Eni Nasi
Të dhënat zyrtare prej kohësh tregojnë se me rritjen dhe fuqizimin e mediave digjitale, ka filluar një rënie e qëndrueshme e audiencës së mediave tradicionale. Për shumë arsye, mediat digjitale janë forma më e mirë për t’u përdorur nga bizneset e vegjël dhe të mesëm për t’u bërë të njohur dhe për të takuar tregun e synuar, që potencialisht mund të kthehet në blerës.
Ndër këto faktorë, mund të përmendim si më të rëndësishëm: koston e ulët fillestare, targetimin e lehtë për një audiencë më të vogël në numër por më afër profilit që synojmë. Suksesi në marketingun digjital kërkon krijimin e disa parakushteve që do ta ndihmojnë biznesin të rritet në mënyrë të qëndrueshme, si:
Ndërtimi i markës.
Vendosja e një emri interesant për markën, dizenjimi i një logoje të veçantë dhë përfaqësuese apo përgatitja e një slogani bashkëshoqërues është hapi i parë për t’u identifikuar në treg. Shumë nga shitësit e rinj në rrjete sociale nuk i japin rëndësinë e duhur ndërtimit të markës dhe krijojnë faqet e tyre online, ku ofrojnë produkte pa arritur të lënë një gjumë në mendjen e marrësit të mesazhit.
Hapi i dytë pas krijimit të markës është regjistrimi i saj për ta mbrojtur nga çdo mundësi e ardhshme për t’u kopjuar në mënyrë të plotë ose të përafërt.
Edhe faqet e reja në rrjete sociale që krijohen për të shitur produkte artizanale në sasi të vogël e kanë të rëndësishme të identifikohen dhe kërkojnë një emër marke, qoftë ky edhe i njëjtë me emrin e krijuesit të tyre.
Targetimi i duhur i audiencës.
Duke qënëse aktivitetet e vogla tregtare të cilat e fillojnë rishtaz veprimtarinë e tyre nuk punësojnë një specialist në fushën e marketingut, e kanë të vështirë të bëjnë në mënyrë individuale një targëtim të audiencës ku do të shpërndahet mesazhi, që të përzgjedhë pikërisht personat e interesuar ndaj ofertës.
Nëse nuk merren masa për targetimin e duhur, automatisht rrjeti social ku kemi zgjedhur tëoperojmë do të autotargetojë audiencë, bazuar në karakteristikat e ndjekësve aktualë të faqes. Ky fakt mund të përbëjë një problem, nëse faqja është relativisht e re dhe me një numër të ulët ndjekësish që vijnë kryesisht nga kontaktet personale të shitësit, deri në atë moment. Lidhjet familjare, shoqërore apo të personave të tjerë të afërt jo domosdoshmërisht përputhen me profiling e klientit të synuar dhe janë një grup relativisht i vogël për të mbështetur targetimin e ardhshëm.
Marrja e masave konkrete për të ofruar një shërbim të plotë në mbështje të produktit.
Pas sponsorizimit dhe aktivizimit online të fushatës, nëse kjo e fundit bëhët në mënyrën dhë kohën e duhën e duhur, duhet të jenë marrë paraprakisht masat që produktet të vihen në dispozicion të klientit brenda afatit të publikuar, të jetë siguruar transporti që më parë përmes një poste dhe paketimi të jetë kryer i tillë që të ruajë produktin gjatë transportit. Nwse produkti që ofrohet do të jetë i kategorisë ushqimore, e ka edhe më të rëndësishëm paketimin gjatë transportit.
Në një studim të zhvilluar me bashkëpunëtorë të tjerë një vit më parë, rezultoi se pakënaqësia më e madhe e blerësve në momentin që porositin ushqim online, është paketimi i papërshtatshëm për transport. Ky element cënon cilësinë dhe higjenën e produktit në fjalë.
Mbajtja aktive e faqes.
Faqja/profili në rrjetin social do të marrë një vëmendje të shtuar dhe një rritje të reagimeve nga audienca, në momenti e fillimit të fushatës promocionale. Për këtë arsye duhet që përpara fillimit të sponsorizimit të faqes apo një ose disa postimeve që burojnë prej saj, të kemi përmbajtje të vazhdueshme për t’i dhënë vizitorëve informacion të mjaftueshëm në lidhje me produktet ose shërbimet tona dhe të kemi arritur një numër të caktuar ndjekësish. Rritja e numrit të ndjekësve është relativisht më e lehtë se mbajtja e një numri të qëndrueshëm ndjekësish të interesuar. Kjo kërkon postime të vazhdueshme dhe interesante të paktën një herë në ditë.
Interaktiviteti i faqes.
Nuk mjafton vetëm dhënia e informacionit të bollshëm për t’i kthyer të interesuarit në ndjekës të faqes. Angazhimi i tyre në sondazhe, pyetje të hapura ku iu kërkohet mendimi është një element që i nxit të jenë edhe në vijim pjesë e faqes sonë.
Të gjithë këto elementë synojnë të nxitin klientët potencialë drejt sipërmarrësve të vegjel dhe me një buxhet të vogël marketing në dispozicion. Që të mund të funksionojnë duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë e një strategjie të ndërtuar me kujdes. Afati i përcaktuar është thelbësor.
Një fushatë online, sidomos nëse zhvillohet në rrjete sociale nuk mund të jetë e efektshme nëse nuk është e shtrirë në kohë dhe nuk ka një plan të mirëdetajuar nga pas. Rritja e qëndrueshme nuk mund të jetë rastësore ose të bazohet vetëm në vendimmarrje intuitive por duhet të shfrytëzohet i gjithë informacioni i disponuar për të optimizuar fushatën online.