Pas një viti tejet të suksesshëm nga pikëpamja artistike, me koncerte dhe këngë të reja, 2023-shi i solli Renis Gjokës bekimin më të madh të jetës: një fëmijë. Familjes së bukur tashmë i është shtuar një tjetër vajzë: një motër dhe një shoqe e re për Aurën, të parën e shtëpisë. Në një intervistë për “Aldo Morning Show”, artisti ka rrëfyer emocionet dhe ndjesitë e tij si baba i dy vajzave.
I pyetur se si do e përshkruante veten si baba, Renisi tha: “Të them të drejtën, i mirë jam. Mirë, shumë bukur. Unë s’kam ndryshuar. Kemi filluar të dobësohemi madje, jemi në aktivitet.”
Por, cila është një prej këshillave që u jep gocave? Artisti u përgjigj duke thënë: “Mendoj që një nga armët e forta që mund të ketë një njeri dhe të jetë i pastër me ndërgjegjen e vet është të thotë gjithmonë të vërtetën dhe atë që mendon, t’i shmangë gënjeshtrat, qoftë edhe të vogla, të jetë gjithmonë i drejtpërdrejtë sepse siç thotë gjithmonë ajo shprehja që thuaj gjithmonë të vërtetën, s’do kesh nevojë të mbash mend se çfarë ke thënë.”/E.Ç