Dr. Emilio Çika
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Një ndër lajmet kryesore të ditëve të fundit por edhe të verës ishte vizita jo zyrtare e Kryeministres Meloni në bregdetin jonian, e cila u shoqërua me disa intervista tëKryeministrit Rama në disa media prestigjoze italiane në mbështetje dhe promovimin e turizmit vendas, i cili duhet pranuar ka një rritje të rëndësishme, kryesisht nga vizitorët përtej adriatikut.
Takimi midis dy kryeministrave respektiv, përfshihet në atë që vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare si “diplomaci personale”,rëndësia e së cilës në arenën ndërkombëtare ka rifituar një rol domethënës. Diplomacia si formë e zbatimit të politikës së jashtme të çdo vendi merr forma dhe trajta të ndryshme, që nga diplomacia publike, ekonomike, kulturore e deri tek ajo rajonale, parlamentare, energjitike, e sporteve por edhe sipas kazuseve specifike historike mund të lindin lloje të reja të diplomacive midis shteteve si ajo e ping-pongut (vlerësohet si një pikë kthese në përmirësimin e marrëdhënieve Kino-Amerikane dhe kulmoi me vizitën e Presidentin Nixon në Pekin në vitin 1972) apo edhe e tërmeteve (është përdorur për zbutjen e tensioneve midis Greqisë dhe Turqisë). E thënë kjo, shtetet zhvillojnë dhe mbështeten në forma të ndryshme të ushtrimit të diplomacisë për të arritur synimet dhe objektivat e tyre në politikën e jashtme. Një prej formave është edhe diplomacia personale si një instrument bashkëveprimi me shtetet e tjera.
Nuk mund të themi se ka një përkufizim të diplomacisë personale të gjithë pranuar, madje sipas shkollave të mendimit mund të flasim edhe për trajtime të ndryshme të saj. Madje shkolla të ndryshme teorike janë edhe kritike kundrejt ushtrimit të diplomacisë personale.Psh, realistët theksojnë se personaliteti apo edhe vetë personi politik janë të parëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare sepse shtetet si entitete janë në kërkim të objektivave racional, duke vendosur sigurinë si më të rëndësishmin ndër to. Në teorinë realiste, politika ndërkombëtare mund të përkufizohet si një përpjekje e vazhdueshme për ruajtjen dhe shtimin e fuqisë së shtetit dhe në të njëjtën kohë në zvogëlimin ose kufizimin e fuqisë së shteteve të tjera. Çdo shtet duhet të llogariti fuqitë e tij për ruajtjen e interesave duke mos shkuar në anarki nëpërmjet përdorimit të forcës.
Do të doja tëparaqes kryesisht dy qëndrime në lidhje me përkufizimin e diplomacisë personale. E para vjen në bazë të përkufizimin që jep Berridge dhe James ku e përkufizojnë diplomacinë personale si aktivitet diplomatik i kryer nga dikush që nuk është agjent diplomatik dhe mund të veprojë pa autorizim formal apo edhe inkurajim, por qëndrimi personal i të cilit siguron që ai ose ajo do të dëgjohet. Psh, një kryetar shteti pa pushtet ekzekutiv mund të angazhohet në një veprimtari të tillë. Në të njëjtën logjikë mund të themi se diplomacia personale mund të ushtrohet edhe nga persona politik ose me ndikim politik por që janë jashtë sferës së funksioneve publike. Në të njëjtën kohë, Evans dhe Newnham e përkufizojnë diplomacinë personale, në një mënyrë të ndryshme nga ajo e lartpërmendur, si një aktivitet diplomatik të kryer në sferën më të lartë të pushtetit politik, nga krerët e shteteve. Është e rëndësishme të theksohet këtu se në të dy përkufizimet, marrëdhëniet personale të personave të përfshirë në veprimtarinë diplomatike janë thelbi kryesor i diplomacisë personale. Nëse do më lejohej, do mund të perifrazoja se diplomacia personale është një aktivitet diplomatik që ushtrohet nga persona politik ose me ndikim politik kundrejt shteteve të tjera nëpërmjet vizitave zyrtare se jo zyrtare.
Sigurisht që ushtrimi i diplomacisë personale nuk është një fenomen i ri. Në forma të ndryshme ushtrimi i saj është kryer ndër shekuj, që në periudhat e lashta dhe në mesjetë ku identifikimi i shtetit ishte i vështirë të ndahej nga monarku (në dominancë flitet për një monark absolut). Traktati i Vestfalisë dhe krijimi i përfaqësive diplomatike residente të përhershme, eklipsoi ushtrimin e diplomacisë personale duke i”a lënë vendin për ushtrimin e diplomacisë trupave diplomatik. Megjithatë, diplomacia personale nuk rreshti së ushtruari dhe doli përsëri në sipërfaqe, akoma më shumë në periudha krizash apo në botën e sotme të ndërvarur ku shpejtësia e zhvillime është gjithnjë e në rritje. Drejtuesit e shteteve, presidentët apo kryeministrat në varësi të formës kushtetuese të shtetit, përfshihen sa vete dhe më shumë në politikën e jashtme. Nëpërmjet kontaktit personal midis liderëve, interesat e përbashkëta rajonale, zhvillimi i projekteve me interes të përbashkët, problemet rajonale apo më të gjera mund të marrin zgjidhje më të shpejta, pasi liderët shtetëror kanë fuqinë dhe pushtetin nëpërmjet komunikimeve të drejtpërdrejta ta kryejnë atë, duke anashkaluar shpesh herë ndërmjetësuesit dhe proceset burokratike. Zhvillimet teknologjike kanë lehtësuar ushtrimin e diplomacisë duke vendosur në shërbim të saj metoda moderne, si tele dhe video konferenca, linja të drejtpërdrejta midis liderëve (hotline). Mjete të cilat përdoren për të lehtësuar dhe përshpejtuar komunikimin në kohë krizash dhe jo vetëm.
Në të njëjtën kohë diplomacia personale është më efikase kundrejt takimeve zyrtare dy palëshe apo edhe në kuadrin e samiteve të ndryshme, për arsye të lirshmërisë së diskutimeve që nuk vendosen në kuadrin e prokollit zyrtar, larg presioneve të opinionit, kohës së mangët për diskutim, apo edhe perceptime ndonjë herë të gabuar të situatave të cilat mund të çojnë në dështimin e takimeve.
Vizita e Kryministres Meloni por edhe ajo e ish Kryeministrit Britanik Blair, më dhanë shtysën për disa refleksione teorike por edhe praktike të diplomacisë personale. Ashtu si edhe përmenda më lart, është një praktikë e shtuar që kryetarët e shteteve (Presidentët apo Kryeministrat) të angazhohen drejtëpërsëdrejti në ushtrimin e politikës së jashtme por edhe në diplomaci specifikisht. Për këtë arsye, në një botë që sa shkon është më e globalizuar dhe e ndërvarur, ushtrimi i diplomacisë personale në arritjen e marrëveshjeve tregtare apo zhvillimore është në rritje. Akoma më shumë kur flasim për një diplomacis personale e cila ushtrohet midis vendeve të rajonit, ku liderët repektivë janë shumë më afër sfidave të përbashkëta.
Në rrafshin e Shqipërisë, në të shkuarën, drejtuesit e shtetit e kanë vënë në zbatim diplomacinë personale për të arritur interesatshtetëror. Mund të përmendim këtu takimet e ish Presidentit të kohës Z. Berisha me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara G.H.W Bush (senior), takimet e ish Kryeministrit Nano me Kryeministrin e kohës në Itali, Berlusconi etj. Megjithatë, duhet theksuar se diplomacia personale ka patur një praktikë të shtuar gjatë drejtimit të Kryeministrit Rama. I referohem këtu diplomacisë personale si në nivel drejtuesish politik evropian ashtu edhe rajonal. Kjo për mendimin tim vjen për disa arsye të cilat lidhen: së pari, me sfidat në rritje të shtetit dhe prespektivës evropiane; së dyti, merolinqë kryeministri do t”i japi vendit kundrejt vendeve të tjera të rajonit; së treti, me shfrytëzimin e momentumit politik brenda vendit; së katërti, me kredibilitetin politik që gëzon midis liderëve politik në rajon por edhe në nivel evropian, së pesti, me karakteristikat personale dhe mënyrën se si e shesh zbatimin e politikës së jashtme vetë Kryeministri Rama; dhe së gjashti, me vetë shtrirjen e diplomacisë personale si mjet efikas për arritjen e objektivave shtetëror dhe politik.
Në mënyrën se si marrëdhëniet ndërkombëtare po zhvillohen, diplomacia personale po fiton më shumë terren në zbatimin e saj, pasi drejtuesit e qeverive dhe kryetarët e shteteve e preferojnë kundrejt formave të tjera. Si rrjedhojë, marrëdhëniet personale midis drejtuesve politikë janë shumë të rëndësishme kryesisht në marrëdhëniet dy palëshe. Në të njëjtën kohë, Z.Rama ka arritur që të bëj një kombinim të formave të ndryshme të diplomacive, si ajo kulturore, e turizmit, në funksion të diplomacisë personale. Në shërbim të kësaj, i ka ardhë në ndihmë sigurisht dhe karakteristikat e vetë vendit, imazhi i ndërtuar i vendit, destinacion turistik, tradita e mikëpritjes etj. I referohem gjithashtu, takimeve dhe pritjeve të ndryshme që ka patur në kuadrin e promovimeve tëekspozitave personale të pikturave apo edhe në promovimin e librit të tij “Kurbani”. Në këtë mënyrë ka rritur të shkrij akujt me liderët e tjerë duke promovuar dhe një person politik të ndryshëm dhe jashtë kostumit të politikanit tradicional.
Në kuadrin e ushtrimit të diplomacisë personale të Z. Rama, ndër më domethënëset, në rajon, do të përmendja atë me Presidentin Erdogan. Gjatë pandemisë ushtrimi i kësaj diplomacie personale arriti të shndërrohet në atë që u mbiquajt diplomacia e vaksinave, në funksion të së mirës publike. E njëjtë situata edhe pas tërmetit të nëntorit 2109, ku nga diplomacia personale kaluam në atë të tërmeteve, dhe mbështetja e Turqisë ishte e menjëhershme me fonde por edhe bazë materiale. Në të njëjtën, llogjikë mund të flasim edhe për ushtrimin e diplomacisë personale midis Z. Rama dhe ish ministrit të jashtëm Italian Z. Luigi Di Maio, ku u arrit që Shqipëria të kishte një sasi të vaksinave kundër Covid 19. Gjithashtu, diplomacia personale është shtrirë edhe në vendet arabike për përthithjen e investimeve strategjike. E shumë investuar ka qënë edhe diplomacia personale e Z. Rama me ish kancelaren Merkel, duke siguruar për Shqipërinë një mbështetje të vazhdueshme kundrejt prespektivës evropiane, nëpërmjet përfshirjes në nisma të ndryshme por edhe me mbështetje financiare brenda fondeve dhe projekteve evropiane.
Një ndër ushtrimet më të shpeshat të diplomacisë personale të Z. Rama ka qënë dhe është më ish kryeministrin Blair. Edhe pse nën petkut e këshillatrit jo zyrtar, Z. Blair ka lozur një rol aktiv në bashkëpunimin me Z. Rama. Nëpërmjet institutit dhe think tank “Global Change”, të cilin drejton arrin të ketë akses në projekte të rëndësishme ekonomike dhe zhvillimore. Në të njëjtën kohë qëmediat më të mëdha evropiane po flasin për mundësinë e rikthimit të tij në politikën aktive dhe rehabilitimin në partinë Laburiste.
Më tej, do të doja të përmendja ushtrimin e diplomacisë personale të Z. Rama me liderët e rajonit,ku në funksion të nismës së “Ballkanit të Hapur”, takimet kanë qënë me Presidentin Serb Vuçic, me ish Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev apo edhe atë aktual Kovaçevski. Në lidhje me Kosovën dhe Malin e Zi, marrëdhënia diplomatike e kryeministrit shqiptar me kryeministrat respektivë i kalon kufijtë e diplomacisë personale pasi për arsye dhe të bashkë “identitetit kombëtar” ato janë vlerësuar si më të afërta, madje dhe vëllazërore. Edhe pse qëndrimet midis Z. Kurti dhe Z. Rama nuk mund të vlerësohen se janë në nivelin më të lartë, për arsye të këndvështrimit të ndryshëm në lidhje me Ballkanin e Hapur por edhe me zhvillimet në rajon në përgjithësi.
Një ndër ushtrimet e diplomacisë personale më të investuara ka qënë ajo midis Z. Rama dhe kryeministrit grek Micotaqis, por edhe me ish ministrin e jashtëm grek Dendias. Ushtrimi i saj kishte arritur të ndërtonte një klimëpozitive midis dy vendeve, me qëndrime dhe retorikë të lartësuar midis palëve. Si e tillë u vlerësua vizita e Z. Micotaqis në zonat minoritare në jug të vendit por edhe ekspozita personale e Z. Rama në Zappeion Megaro nën kujdesin personal të kryeministrit dhe ministrit të jashtëm grek. Arrestimi i kandidatit, dhe më pas kryetarit të zgjedhur në bashkinë e Himarës, tregoi kundërshtinë e qëndrimeve midis palëve, të cilat nuk kanë arritur të tejkalojnë këtë momentum. Madje retorika midis palëve është në rritje. Analiza të caktuara në shtetin grek e kanë vlerësuar si një diplomaci personale e dështuar e kryeministrit grek kundrejt atij shqiptar, pasi nuk arriti objektivat e politikës së jashtme greke. Nën këndvështrimin tim, do theksoja se nëse do tëvlerësohej si i tillë, atëherë do të ishte dypalësh, pasi asnjë prej vendeve nuk arrin të përmbushi objektivat e politikës së jashtme respektive. Paçka përfitimeve të vogla politike momentale, një retorikë e shtuar dhe mos zgjidhje e ngërçit politik, pasi ajo penale i përket shtetit të së dejtës, nëpërmjet bisedimeve dhe negociatave, pse jo edhe në nivel kryeministrash, do ishte një pengesë që do të shtrihej në kohë me viktimë marrëdhëniet midis vendeve.
Në mbyllje, do doja të theksoja se diplomacia personale si një mjet i ushtrimit të politikës së jashtme është ndër format më të përdorura dhe më frytdhënëse si në periudha tensionesh ashtu edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhenieve midis vendeve. E rëndësishme është gjithashtu edhe përkatësia ideologjike e ushtruesëve të kësaj diplomacie. Përkatësia apo jo ideologjike e palëve mund të jetë si në funksion, ashtu edhe të vendosi në parplasje palët negociuese.Në të njëjtën kohë duhet patur kujdes që diplomacia personale mos të tejkaloj kuadrin e vendimarrjes zyrtare dhe institucionale. Rreziqe këto që shpesh vijnë nga ushtrimi i diplomacisë personale nga lider të fortë. Besimi i tyre se nëpërmjet personalitetit të fortë mund të ndikojnë si në ambjentin e brendshëm politik ashtu edhe në atë ndërkombëtar, mund të sjelli efektet e kundërta nga ato të synuara. Në të njëjtën kohë, diplomacia personale nuk mund dhe nuk duhet që të zëvendësoj atë qëështë ushtrimi i diplomacisë zyrtare dhe tradicionale por as të anashkaloj trupën diplomatike dhe linjat e politikës së jashtme, por të jetë në sinkron dhe e linjëzuar me to. Me pak fjalë, diplomacia personale duhet të jetë në funksion të politikës së jashtme zyrtare të vendit.