Në dosjen hetimore të Prokurisë Speciale SPAK janë renditur disa fakte dhe dyshime që sipas tyre në kundërshtim me ligjin Jamarbër Malltezi, dhëndri I ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2008 ka përfituar nga privatizimi I kompleksit sportive Patizani dhe mbi atë pronë ndërtoi një kopleks pallatesh, duke përfituar rreth 5 milionë euro. Hetuesit dyshojnë për veprat penale të “korrupsionit pasiv e aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim, si dhe pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale në bashkëpunim. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, si dhe shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri. Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro. Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitime të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi. Malltezi u arrestua mbrëmë në aeroportin e Rinasit, ndërsa Berisha dhe Bektashi janë ndaluar të udhëtojnë jashtë shtetit dhe detyrohen të paraqiten në policinë gjyqësore. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë vendosi nën sekuestro preventive 16 pasuri të paluajtshme ë Jamarbër Malltezit, 6 llogari të tij bankare si dhe kuotat e kapitalit themeltar të tij në tre shoqëritë “Homeplan”, “Magnet IMO” dhe “Magnet Gym&Fit”. Në një konferencë për shtyp, ish-kyeministri Berisha i quajti akuzat ndaj tij si të pabaza dhe të motivuara politikisht. “Do të qëndroj me të gjithë forcën time. Nuk i druhem arrestimit dhe asgjëje, sepse akuzat janë ngritur pa asnjë bazë dhe janë sulme të mirëfillta politike të Edi Ramës. Ato vijnë pikërisht në çastin që opozita ka nisur lëvizjen pa kthim kundër diktaturës, që po ngre Edi Rama me vjedhjen e votave dhe të pasurive publike”, tha zoti Berisha. Ai tha se lëvizja e deputetit brenda apo jashtë vendit nuk mund të cënohet pa miratimin e Kuvendit, megjithatë e pranonte sfidën, e cila e motivon edhe më shumë atë dhe ndjekësit e tij, që kanë nisur një lëvizje të re politike. Zoti Berisha solli një seri detajesh mbi çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani, me të cilin sipas tij janë marrë qeveri dhe zyrtarë të lartë më herët. Kompleksi sportiv me 26 mijë metër katrorë, që deri në atë kohë kishte qenë pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh
Ish-drejtoresha e AKKP-së: “Më thirri Berisha në zyrë, u habita”
Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme renditen disa nga dyshimet se si Berisha ka ndikuar në krijimin e kushteve për përfitimet e dhëndrit e tij në këtë pronë. Në dosjen e SPAK jepet dëshmia e Justina Boriçit, ish-drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përgjatë gushtit të 2006-ës deri në qershor të 2007-ës. Ajo në dëshminë e saj pohon se emërimet i vinin me urdhër të Kryeministrisë dhe drejtpërdrejtë nga zoti Berisha, asokohe kryeministër. “Në deklarimin e datës 26.09.2023 shtetasja Justina Boriçi, deklaron se “…Unë jam emëruar si drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në muajin gusht 2006 deri më 27.06.2007…. Në muajin gusht të vitit 2006 më ka thirrur kryeministri Sali Berisha, i cili më ka bërë të ditur se isha emëruar si drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Unë kam qenë anëtare e Partisë Demokratike, kam qenë e organizuar, dhe nëpër mbledhje isha njohur edhe me kryeministrin Sali Berisha…. kryeministri e dinte se kush isha. Sqaroj se në korrik 2006 unë u emërova nga Ministria e Bujqësisë, drejtoreshë e Qendrës së Transformimit (QTTB) ku ishte bashkuar Instituti, Instituti i Zooteknisë dhe Instituti i Foragjerëve,…. Pas kësaj, pas një muaji, pra në gusht 2006, më kërkoi Sali Berisha. Më tha Ministri i Bujqësisë Emin Gjana dhe më bëri me dije se më kërkonte kryeministri. Mua më erdhi pak e habitshme. E kam takuar kryeministrin Sali Berisha, në zyrën e tij në Kryeministri dhe ai më bëri me dije se më kishte emëruar si drejtoreshë e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave…”. Shtetësja Justina Boriçi emëron më pas drejtoreshën e Zyrës Rajonale të AKKP, shtetasen Dhurata Hoxha (Çela), me urdhrin nr. 203 datë 09.10.2006. Në deklarimin e datës 26.09.2023, shtetasja Justina Boriçi deklaron se: “…Unë nuk e njihja Dhurata Hoxhën dhe emërimi i saj mesa më kujtohet ka ardhur me rekomandim por nuk më kujtohet se kush saktësisht e ka rekomanduar. Përgjithësisht rekomandimet vinin nga lart që mund të ishte zëvendës kryeministri, por në rastin konkret nuk di të jap një përgjigje të saktë…”. Gjithashtu nga shtetasja Justina Boriçi emërohen edhe punonjës të tjerë që kanë kryer veprime në përgatitjen dhe kthimin e pronës familjes Begeja dhe familjeve të tjera. Kështu rezulton se shtetasi Altin Ceni ka filluar punë sipas urdhrit nr. 246 datë 01.11.2006 “Për emërim në detyrë” të drejtorit të përgjithshëm Justina Boriçi, në detyrën e specialistit në Sektorin Juridik. Me urdhrin nr. 248 date 01.11.2006 “Për emërim në detyrë” të drejtorit të përgjithshëm Justina Boriçi, rezulton se është emëruar në detyrën përgjegjëse në sektorin juridik shtetasja Tetis Lubonja.”, thuhet mes të tjerash në dosjen e SPAK./kb