Seanca plenare u zhvillua mes kaousit dhe përplasjes fizike mes deputetit të Partisë Socialsite Vullnet Sinaj dhe atij demokrat Gledion Nallbati. Sali Berisha dhe deputetët e Rithemelimit përsërisin skenarin e javës së kaluar me qëllim krijimin e kaosit për të ndërprerë punimet e parlamentit.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në seancën e djeshme parlamentare. Skenari i Sali Berishës dhe i deputetëve të Rithemelimit ishte i qartë, krijimi i kaosit për të penguar zhvillimin normal të seancës parlamentare. Me peshën e rëndë të akuzës së ngritur në SPAK për korrupsion për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani Berisha tregoi edhe një herë atë që di të bëjë më mirë. Deputetët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialsite u përleshën fizikisht bashkë duke e kthyer në kaos Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës kërkonin që kolegët e tyre të mazhorancës të mos e merrnin fjalën gjatë punimeve të djeshme. Por, ligjvënësit socialistë kanë vijuar të flasin nga vendi, dhe kjo bëri që situata të përshkallëzohej. Ky i fundit ishte duke folur nga vendi në momentin kur situata u përshkallëzua në përplasje fizike. Deputeti i PD-së Flamur Noka, i cili ka bërë “zhurmuesin” që nga nisja e seancës, duke mos lejuar deputetët e PS-së të flasin është përplasur fizikisht me gardën. Noka është kapur nga kamerat teksa shtyn me duar rojen e gardës, teksa ky i fundit nuk e lejon t’ju afrohet deputetëve. Ndërsa kishin bllokuar foltoren, deputeti socialist Vullnet Sina ka qenë duke folur nga karrigia e tij. Në një moment deputeti i Rithemelimit Gledion Nallbati i është afruar me qëllim që ta ndalojë së foluri Sinën. Fillimisht ka qenë përplasje verbale më pas ka vijuar në përplasje fizike madje në një moment e ka goditur me grusht deputetin socialist, Vullnet Sina. Seanca zgjati vetëm disa minuta dhe pas përplasjes fizike, gazetarët u larguan nga salla. Ndërkohë u njoftua dhe përjashtimi i Gledion Nallbati. Pas disa minutash seanca vijoi por u ndërpre sërish pas disa minutash pasi deputetët e Rithemelimit nuk linin deputetët të flisnin. “Keni ardhur me paramendim për të bllokuar seancën”, i tha Nikolla deputetëve të opozitës dhe më pas ndërpreu seancën. Në kushte të kaosit në sallën e Kuvendit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla u detyrua që të ndërpriste seancë, e cila vijoi me dyer të mbyllura. Opozita ka krijuar sërish kaos në Kuvend. Teksa deputetja e PS Pranvera Resulaj po mban fjalën e saj nga vendi deputeti i PD Flamur Noka i ka shkuar pranë tavolinës dhe shihet teksa flet i tensionuar pa mikrofon në drejtim të saj. Noka shihet teksa i bie tavolinës dhe nuk rresht së thëni “turp, turp”. Gjatë përplasjes fizike dhe verbale mes deputetëvë ditën e djeshme në parlament, deputeti demokrat Gaz Bardhi ka tentuar të çajë kordonin e punonjësve të gardës për të shkuar drejt kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës.
Reagimi i Berishës
Një provakacion ndaj opozitës e ka cilësuar Sali Berisha përplasjen fizike në Parlament mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në nisje të seancës së djeshme parlamentare. Një lidhje live me Facebook-un e tij, Berisha akuzoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla si shkatërrimtare të parlamentit, që sipas tij zbaton urdhrat e Ramës dhe jo ligjet dhe kushtetutën. “Kjo skenë përbën një provokacion të ulët ndaj opozitës. Këta hajdutë që kanë humbur çdo normë morale e etike, ligjore na përjashtojnë ne deputetëve të opozitës nga të drejtat kushtetuese një nga të drejtat më themelore. Është e drejta e tij të ngrejë komisionin hetimor parlamentar për të bërë transparencën për problemet e mëdha. Kjo e drejtë nuk mund ti mohohet askujt. Por kjo nuk ndodh se Edi Rama mbërthyer nga korrupsioni. Nikolla shërbëtore e turpshme Edi Ramës që kushtetutën e ligjet i zëvendëson me urdhrat e Ramës. Kjo është shkatërrimtare e parlamentit dhe parlamentarizmit”, u shpreh Berisha. Ai shprehu vendosmërinë e opozitës për të mbrojtur kushtetutën me çdo kusht. “Ne jemi të vendosur ta mbrojmë kushtetutën me çdo sakrificë këta që mendojnë se mund të shkelmojnë kushtetutën janë banditë bandë e turpshme që s’kanë as moral as ligj. Ramës i ka ardhur fundi. Opozita e vendosur që të mbrojë me të gjithë forcën deri në sakrificën sublime të drejtën e saj kushtetuese”, tha Berisha. Pas kaosit dhe sjelljeve të dhunshme nga Kuvend nga ana e tij dhe e deputetëve të Rithemelimit Sali Berisha jashtë seancës është përplasur dhe me gazetarët pasi u pyet nëse po e përdor parlamentin dhe deputetët që e mbështesin për betejën e tij me drejtësinë, e cila e la në masë sigurie “detyrim paraqitje” për aferën e ish-kompleksit Partizani. “Po mbrojmë kushtetutën që është jetike. Të mbrohet kushtetuta nga kriminelë si Edi Rama”, tha Berisha. “Mazhoranca mund të përjashtojë deputetët por popullin nuk e përjashton dot. Do përdoren të gjitha format e qëndresës parlamentare, ne jemi të vendosur të mbrojmë pluralizmin demokrat”, shtoi më tej ai.
Reagimi i Bardhit
Në një prononcim për median jashtë Kuvendit, deputeti Gazmend Bardhi deklaroi se do të vijojë aksioni i krijimit të kaosit në Kuvend si aksion për të ndaluar maxhorancën që kërkon të asgjësojë opozitën. “Sa kohë ne nuk lejohemi të bëjmë punën tonë, maxhoranca ka vendosur asgjësimin e parlamentit. Përmes asgjësimit të opozitës maxhoranca kërkon që të ketë një parlament njëpartiak ne deputetët e opozitës jemi të vendosur për të mos lejuar normalitetin në seanca plenare”, tha Bardhi.