Pas aksionit të SPAK ku u lëshuan 11 urdhër-arreste, një nga emrat e shpallur në kërkim është edhe Ervin Mata. Ky i fundit është një emër i njohur për policinë.
Klan News ka siguruar ekskluzivisht një video të Ervin Matës, por nuk dihet ende nëse kjo video është e filmuar më parë apo tani së fundmi që ndodhet në arrati.
Emri i tij është lakuar për herë të parë në ngjarjen e 4 Tetorit të 2018-ës ku humbi jetën Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj e Elion Hato.
Atëherë gjatë marrjes në pyetje tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës. Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori ndërsa prokuroria kërkoi arrest me burg mbi Matën.
Në Qershor të vitit 2021, ai u dënua me 6 muaj burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit dhe Mata u dënua me 4 muaj burg që u konvertua në 100 ditë pune në interes publik.
Në atë kohë u tha se përplasja mes tyre nisi për çështje rozë, por gjithmonë ka pasur dyshime se janë përplasur për një shumë të madhe parash të paligjshme.
Në 30 Maj të 2020-ës, Matës iu vendos një sasi eksplozivi hoteli në afërsi të QSUT në pronësi të tij. Po ashtu Mata është lakuar si i përfshirë në çështjet e trafikimit ndërkombëtar të drogës.
Së fundmi Ervin Mata kërkohet si pasojë e një operacioni të SPAK që ka goditur një grup kriminal, pjesëtarët e së cilës akuzohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë. Në kërkim janë edhe Besmir Mustafi, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, dhe Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit.
Ndërsa të arrestuar janë Bujar Gërmizi, Erzen Breçanin, Dedan Gjoni, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë dhe Besmir Murati./ S.M