Këngëtari me famë / James Blunt Lufta në Ukrainë e Izrael si ajo në Kosovë në 1999

Në qershor të vitit 1999, Blunt, ishte kapiten i ushtrisë angleze, i pari oficer që hyri në Prishtinë në krye të një reparti zbulimi, që do të përgatiste hyrjen e kontingjentit të NATO-s.

ANGLI- James Blunt, këngëtari me famë botërore ka kujtuar luftën në Kosovë, në vitin 1999, ku ka qenë ish-kapiten e ushtrisë angleze. Duke bërë një krahasim me luftën në Lindjen e Mesme, Blunt u shpreh se ajo që ka ndodhur në Kosovë është kaq e ngjashme me atë që ndodh sot në Ukrainë dhe Izrael, por ata që e vuajnë më shumë konfliktin janë të pafajshmit.

“Nuk jam një politikan, por një ish-ushtar dhe një qenie njerëzore. Dhe, nga eksperienca ime, që limitohet me luftën në Kosovë, kaq e ngjashme me atë që ndodh sot në Ukrainë dhe Izrael, mund të them që në çdo konflikt ata që vuajnë, janë gjithmonë civilët dhe të pafajshmit dhe kjo është realisht e frikshme”, tha Blunt.

Në qershor të vitit 1999, Blunt, ishte kapiten i ushtrisë angleze, i pari oficer që hyri në Prishtinë në krye të një reparti zbulimi, që do të përgatiste hyrjen e kontingjentit të NATO-s. Ashtu siç ka treguar edhe më parë, në atë rast Blunt nuk iu bind një urdhri të gjeneralit Wesley Clark për të asgjësuar një kontingjent prej 200 ushtarësh rusë që bllokonin një pistë avionësh.

Sot, përballë një bote gjithmonë e më të përfshirë nga luftërat, Blunt vuri në dukje me trishtim të madh, se shoqëritë po shkojnë gjithmonë e më shumë drejt përçarjes.

“Politikanët janë të interesuar të na përçajnë dhe kështu gjithçka përfundon në tragjedi”, ka thënë Blunt për mediat italiane.

Lexo edhe :  Balluku: Riorganizim i Bashkisë Fier me qëllim rritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve

Ai është shprehur se njerëzit kanë të gjithë të njëjtat emocione dhe se kudo në botë mund të takosh izraelitë dhe palestinezë, ukrainas dhe rusë dhe shqiptarë të mrekullueshëm.

“Por kemi humbur aftësinë për të kuptuar arsyet e tjetrit, që nuk është i çmendur, por që ka vizionin e tij të të parit të gjërave dhe është e tmerrshme që nuk arrijmë të shihemi në sy me mëshirim dhe humanizëm”, ka shtuar Blunt./I.S