Dha dorëheqjen si drejtoreshë e AKU-së/ Flet Jeta Deda

Jeta Deda ka reaguar për herë të parë pasi u dorëhoq nga detyra e saj si drejtoreshë e AKU-së.

Në një postim në rrjetet sociale, Deda shkruan se tërhiqet nga detyra e saj si drejtoreshë e AKU-së në një orientim tjetër profesional.

Postimi i plotë i ish-drejtores së AKU-së

Të nderuar miq e kolegë,

Prej sot mbyll një kapitull të bukur të jetës time profesionale, duke u tërhequr nga detyra si Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe duke ndjekur një orientim tjetër profesional.

Ndahem nga një ekip, të cilin e falënderoj për çdo punë të mirë të kryer së bashku.

Shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Kryeministrit e Këshillit të Ministrave për besimin e dhënë dhe ish-Ministres Krifca dhe Ministres aktuale Denaj, me të cilat arrita të bashkëpunoj gjatë kësaj udhe.

Po ashtu, mirënjohëse ndaj stafit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për mundësinë e shërbimit në këtë detyrë, pasi mbështetja juaj e pakufi dhe bashkëpunimi kanë qenë kryefjala në gjithë rezultatet e arritura së bashku në lëmin e sigurisë ushqimore.

Një falenderim i veçantë i takon ekspertëve shumëvjeçarë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Dedikimi dhe puna e tyre janë rregullatorët e sistemit dhe standardeve që duam të vendosim, në rrugëtimin drejt integrimit europian e kryesisht në shërbim të atdheut.

Nuk kam dyshim se kjo skuadër do të shkëlqejë me këdo menaxher që iu bashkohet.

Teksa bëhem gati për angazhime të reja, e shikoj kohën si Drejtore e Përgjithshme e AKU-së me mirënjohje të thellë për përvojën e marrë, dijet e përftuara dhe marrëdhëniet e mira të ngritura.

Falenderime për mbështetjen dhe besimin gjatë këtij rrugëtimi! Ka qenë nder të shërbej në këtë detyrë.

Lexo edhe :  "Mafia shqiptare, organizatë terroriste?"/ Reagon Tirana zyrtare

Përzemërsisht./ I.S