’u munduar t’ia ulnin vlerat. Ajo që e bashkon në këtë përqasjen tonë me Kokalarin është pikërisht dinjiteti: pak herë intelektualë shqiptarë kanë pasur përmasa të tilla individualiteti sa dy këto personazhe dhe dinjitet profesional dhe human, si ata.
Në gushtin e vitit 2023 nuk pati kohë për Kokalarin dhe Çabejn. Kronikat u mbushën me numrat e turizmit, PPP-të, arrestet dhe kryeministren italiane. Sak ato ditë, Kokalari plotësoi 40 vite nga humbja e jetës, kurse profesor Çabej në të njëjtën datë numëron 43 vite largim nga jeta dhe 115 vite (7 Gusht) nga ditëlindja e tij.
E sollëm si homazh për harresën dhe sidomos mungesën e kujtesës në kohën e duhur dhe konjukturat e lodhshme në përputhje me nevojat e kohës. Kjo kohë po bjerr jo thjesht vlerën por po bën inflamative çdo personazh, me synimin për ta identifikuar me të gjithë dhe për ta relativizuar. Politika i merr kur i duhen. Institucionet zyrtare, kur i nevojiten politikës.
Jo, nuk mund të jemi njësoj. Kursesi, nuk mund të jemi të tillë. Por, Çabej nuk mundet sot që t’u përgjigjet kinseve, paçka se duhet ringjallur t’u përgjigjet shumë vetave, mbushur me mllefe. Ja çfarë shkruante dikur tek “Kundër pseudofilologëve” : A imponohet njeriu me sharje? Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale, për fryrjen e të cilave janë të çelura kaq gjykatore!
Sot secili në Evropën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon mjaft vjet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me ekzaktitudë matematike, duke qenë se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (severe) e më ekzakte që mund të jenë në botë.
Dhe, Kokalari, në atë pozicion të vështirë, nuk e mbaron respektin për të idhujt e saj të dinjitetit: “ Unë në hallet e mia, asnjë çast nuk u ndava me mësuesit e jetës që në mes të një realiteti të mërzitshëm kam bërë çmos t’i kem pranë, për t’i bërë ballë poshtërsisë së jetës dhe padrejtësisë që më bënë, për të ngrëne një copë bukë. Shkolla e ndritur e Rilindjes nuk duhet të njolloset. Unë jam nxënëse e fundit dhe gjer në fund, gjer në vdekje do të mbetem një demokrate e thjeshtë, një punëtore e thjeshtë e punës së krahut dhe e pendës. Mendimet e errëta, shpirtngushtët, i kanë të radha rezet e dashurisë”.
U munduam t’i bashkonim këto dy personazhe për t’i kujtuar në një in memoriam të thjeshtë e të sinqertë për dinjitetin që kërkojmë dhe duam të revokojmë por edhe mungesën e shpresës, që e kemi edhe prej njerëzve, që sot e kanë marrë peng këtë vend dhe jo pak herë përdorin dhe të tillë personazhe…por asesi jo t’i kujtojnë atëherë kur duhet. (Homo Albanicus)/KB